Librat shkollorë, këtë vit, një titull lënde me tre tekste alternativë
Një titull lënde do të ketë mesatarisht deri në tre tekste alternativë, ndër të cilët vetë mësuesit do të zgjedhin më të përshtatshmin për nxënësit e tyre. Bordi i Miratimit të Teksteve (BOMIT) pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka miratuar 104 tekste alternative për vitin e ardhshëm shkollor. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, 24 shtëpi botuese ofruan për këtë qëllim 169 tekste, nga të cilat u përzgjodhën 104. Tekstet e miratuara u vlerësuan në bazë të kurikulës zyrtare, cilësive teknike, të çmimit, anës gjuhësore dhe shkencore, një proces ky që u realizua nga rreth 200 mësues, profesorë dhe gjuhëtarë. Gjithashtu, këtë vit, janë pajisur me tekste të reja edhe klasat e V-ta dhe të IX-ta. Ndërkohë që një vit më parë përveç klasave të treta dhe të shtata të arsimit bazë u pajisën me tekste alternativë edhe klasat e 4 dhe të 8, (38 tituj me tekste alternativë) si dhe 10 nga lëndët e viteve të II, III dhe i IV të arsimit të mesëm. Në vitin shkollor 2007-2008, ishin prezent në tregun shkollor 155 tekste alternativë nga 23 tekste që u miratuan vitin e parë të Altertekstit. Vendimi i Këshillit të Ministrave në 8 mars të vitit 2006, zyrtarizoi mënyrën e re dhe reformën në sigurimin e teksteve shkollore, Altertekst si dhe ngritjen e Bordit të Miratimit të Teksteve pranë MASH-it, i cili shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit dhe certifikon prej tyre, ato që do t’i paraqiten shkollës për përzgjedhje sipas kritereve të përmbajtjes, të cilësive teknike dhe të çmimit. Thelbi i reformës është çlirimi nga monopoli dhe krijimi i tregut të teksteve i mbështetur në konkurrencën e subjekteve private që i përgatisin këto tekste. Vendimi për tekstet shkollore parashikon se këto tekste nuk sigurohen nga Ministria e Arsimit, por nga rrjeti i botuesve privatë që do të thotë se të drejtën e përzgjedhjes e ka mësuesi, që e përdor tekstin me nxënësit e tij.
14 Gusht 2008