E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat të cilat po përballen me mungesën e ujit të pijshëm në kryeqytet



Jonida Tashi

Pallatet e veçuara në zonat, “Muhamet Gjollesha”, “Rruga e Durrësit”, “Dedë Gjonluli” po përballen më shumë se zonat e tjera të kryeqytetit me mungesën e ujit të pijshëm. Megjithëse nga institucionet përgjegjëse deklarohet se këtë verë Tirana nuk po vuan nga mungesa e ujit të pijshëm, disa zona të kryeqytetit, sidomos ato që gjenden në periferi të tij kanë mungesa të ujit të pijshëm. Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Ferdinand Petrela, sqaron gjithë rrjetin se si po furnizohet me ujë kryeqyteti dhe ndërhyrjen e këtij institucioni për zgjidhjen e problemit të ujit në zonat ku ai mungon, ose vjen me sasi të kufizuar. Por, lidhur me problemet e hasura për mungesën e ujit Petrela pohon: “Aktualisht, në qytetin e Tiranës, mund të them që nuk ka probleme në blloqe, lagje apo grupim pallatesh, por ka ankesa që shkojnë rreth 12 në ditë, të cilat kanë të bëjnë me pallate të veçuara në zonat, “Muhamet Gjollesha”, “Rruga e Durrësit”, “Dedë Gjonluli”, të cilat jemi munduar që t’i zgjidhim në mënyrë që të mos sjellim shqetësim te qytetarët”.
Furnizimi
Sipas tij, furnizimi me ujë i kryeqytetit po bëhet akoma sipas skemës klasike, tre herë në ditë, ku depot e ujit hapen në mëngjes në orën 04, në mesditë në orën 13 dhe në darkë në orën 19. Depot kryesore të Tiranës dhe Kinostudios mbushen me Bovillën, kurse depot e Qytetit Studenti mbushen me Selitë dhe Shën Mëri. Pastaj këto mbushin depon e Pallatit të Brigadave dhe nga këto depo dalin linja 24 orëshe që shkojnë në drejtim të Kombinatit Ushqimor, Zonës rezidenciale që përfshin Bllokun e Ambasadave deri te Kryeministria dhe pjesa tjetër që kalon te Pallati i Kongreseve. Linjë tjetër 24 orëshe është dhe ajo, e Qendrës Spitalore Universitare, por dhe linja e Pallatit të Brigadave që furnizon Saukun dhe pallatin e brigadave, janë linja 24 orëshe. Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, bën të ditur se aktualisht për kryeqytetin disponohet rreth 3170 litra ujë sekondë, ujë ky i nxjerrë nga burimet, nga të cilat 1800 litra janë të impantit Bovillë, rreth 980 litra janë nga tre burimet, Bovilla e vjetër, Selita dhe Shën Mëria, si dhe nga stacioni i pompimit Qafmollë, që është pjesë e kësaj skeme, ku rreth 290 litra ujë në sekondë vjen nga stacionet e pompimit që mbulojnë qytetin e Tiranës.
Furnizimi
Sipas Petrelës, detyra kryesore e Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, është furnizimi me ujë i qytetit të Tiranës, por edhe rrethinave, pasi kjo shoqëri përveç kryeqytetit, furnizon me ujë 16 komuna dhe bashki të tjera, siç është ajo e Kamzës dhe pjesërisht Bashkia e Vorës. Veç kësaj, po sipas Petrelës, detyrë tjetër kryesore e kësaj drejtorie është dhe minimizimi i ankesave që vijnë nga qytetarët. I pyetur nëse kapaciteti i sotëm i Bovillës është në gjendje të përballoj të Tiranën, me 24 orë ujë, drejtori Petrela, shpjegon se “Bovilla nuk është sistem 24 oresh për furnizimin e qytetarëve të Tiranës. Impianti i saj punon 24 orë, sepse furnizon direkt qytetin e Tiranës me 17 orë ujë. Përsa i përket rezervës, rezerva në digën e Bovillës ka ujë, nuk është problem, nëse kalojmë një dimër pa lagështi”.
Problemet
Përveç ankesave të qytetarëve për mungesën e ujit, një tjetër problem që haste çdo ditë dhe që rëndon mbi ta është
dhe përdorimi i ujit të pijshëm nga lavazhet në Tiranë. Një fakt ky që pranohet edhe nga kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve, Ferdinand Petrela, i cili sqaron se një pjesë e këtyre lavazheve e marrin ujin nga puset, ndërsa pjesa tjetër që përdor ujin e pijshëm, janë prerë, janë gjobitur, madje i’u janë sekuestruar edhe mjetet e punës. Por megjithë masat e marra, sipas Petrelës, ky është një problem ende i pazgjidhur, pasi Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve nuk ka gjetur mbështetje nga pushteti vendor, i cili ka për detyrë t’i kontrollojë këto subjekte. Ndërsa përsa i përket numrit të konsumatorëve të ujit që janë pa matësa, Petrela pohon: “Nga rreth 140 mijë konsumatorë që kemi 56 mijë janë pa matësa dhe janë me fatura aforfe”. Por që të pajisen të gjithë qytetarët me matësa, në mënyrë që të paguajnë për ujin aq sa harxhojnë Petrela shpjegon se nevojiten rreth 50 mijë të tillë. Përmes një kredie italiane, pritet që së shpejti të shtohen rreth 20 mijë matësa të rinj. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka si objektiv, që brenda dy viteve të gjithë qytetarët e kryeqytetit të pajisen me matësa.

Zonat problematike
“Muhamet Gjollesha”
“Rruga e Durrësit”
“Dedë Gjonluli”
Zonat periferike

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›