E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis aksioni në bastionet e hashashit, por ndalohen vetëm pleq



Pas informacioneve të publikuar në media, policia e shtetit ka reaguar ndaj dy bastioneve të kultivimit të hashashit, në rrethin e Shkodrës dhe në atë të Gjirokastrës, por sërish përballë ligjit nuk janë vënë kultivuesit e Cannabisit. Policia e Qarkut të Shkodrës asgjësoi të mërkurën 2523 rrënjë bimë narkotike të llojit Cannabis sattiva, gjatë një aksioni në komunat malore të Temalit dhe Shkrelit. Aksioni u përqendrua fillimisht në komunën Temal të rrethit të Shkodrës, ku sipas burimeve zyrtare të policisë, në vendin e quajtur “Logu i Megjes të Mullirit”, në fshatin Toplanë, u konstatuan tre parcela, në pronësi të shtetasit Mirash Kapaj. Efektivat e policisë ushtruan kontroll edhe në vendin e quajtur Boshtë, po të kësaj komune, ku u konstatua një tjetër parcele, në të cilën ishin mbjellë 100 rrënjë bimë narkotike, që u asgjësuan me anë të djegies. Ndërsa në vendin e quajtur Zhrel, në fshatin Kajvall të komunës Temal, u konstatuan dy parcela të vogla afër njëra-tjetrës, në të cilat u asgjësuan 273 rrënjë bimë kanabis. Operacioni i djeshëm u shtri edhe në komunën Shkrel të Malësisë së Madhe, konkretisht në vendin e quajtur “Bjeshkët e fshatit Maklaj”, ku gjatë kontrollit të ushtruar, u konstatuan dy parcela, në një zonë të shpyllëzuar, në të cilën ishin mbjellë 1700 rrënjë bimë me karakteristikat e Cannabis sattiva, të cilat më pas u shkulen dhe u asgjësuan. Po dje policia e Gjirokastrës, ushtroi një kontroll në një parcelë brenda një stalle bagëtish, në fshatin Shëntodhër të komunës së Lunxhërisë, e cila është në pronësi të shtetasit Esat Dinaj, 77 vjeç, lindur në Hormovë dhe banues në Shëntodhër. Në këtë parcelë ishin mbjellë 103 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si Cannabis Sattiva, të cilat varionin nga 220 centimetra të larta deri në 260 centimetra. Në momentin e kontrollit nga ana e policisë në këtë parcelë është gjetur i zoti i kësaj parcele shtetasi Esat Dinaj, i cili ka pohuar se e ka mbjellë vetë. Policia bëri asgjësimin e bimëve narkotike dhe nisi ndjekjen penale në gjendje të lirë për shkak të moshës ndaj 77-vjeçarit Dinaj. Ndonëse janë marrë një sërë operacionesh nga strukturat e rendit, sërish bima e ndaluar kultivohet hapur, nën sytë e shtetit, ndërkohë që autorët e këtij aktiviteti ilegal nuk janë ndaluar nga policia. Në shënjestër të forcave policore janë vetëm pleq dhe gra, të cilat janë autorët e vërtetë, sipas policisë, të kultivimit të bimëve narkotike. Ndërkohë, reagimi i policisë në zonat bastion të hashashit, si ajo në Lazarat, kanë qenë tejet të vakta, pasi mediat çdo ditë publikojnë banorë që merren me rritjet e lëndës së ndaluar, ndërsa policia inskenon operacione, pa qenë në gjendje që të hyjë në zonën e njohur si rebele dhe e pakontrollueshme nga strukturave të shtetit.

Shemben 70 ndërtime pa leje në qytetin e Lushnjës

LUSHNJË - Zbatimi i projekteve të ndertimit në disa lagje të qytetit, miratuar nga këshilli bashkiak, i ka detyruar ndërtimorët të shembin ndërtimet e paligjshme. Kryeinspektori ndërtimor, Josif Ndrio thotë se brenda dy javëve janë shembur rreth 70 ndërtime të paligjshme dhe janë planifikuar edhe 40 të tjera. “Na duhet të largojmë objektet që pengojne punën për zbatimin e projekteve të miratuar nga Këshilli Bashkiak”- thotë ai, duke shprehur gatishmërinë për të zbatuar urdhrin e dhënë deri në fund. Në lagjen “Xhevdet Nepravishta” jane shembur mure rrethues dhe ndërtime të tjera, të cilat jane bërë pengesë për rikonstruksionin dhe zgjerimin e rrugës, e cila do të jetë shume funksionale pas perfundimit të investimit me fondet e qeverisë vendore. Në vend të 40 ndërtesave të tjera që janë në plan të rrëzohen janë miratuar sheshe ndërtimi dhe mjedise në thellësi të lagjeve.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›