Ministrja Ibrahimaj: Qeverisje gjithëpërfshirëse në fushën e financave, sa i përket hartimit të projektligjeve

Një qeverisje sa më gjithëpërfshirëse në fushën e financave, sa i përket hartimit të projektligjeve nga ana e qeverisë. Ky ka qenë theksi i vënë nga ministrja e Fiancave, Delina Ibrahimaj, në kuadër të projektligjeve dhe nismave të ndryshme ligjore, me qëllim përmirësimin e vendimmarrjes dhe dialogut mes biznesit dhe institucioneve.
Ministrja Ibrahimaj, në cilësinë e kryetares, mblodhi sot Këshillin e Investimeve, ku u diskutua mbi efektivitetin e procesit të konsultimit publik, në funksion të përmirësimit të dialogut mes sektorit privat dhe qeverisë.
Zonja Ibrahimaj theksoi faktin se konsultimi publik i reformave dhe nismave ligjore në zbatim të tyre është synim dhe në themel të qeverisjes.
“Ne kemi qëllim që të kryejmë reforma dhe të bëjmë një qeverisje sa më gjithëpërfshirëse, ku gjithë palët e interesit të jenë të përfshira në vendimmarrje pasi synimi ynë është që të hartojmë projektligje dhe nisma të ndryshme që janë në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe të zhvillimit të vendit”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik 52 nisma ligjore. Ministrja Ibrahimaj tha se procesi i konsultimit publik është zhvilluar edhe përmes tryezave dhe diskutimeve me grupet e interesit, ku janë marrë edhe sugjerimet përkatëse.
Ministrja solli si shembull konsultimin publik të projektligjit “Për faturën dhe sistemin e qarkullimit”, Fiskalizimin, i cili u miratua në formën e tij përfundimtare, pasi u morën në konsideratë shumë prej sugjerimeve të aktorëve të përfshirë në procesin e konsultimit.
Ministria e Financave dhe Ekonomis ka ndërmarrë iniciativën e konsultimit publik me sektorin privat dhe dhomat e tregtisë, mbi një sërë rekomandimesh që ata kanë adresuar pranë Këshillit të Investimeve dhe MFE.
“Kanë qenë 5 muaj intensivë takimesh ndërmjet dhomave të tregtisë dhe ekspertëve të MFE, dhe e përmend në këtë mbledhje pasi 8 nga rekomandimet e dhëna nga dhomat e tregtisë janë të lidhura me procesin e konsultimit publik. Një pjesë e rekomandimeve janë të zbatuara aktualisht, por kanë nevojë për vendimmarrje. Ndër to mund të përmend propozimin e dhomave të tregtisë për të bërë pjesë të konsultimit publik aktet nënligjore, të cilat shoqërojnë projektligje të rëndësishme dhe në disa raste në fakt japin edhe detaje të rëndësishme mbi zbatueshmërinë e ligjeve”.
/rtsh.al/