Ministrja Krifca: Studioni në UBT, universiteti numër 1 në Shqipëri

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca vazhdon të përsërisi ftesën drejtuar të rinjve shqiptarë të studiojnë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
“UBT është votuar si universiteti numër 1 në Shqipëri për disa vite me radhë për ofertën akademike të tij, duke u bërë një nga universitetet më moderne të shkencave të jetës në vend”, thekson zonja Krifca në rrjetin social facebook.
Ministrja kujton se “në këtë universitet mund të studioni në fushën e bujqësisë, mjedisit, pylltarisë dhe sigurisë ushqimore, me 20 programe bachelor, më shumë se 30 programe masteri dhe 6 programe doktorate, të cilat fokusohen veçanërisht në shkencat bujqësore dhe ato të jetës (bujqësi, ekonomi dhe agrobiznes, ushqim, mjedis, mjekësi veterinare dhe pyje)”.
“Për të studiuar në këto programe, studentët nuk do të paguajnë tarifë studimi, por do të përfitojnë 40 000 lekë në muaj dhe do të kenë mundësi të akomodohen në kampusin e universitetit për një pagesë simbolike prej 5000 lekë në muaj”, nënvizoi Krifca.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kujton se “Në bashkëpunim me universitetin BOKU, Vjenë dhe Viterbo, Itali, UBT ofron mundësinë e përfitimit të dy diplomave njëherazi për degën që zgjidhni të studioni, duke e bërë diplomën tuaj të njohur ndërkombëtarisht dhe duke hapur më shumë mundësi karriere në fushën e bujqësisë”.
“Ftojmë të rinjtë që t’i bashkohen Bujqësisë, duke zgjedhur të studiojnë në disa programe prioritare për vendin tonë pranë Universiteti Bujqësor të Tiranës”, përfundoi Krifca.
/rtsh.al /