E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minxhozi: Marrëveshje Rama-Berisha edhe për kryeprokurorin

TIRANE-Deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi në një intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare” ka apeluar nevojën e një pakti Berisha-Rama për zgjedhjen jo vetëm të Presidentit të Republikës por edhe të Prokurorit të ri të Përgjithshëm.
Gjithmonë në rastet e krizave të rënda politike, por jo vetëm, ndërkombëtarët, shihen nga shqiptarët si “Mesia”, të cilët thirren apo ndërhyjnë jo vetëm për të rikthyer dialogun mes palëve por edhe për të garantuar “paqen” e brendshme. Duket se e njëjta situatë po përsëritet sërish, tani që vendi është në prag të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, ku faktori ndërkombëtar qartësisht po i bën presion klasës politike për zgjedhjen me konsensus të kreut të ri të shtetit. Pas rreth 20 vitesh pluralizëm a ju duket normale që politikanët shqiptarë nuk po arrijnë ende t’i zgjidhin vetë këto ngërçe por gjithmonë kërkojnë një “Vranicki”, pra një arbitër ndërkombëtar?
Është absolutishte e vërtetë që ndërkombëtarët ndërhyjnë shumë sepse ne gjithmonë kemi patur nevojë për një arbitër të jashtëm për shkak të mungesës së besimit që ekziston në klasën politike shqiptare. Ajo që vuan sot Shqipëria është mungesa e një besimi reciprok, që sjell pastaj mungesën e dialogut dhe konsultimeve. Shqipëria këtë vit feston 100-vjetorin e Pavarësisë por me difekte shumë të mëdha përsa i përket përparimit të demokracisë. Ne ende nuk jemi në gjendje të bëhemi zotër të fateve tona. Në mënyrën me absolute në vendet ku ka demokraci të konsoliduar, të huajt ndërhyjnë shumë shumë pak sepse nuk mund të ndërhyjnë në politikën e brendshme. Këtu kam parasysh shtete të tilla si SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Danimarka, vende në të cilat ky i ashtuquajturi faktori ndërkombëtar është pothuajse inekzistent. Ju me të drejtë pyesni pse? Sepse atje funksionon demokracia dhe ndërgjegja qytetare me atë politike ndërthuren bashkë. Në Shqipëri ka një vakum shumë të madh, për 20 vjet ne jemi i vetmi vend në Ballkan që diskutojmë ende problemin e votës dhe që ende e kemi të vështirë të ndërtojmë urat e besimit. Dhe kur themi “Vranicki” sigurisht nuk kemi parasysh personin por fenomenin. Të gjithë shqiptarët janë sy e veshë tek ndërkombëtarët. “Çfarë thonë të huajt?”, është shprehja e përdorur rëndom në popull që po ta marrësh në kuptimin institucional sigurisht që është ndërhyrje në punët e brendshme por nga ana tjetër është një domosdoshmëri që politikanët e të dy krahëve e përdorin që të ulen në bisedime. Por që të ketë më pak vend për ndërkombëtarët ne duhet të vendosim në mënyrën më absolute me vullnetin tonë. Nga ana tjetër ajo ç’ka dua të nënvizoj është se në Shqipëri të huajt përdorin dy standarde sepse janë të ndikuar fatkeqësisht edhe nga atmosfera që ekziston në vendin tonë. Nuk e njeh kush Brukselin në vendet me demokraci të konsoliduar. Nuk e njeh kush Volfartin që na del në televizor ditë për ditë si personi që i jep drejtim këtij vendi. Jam kundër kësaj. Sa më pak ndërkombëtarët në media e në tavolina dhe sa më tepër të jenë shqiptarët ata që duhet të vendosin atëherë demokracia jonë do të bëhet funksionale dhe e besueshme.
Kur mund të arrihet kjo sipas jush?
Në Shqipëri gjithmonë ka ekzistuar problemi i mazhorancave. Çdo mazhorancë bën ligje sikur do të jetë në pushtet përjetësisht. Kjo është tepër e gabuar. Demokracia nuk është revolucion. Demokracia është evolucion dhe evolucioni arrihet me mirëkuptim, besim dhe mbi të gjitha me largpamësi. Çfarë ndodh në politikën shqiptare? Shqipëria nuk ka një plan afatgjatë se ku do të jetë pas 20 vjetësh, ku do të shkojë në çfarë drejtimi. Shqipëria i bën planet ku do jemi pas 4-vjetësh, ç’ka është shumë shumë pak. Prandaj mazhorancat herë pas herë kur dalin në minorancë kërkojnë të ndryshohen ligjet sepse nuk është menduar për plane afatgjata. Dhe politika këtu ka qenë shumë sunduese e kjo për shkak se nuk përfillet ajo çfarë mendojnë, thonë, e duan njerëzit. E kjo për faj ndoshta edhe të vetë shoqërisë civiile e cila është sot më e tkurura në Ballkan. Intelektualët sot në Shqipëri bisedojnë nëpër kafene dhe shumë pak japin mendime në media për të kundërshtuar qeverinë, qoftë kjo e djathtë apo e majtë, lidhur me një vendim të gabuar që merret. Po marrin një çështje shumë të debatuar: ligji për importin e plehrat. Edhe në këtë rast politika u tregua fuqiplotë sepse mungoi presioni i shoqërisë civile. Ndaj dhe ne kur gjendemi në udhëkryq, kur pushteti cënon parimet e demokracisë atëhere kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve. Shqipëria ka popullinë më homogjene në rajon, që nuk e ka asnjë vend në tjetër. Nuk e ka Greqia, Maqedonia, Krocia, Serbia etj dhe ne prapë nuk merremi vesh. Pra shqiptari nuk arrin dot të merret vesh me shqiptarin. Dhe ky është një problem që duhet zgjidhur në rradhë të parë nga shoqëria civile.
Të ndalemi pak tek çështja e Presidentit. Në gjykimin tuaj si do të zgjidhet ajo, do të kemi një kryetar shteti të zgjedhur me konsensus apo me një shumicë të thjeshtë votash, thënë ndryshe një President nga rradhët e PD-së?
Së pari unë nuk dua të ndalem tek emrat e propozuar apo vetëshpallur si kandidatë për postin e kryetarit të shtetit. Për mua rëndësi ka koncepti që Shqipëria ka nevojë për një President me integritet, që të pastrojë ujrat, që të jetë i lidhur sa më pak me interesin që i jep pushteti. Në këtë pikëpamje unë kam vlerësime për Presidentin Moisiu, i cili ishte një president që arriti të ishte vetvetja. Kur themi një president që ta pranojnë palët unë dal mbi këtë koncept. Ne na duhet një President që të ketë integritet. E përsëris nuk është problem zgjedhja e emrit. Qytetari është i interesuar nëse do kemi një kryetar shteti që të jetë i pavarur për të marrë vendimet e duhura në funksion të intersave të vendit. Kushtetuta e ka bërë të fortë institucionin e Presidentit sepse kryetari i shtetit është njëherësh komandant i Forcave të Armatosura, është kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka në dorë emërimet në diplomacinë shqiptare etj. Prandaj është e rëndësishme që ai të jetë funskional, jashtë trysnive të politikës. Jashtë emrave që qarkullojnë sot si kandidatë për këtë post unë jam për vendosjen e një personi që i plotëson të gjithë këto kritere. Ka ikur koha që ne të zgjedhim militantë partiakë në krye të shtetit. Megjithatë unë mendoj se Shqipëria sot nuk ka problem vetëm çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Shqipëria sot në gjykimin tim ka tre probleme: është zgjedhja e presidentit, reforma zgjedhore edhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Mendoj se ka ardhur koha që ne të bëjmë vetë rolin e “Vranickit”, të merremi vesh për të tri këto çështje.
Nënkuptoni domosdoshmërinë e një pakti mes të dy palëve?
Pikërisht. Është koha duke iu referuar edhe 100-vjetorit të Pavarësisë që ne të bëjmë një pakt të madh. Është e dosmosdoshme që Rama dhe Berisha të ulen në tryezë dhe t’iu japin zgjidhje këtyre tri problemve. Çdo takim është shumë pozitiv dhe është akoma edhe më pozitiv kur buron nga vetë këta faktorë sesa kur ndikohet nga jashtë.
Sipas jush e kujt duhet të jetë kjo inisiativë?
E domosodshme është që palët duhet të binden për nevojën e vendosjes së një dialogu.
Si e vlerësoni kandidaturën e Fatos Nanos për postin e kreut të shtetit? Dhe a do e votonit ju atë?
Sigurisht që është një kandidaturë serioze. Të mos harrojmë që unë kam qenë një nga firmëtarët e tij në garën presidenciale të vitit 2007. Por kësaj here nuk do të ketë më firmëtarë. Kësaj here firmën do ta japë partia.
Në çfarë kuptimi?
Është një proces që nuk zgjidhet midis z.Nano dhe z.Rama por është një proces që në rradhë të parë duhet të zgjidhet midis z.Rama dhe z.Berisha. Duhet vendoset ky standard sepse klasa politike shqiptare gjithmonë prsidentin e ka zgjedhur në momentin e fundit dhe me makinacione të trafikut të votave. Kjo tashmë duhet të marrë fund.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›