Miqësia e Kosovë-SHBA është e palëkundur

Me rastin e 235-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dërguar një letër përgëzimi homologut të saj të SHBA-ve Barack Obama, në të cilën shpreh urimet më të mira për qeverinë dhe popullin amerikan.
“4 Korriku është një datë e rëndësishme jo vetëm për vendin tuaj, por për tërë botën. Kjo datë është një sinonim i vlerave të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë. Këto vlera janë tashmë universale dhe roli global i SHBA-së është i rëndësishëm në promovimin e tyre”, thuhet në urim.
Presidentja Jahjaga ka thënë se lidhja dhe miqësia e Kosovës me SHBA-në është e thellë dhe e palëkundur, dhe se Kosova do të vazhdojë t’i kontribuojë paqes, stabilitetit dhe progresit në Ballkan.
“Angazhimi aktiv i SHBA-së mbetet krucial dhe i pazëvendësueshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi në përkrahjen tuaj për jetësimin e aspiratave euro-atlantike të Kosovës, si dhe për zgjerimin e njohjes së shtetit tonë”, thuhet në urim