Miqësia, përse ndarja është e dhimbshme
Sipas një studimi të fundit të sociologëve, të përfunduar këtë javë për femrat, ndarja me mikeshën e zemrës mund të rezultojë shumë më e rëndë se ndarja nga i dashuri. Rrënjët e një miqësie janë të thella, aq sa edhe prishja me një mikeshë jo shumë të rëndësishme na shkakton ndjenja të theksuara faji dhe dhimbje. Kjo është diçka që të gjitha e kemi provuar gjatë jetës të paktën një herë, por ka edhe nga ato që, për shkak se kanë një karakter të vështirë, kanë edhe lidhje miqësore të paqëndrueshme dhe e kanë provuar disa herë shijen e hidhur të lotit të ndarjes. Kjo është arsyeja që prishja e një miqësie mund të jetë një traumë e vërtetë për disa. Veçanërisht kur kemi të bëjmë me një prishje që shoqërohet me një zhgënjim, mund të na duket se dikush na ka shkulur zemrën nga kraharori.
Ja një histori miqësie e thellë, përfundimi i së cilës u shkaktoi dhimbje të dyja palëve. Rrëfimi është i një psikologeje që ka bërë edhe një libër së fundi për miqësinë në përgjithësi dhe atë mes dy femrave në veçanti.
“Unë e takova Deboran kur erdhi në klubin tim, në vitin 1993. E sapodivorcuar e me dy fëmijë të vegjël, isha e lirë dhe e lumtur. Por duke qenë se nuk kisha një partner, isha shumë e hapur për të gjetur një mikeshë, me të cilën të mund të ndaja gjërat e mia dhe orët e lira. Miqësia jonë nisi që në fillim si një histori shumë e bukur dhe gjithçka ishte e menjëhershme. Ajo çka na pëlqente te njëra-tjerra ishte mënyra se si qeshnim pa fund, duke treguar barsoleta, apo histori për ngjarjet që na kishin ndodhur gjatë ditës. Ishim të dyja gra me karrierë. Unë psikologe e suksesshme, ndërsa mikesha ime një shefe marketingu e mirëpaguar. Miqësia jonë bazohej te respekti reciprok dhe afeksioni që ndjenim për njëra-tjetrën. Ish-mikesha ime kishte qenë e martuar, por shumë shpejt e kuptoi se lidhja e saj martesore kishte të çara. I shoqi nuk donte fëmijë, ndërsa për të, fëmijët ishin të rëndësishëm. Si përfundim ajo e arriti atë që dëshironte, por martesa vazhdoi të kishte probleme.
Një vit pas njohjes sonë, unë njoha Nik, një menaxher i zoti me të cilin u martuam një vit më pas. Por edhe pse isha e sapodashuruar me burrin me të cilin u martova, Deborah vazhdonte që të ishte pjesë e rëndësishme e jetës sime. Ne takoheshim në klub, në palestër, flisnin rregullisht për të gjitha gjërat si më parë dhe vazhdonim që t’ia kalonim shumë mirë. Ndër të tjera bënim edhe biseda të gjata për dashurinë dhe miqësinë e marrëdhëniet e tjera njerëzore. Në vitin 2001, martesa e Deboras pësoi krisje të rënda dhe nuk mund të vazhdonte më, ndaj ajo u divorcua. Nisi kështu për të një periudhë shumë e vështirë dhe unë isha e lumtur që isha për të një krah e një sup mbi të cilin ajo të mund të mbështetej dhe të qante, ditën, apo natën. Miqtë janë për të të ndihmuar kur ke nevojë dhe unë për të isha një ndihmë e madhe në një periudhë të vështirë. Me kalimin e kohës, duke qenë se ajo ishte vetëm, më bënte çdo natë telefonata shumë të gjata, mbi dy orë, pas të cilave ndihesha tërësisht e konsumuar. Im shoq më thoshte se kjo miqësi po më konsumonte përtej mundësive të mia, por nuk e dëgjova. Por ndërsa koha dhe muajt kalonin, nisa që të shqetësohem për sjelljen e Deboras por isha e pamundur dhe e pafuqishme që ta ndihmoja. Ajo ndërkohë kishte nisur që të pinte alkool dhe më telefononte shpesh për të më thënë se nuk mbante mend se çfarë i kishte ndodhur një natë më parë. Më pas nisi që të shkonte nëpër klube, për t’u takuar me djem të rinj dhe për t’u shoqëruar me ta për një kohë të shkurtër. Një mëngjes më merr në telefon dhe më thotë e tmerruar se në shtratin e saj ishte një djalosh i ri, të cilin ajo as që e njihte fare. Unë u shqetësova shumë dhe vazhdoja që t’i thoja mikeshës sime që ajo kishte nevojë për ndihmën e një profesionisti. Ajo ndërkohë bëri përpjekje për ta ndaluar vetë të pirin dhe për tri javë nuk vuri alkool në gojë, por kjo nuk zgjati shumë dhe iu rikthye zakonit të vjetër të telefonatave dhe qarjeve të gjata. Unë e ndjeja që ndërkohë po më shteronin forcat për ta mbështetur. Për shumë kohë, ne kishim ndarë një miqësi të gjatë. Kishim shumë pika të përbashkëta, por më në fund po e shihja se kishim marrë rrugë të ndryshme. Ndihesha e lodhur dhe më dukej sikur çdo natë, përmes telefonatave të saj, më duhej që t’ia gëlltisja ngjarjet e ditës që më rëndonin gjithnjë e më tepër në stomak. Një ditë im shoq më tha: Kjo që po bën ti i kalon përmasat e miqësisë. Mikesha jote po ndërhyn në jetën tonë. Unë e dija që Nik kishte të drejtë, por e ndjeja që nuk mund ta lija në baltë mikeshën, sepse mendoja që çdo gjë tjetër do të kishte qenë e padrejtë dhe jo e ndershme. Dhe kështu telefonatat pasuan njëra-tjetrën ditë pas dite dhe unë nisa të ndihem në faj dhe për tim shoq. Sigurisht që kjo situatë nuk e kërcënoi kurrë martesën tonë, por shkaktoi një stres të madh. Një natë Deborah më tha se dëshironte që të mbeste me barrë nga një marrëdhënieje rastësore me djemtë e rinj që takonte nëpër klube nate. Ishte nata kur vendosa që t’i jap fund miqësisë që kisha me të. I thashë se ajo po shkatërronte veten dhe se nuk mund të vazhdoja më një miqësi që ushqehej vetëm nga unë dhe që mbi të gjitha po më dëmtonte martesën. Që nga ajo natë nisa të mos i përgjigjem më telefonatave të Deboras dhe kështu kaluan disa muaj. Kështu, më në fund, Deborah më dërgoi një e-mail, në të cilin më shkruante arsyet e sjelljes së saj. Gjatë muajve që nuk kishim pasur lidhje, isha ndier më e qetë, edhe pse më mungonte shumë miqësia me të. Lidhja jonë kishte marrë fund për shkak të rrugëve të ndryshme që ndoqëm në jetë dhe këndvështrimeve të ndryshme që kishim për jetën.
Ajo që mësova nga kjo miqësi e gjatë ishte që, edhe pse na pëlqen që të mendojmë se miqtë tanë do të jenë gjithmonë aty për ne, deri në fund të jetës, ndonjëherë duhet t’i lëmë që të ikin, sado që një fakt i tillë mund të na dhembë gjatë…
#