E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjuha shqipe, edhe në universitet

Propozimi Dekani Rrokaj: Edhe administrata duhet t’i nënshtrohet provimit të gjuhës

Gjuha shqipe të bëhet pjesë e kurrikulës universitare. është ky një ndër projektet që po diskutohet dhe pritet të bëhet publik së shpejti nga strukturat e Ministrisë së Arsimit. Ky ka qenë edhe një ndër propozimet e hedhura në takimin e organizuar në Qendrën Albanologjike lidhur me prezencën e gjuhës dhe letërsisë në tekstet shkollore. Argumentet në të cilat mbështetet ky projekt janë të thjeshta. Gjuha shqipe që përdorin të diplomuarit në fusha të ndryshme lë shumë për të dëshiruar, e në mënyrë të veçantë gjuha e shkruar. Madje edhe shumë personalitete publike, ndërsa ushtrojnë profesionet e tyre, apo japin opinione për çështje të rëndësisë madhore për të ardhmen e kombit, nuk arrijnë që të shprehen saktë sipas standardeve të përcaktuara të gjuhës shqipe, duke sjellë jo vetëm deformime të saj, por edhe gabime që konsiderohen të papranueshme për intelektualët.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, është një ndër mbështetësit e këtij propozimi. Sipas tij, të gjithë ata që ndjekin shkollën e lartë e kanë të nevojshme të shkruajnë saktë dhe qartë gjuhën shqipe, sepse shkrimi i standardit ka të bëjë jo thjesht me respektimin e normës, por me një problem shumë të madh, që është vetë gjuha në raport me mendimin. “Një gjuhë e shkruar saktë është një mendim më i qartë”, shprehet dekani Rrokaj.

Në këtë linjë, ai shkon më tej duke kërkuar madje edhe një testim të përgjithshëm për njohjen e gjuhës shqipe nga administrata shqiptare. Kjo, jo thjesht në aspektin profesional gjuhësor, por në këndvështrimin e ushtrimit praktik të saj. “E gjithë administrata duhet të kalojë provimin e gjuhës shqipe”, thotë Rrokaj, duke shtuar se ne jemi një komb që nuk kemi shumë kohë që ushtrojmë rregullat e drejtshkrimit (krahasuar me të tjerët). Pikërisht për këtë arsye, shton dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, është shumë e nevojshme një reformë tërësore. Ai vëren se nuk është aspak e hijshme kur dëgjon intelektualët të flasin duke bërë gabime themelore në respektimin e standardit. Nga ana tjetër, ai thekson se kjo reformë duhet të shtrihet që në sistemin parauniversitar, duke filluar me mënyrën se si ofrohet standardi i shqipes në shkollë, në mënyrën se si fëmijët shqiptarë duhet të shkruajnë dhe të mendojnë në gjuhën e tyre.

Kjo reformë për profesor Rrokajn duhet të kombinohet me të gjithë aktorët e orientuar nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që të mos i lihet rastësisë apo grupeve që kërkojnë të vendosin monopole.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›