E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqtë e Dajtit nisnin fushatën e kërcënimeve në Facebook

26/08/2009  Jepen 20 mijë euro shpërblim për foton e një polici që mori pjesë në operacion

TIRANË- Mesazhet në internet dhe kërcënimet ndaj policisë s’kanë të sosur. Pas betejës për kapjen e Dritan Dajtit që u mbyll me katër policë të ekzekutuar dhe 23- vjeçarin Ledion Mara të vrarë, një tjetër betejë, por kësaj radhe jo me plumba, por me kërcënime dhe fjalë po zhvillohet në Facebook. Fansa të të riut që u vra gjatë operacionit policor në Durrës, por edhe persona të tjerë që përkrahin policinë, vazhdojnë të kërcënohen me njëri-tjetrin, secili në frontin e vet. Shokët e të riut të vrarë kanë arritur deri aty sa kanë vënë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për personin që do të sigurojë një foto të forcave të policisë dhe të një polici me inicialet I. GJ. Kërcënimi i hapur, por edhe detaje të tjera që flasin për skenarë hakmarrjeje, arratisje të dytë të Dritan Dajtit e kanë detyruar policinë të vendosë në mbikëqyrje këtë faqe dhe të dërgojë në Prokurori çdo material që hidhet aty, duke nisur kështu hetimet për kërcënime ndaj punonjësve të policisë. Mes mesazheve të rënda ka fjali të tilla si, “Shteti i ulet në gjunjë Dritan Dajtit. Ledion Mara është dëshmori i vërtetë”, apo “Shteti i vret të fortët megjithëse janë të pafajshëm, sepse kanë frikë prej tyre, por kanë harruar një gjë, bie1, 1000 ngrihen dhe do ju shkatërrojmë ju o shtet”. Në adresë të policisë lëshohen fjali të rënda si, “Kështu do ta pësoni o policë. Doni të lëmë të qetë policët e vrarë, na lini të kujtojmë Ledionin, kjo është negociata”. Në total janë 440 persona të përfshirë në këtë debat, i cili sipas policisë dhe Prokurorisë po sulmon direkt oficerë policie të caktuar dhe po ngre për herë të parë një grup në rrjet. Pasi i është kërkuar për të mbyllur faqen autori i saj Daniele Coco dhe që prezantohet me një foto të mikut të tij të vdekur, Mara, duke bërë karshillëk të hapur pohon: “Ai që e shan Ledion Marën do të ma paguajë 1 ditë. Dhe sa për shtetin tuaj s’ më plas fare. Le të vijë të më kapi, po mua s’ më kap dot. Ja dhe adresa ku jetoj. Liverpool Anfield Road Street. Le të vijnë këtu po nuk ikën si ata të 4 në Durrës”.

Fjalori banal

Me fjalor shumë herë banal dhe të shthurur persona të shumtë të prezantuar me emra dhe foto vajzash kanë shfryrë mllef kundër policisë, ndërsa kanë arritur deri atje sa të betohen se do hakmerren me çdo kusht. Për më tepër një prej tyre i prezantuar me foto të një femre dhe që mban emrin Kristi Hamzaj, pasi e nis dhe mbaron mesazhin e vet me sharje ndaj policëve pohon: “...nuk do ta lëmë me kaq ne, jo. Do t’ju hedhim në erë sot natën...”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›