E Diel, 1 Nëntor 2026

Në katër vatra zjarri, i pari përgjegjës që ndiqet penalisht

26/08/2009  Procedohet zjarrvënësi, dogji ullinjtë e fshatit

ELBASAN-Hetimet kanë arritur në zbardhjen e të parit zjarrvënës në qarkun e Elbasanit në këto ditë të nxehta vere. Ai ka qenë një banor i fshatit Gradishtë në Belsh, i cili teksa i ka vënë flakën shkurreve në kopshtin e tij, e ka lënë ndezur dhe është larguar pa menduar se pranë ndodheshin sipërfaqe me ullinj e mund të përfshiheshin nga flakët. Zjarri ka avancuar dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve, ndërsa dëmi ka qenë mbi 15 rrënjë ullinj. Ndërsa zjarrfikësit kanë shuar flakët, agjentët e policisë kanë filluar hetimet. Pasi kanë marrë në pyetje banorë të zonës, është konfirmuar se zjarri ka ardhur nga pakujdesia e një shtetasi. Ismail Pepa, 67 vjeç me banim në Gradishtë të Belshit është proceduar penalisht për zjarrvënie. Seksioni kundër krimeve ndaj pronës ka filluar çështjen penale ndaj tij për shkatërrim të pronës me zjarr. Mësohet se zjarri ka shkatërruar mbi 15 rrënjë ullinj pronë e shtetasit Tomor Uruçi dhe një sipërfaqe me shkurre. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka evituar shkatërrimin e të gjitha parcelave të reja me ullinj të krijuara nga banorët e zonës. I thirrur në polici 67-vjeçari ka thënë se nuk ka pasur qëllim djegien e parcelave, por vetëm disa barishte e shkurre në pronën e tij. Ai ka qenë duke punuar një pjesë are dhe ka menduar t’i djegë shkurret, por nuk ka llogaritur erën, e cila ka ndihmuar shpërndarjen e flakëve. Kur burri ka menduar se nuk kishte më zjarr është larguar, por ka mjaftuar një shkëndijë që zjarri të rindizet dhe të shkrumbohet parcela me ullinj. Në fikjen e zjarrit kanë marrë pjesë jo vetëm zjarrfikësit, por edhe banorë të zonës. Pas një situate të qetë ditët e fundit të muajit gusht kanë shënuar katër vatra zjarri sidomos në ullishta e pemëtore në qarkun e Elbasanit. Vatra e parë është regjistruar në afërsi të fabrikës së Çimentos në një sipërfaqe me ullinj. Brenda një kohe rekord zjarrfikësit dhe banorët kanë shuar zjarrin duke regjistruar dëme minimale. Në të njëjtën ditë, një tjetër vatër zjarri është konstatuar në ullishtat e Shijonit. Zjarri ka dëmtuar rreth 10 rrënjë ullinj. Për të dy rastet kanë filluar hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe të autorëve, por ende nuk ka një emër autori.

Vatra e tretë e zjarrit

Ndërkohë vatra e tretë është regjistruar në afërsi të linjës hekurudhore në Peqin. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e menjëhershme. Zjarri ka dëmtuar edhe traversat e hekurudhës. Brenda disa orësh situata është vlerësuar nën kontroll. Edhe në këtë rast nuk ka një emër zjarrvënësi. Ekipet zjarrfikëse të Elbasanit janë vënë në gatishmëri të lartë për çdo rast. Sipas shefit të Policisë së Mbrojtjes kundër Zjarrit, Aleks Hodo, një prej mjeteve të tij bashkë me një grup zjarrfikësish i është bashkuar grupit të nisur drejt Greqisë për të luftuar zjarrin në rrethinat e Athinës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›