Miqtë e Lasgushit në Pogradec
Autori i Lajmit: Istref Haxhillari
Brezi im e konsideron profesorin e talentuar të letërsisë dhe disidentin e njohur Qani Çollaku një fenomen që kaloi heshturazi, pa bujë e zhurmë në jetën kulturore të qytetit të Pogradecit mbushur me emra zulmëmëdhenj si Gjergj Pekmezi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli e të tjerë. Vëllai i heroit të popullit Reshit Çollaku dhe dëshmorit Muharrem Çollaku, nuk u pajtua asnjëherë me konformizmin e kohës së shkuar dhe u burgos për mendimet dhe fjalën e lirë.
Ndonse Çollaku i madh nuk la as gjë të shkruar, nuk botoi në shtypin e kohës asnjë shkrim, mbetet në mënyrë të padiskutueshme, figurë e konsoliduar e kulturës qytetare pogradecare. Për të hedhur dritë sadopak mbi personalitetin e tij të veçantë, mendoj se mund të bëhet, në miniaturë, ky krahasim.
Faik Konica është i madh, jo aq për shkrimet e tij, që natyrisht kanë vlerën e tyre, po për faktin se ai solli në shqip, ashtu si i njohim ne sot, rilindasit e mëdhenj Naim Frashërin, Çajupin e të tjerë. Me të njëjtën mënyrë, Qaniu zbuloi përmes orëve të letërsisë universin poetik të Lasgush Poradecit, mrekullinë e rrëfenjave të Kutelit, hapësirën e pamatë ruse të Dostojevskit, Çehovit, Gogolit e sa e sa të tjerëve. Ky është, pa mëdyshje, një dimension i jashtëzakonshëm i tij.
Në antologjinë e letërsisë shqipe të gjimnazit të kohës kur jepte mësim Qani Çollaku, Lasgush Poradeci përfaqësohej me tri poezi të përmbledhura në dy faqe, ndërsa një poet pa asnjë vlerë me dhjetë faqe dhe zhvillohej në katër orë mesimi, kundrejt një ore që zhvillohej poezia e Poradecit. Por falë profesorit të letërsisë, ky raport shndërohej kryekëput.
Kështu e fillonte ai një orë mësimi të letërsisë.
“Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir
Po përhapet dalngadalë një pëlhurë si një hije…etj”
Duke recituar mbante ritmin e vargut, me sy të perënduar krijonte një atmosferë tejet qiellore ku nuk egzistonte asgjë përveç natyrës së mahnitshme të liqenit përrallor. Ne harroheshim, na vinte keq kur mbaronte dhe habiteshim si nuk e paskeshim parë këtë bukuri që e kishim aq pranë. Binte zilja dhe magjia mbaronte. Profesori kthehej në jetën reale si i trembur dhe na thoshte:
- Hapni librat dhe shikoni nga faqja kaq e deri aq. Aty kini mësimin e ditës.
Kur fillonim të studjonim hapnim së pari librin e letërsisë dhe pyesnim njëri - tjetrin mos ishin gabim faqet e tekstit, ku me habi lexonim emrin e një tjetër poeti dhe të tjera vargje:
“Ky kanal i Myzeqesë
Mespërmes Shqipërisë
Eshtë vepër e Partisë….”
Magjia ishte zhdukur, vargjet që lexonim skishin gjëkundi muzikë. Ishte e thjeshtë dhe e natyrshme të kuptoje cila ishte poezia e vërtetë që mbartte sharmin poetik, mundimin e krijimit dhe dallohej katërcipërisht nga vargjet e stisura.
Çollaku zbulonte universin poetik të Lasgushit përpara një brezi të etur për dije që thithte me
etje çdo varg magjik. Ne nuk e dinim që Poeti ishte gjallë. Në mendjen tonë identifikohej me qeniet mitologjike, të jashtëzakonshme që dinë të bëjnë magji dhe hipnotizojnë njerëzit.
Por sa i çuditshëm ishte për mua lajmi se Lasgushi ishte gjallë dhe kishte ardhur në Pogradec.
Ishte maj në qytetin e liqentë. Pranvera po vinte me zor të madh pas një dimri nga më të ashpërit që mbanin mend njerzit prej shumë vitesh. Ky dimër është fiksuar në mënyrë mjeshtërore nga fotografi artist i qytetit tonë, i mirënjohuri Niko Tona, me pamje fantastike të akujve që vishnin plepat anës gjolit dhe shtyllat e elektrikut disa metra lartësi. Në një ditë të tillë më nxori nga studimi profesor Qaniu. Sa me pa, u nis pa thënë asnjë fjalë, morëm rrugën anës gjolit. Në fytyrë i kishte rënë një nur si rrallëherë. Ashtu, me shtat të vogël, i pastër dhe i hekurosur, me fytyrë të mirë e të dhemshur që nuk i ndërronte kurrë, ecte me gëzim buruar nga e gjithë qenia. Rrugës përkrah tij vrisja mendjen ku do të shkonim dhe skuptoja asgjë.
Shumë shpejt zbulova enigmën e atij gëzimi gati fëminor. Në qytet kishte ardhur Lasgushi i cili atë vit qe vonuar më shumë se vitet e tjera. I çuditur që ishte gjallë poeti magjik, me të cilën ne kishim rënë në dashuri më shumë se me vajzat e shkollës, më dukej vetja si në ëndërr. Njëri pas tjetrit ngjitëm një palë shkallë gjysmë të rrënuara dhe hapëm derën, ku u duk një burrë disi i moshuar, i shkurtër, me jelek dhe pallto hedhur krahëve.
Takimi i atyre dy burrave ishte i çuditshëm, i pazakontë.
Qaniu filloi ti recitojë një poezi, vargjet e së cilës smë kujtohen, por më ka mbetur në mendje brenga e thellë e recituesit që poeti ishte vonuar shumë atë vit, ndaj i kishte zënë malli edhe gurët e qytetit, liqerin dhe atë prushin e stërkalave anës tij. Poeti iu përgjigj aty për aty me ca vargje të improvizuara ku thoshte se dimri i sivjetëm, armik i tij, i zuri udhën, nuk e kishte lënë të vinte si ngahera, por atë s mund ta pengonte asgjë për të takuar miqtë e tij të dashur. Vetëm pasi mbaruan këtë lloj riti u pushtuan me mall të madh dhe filluan një bisedë perëndish ku zihej në gojë Pushkini që e kishte lodhur shumë Poetin se qe i pabindur dhe nuk pranonte të hynte kollaj në vathën e tij por në fund ai ia kishte rregulluar qejfin.
Kisha mbetur i ngrirë nga kjo çudi njerëzore, nga ata dy burra të shkurtër me shtat, por gjigandë në fjalët që thoshin dhe mënyra si i thoshin. Në mendjen time ngjanin herë me Hajnen, Lermontovin, Gogolin dhe herë me gjysmëperëndi që sdi se si kishin zbritur nga qielli në tokën e qytetit buzë liqenit. Realiteti ishte zhdukur, bashkë me ata unë isha në tjetër botë, në tjetër vend. Nuk doja të mbaronte kurrë ajo çudi ëmbëlcake tepër e rrallë.
Konceptet filozofike dhe morale të Qani Çollakut ishin brilante, të bënin për vete me qartësinë dhe saktësinë e logjikës, depërtonin natyrshëm në qenien tonë, nuk i harroje dot kurrë.
Sipas Qaniut, Lasgushi ishte produkt i natyrës së veçantë të liqenit dhe rrethinave të tij, akumuluar ndoshta në njëqind e më shumë vjet para lindjes se Poetit. Treva e Pogradecit fillon në Qafë Thanë e mbaron në Qafë Plloçë, kufizohet nga Mali i Thatë dhe malet e Mokrës, ka pamjen e një govate me përmasa jo të mëdha. Mbi këtë vend të magjishëm ndehet jo vetëm një bukuri e veçantë, por edhe larmi e përthyerje të jashtëzakonshme. Ka ujin e liqenit, të kthjellët si askund tjetër, me pamjen që i ndërron çdo çast, fushën e Starovës, e begatë sa më ska, Malin e Thatë me katakombet dhe humnerat e pashembullta, qëmoti vend kaçakësh dhe hajdutësh. Prodhon gati të gjitha llojet e pemëve e perimeve. Janë të famshme gështenjat e Zërvaskës, po edhe mollët e qepët e Tushemishtit.
Ndonse fare afër, fshatrat ndryshojnë shumë nga njëri - tjetri. Ndryshon kryekëput karakteri i vërdovarit të sertë, me atë të linakut të butë, mëmëlishtarit që nuk para i hahet puna me tushemishtarin që shuhet në punë. Në një hapësirë fare të vogël, ka aq shumë larmi terreni e karakteresh, sa në asnjë vend tjetër të botës. Kjo bukuri e pashoqe këto përthyerje jo të zakonta, vit pas viti, në dhjetra e qindra vite, në mënyrë graduale përgatitën lindjen e Lasgushit, të cilit Zoti vetë i dha misionin të hidhte në kartë poezi që jetojnë me qindra e mijra vjet.
…Gjimnazi ynë kishte në atë kohë një trupë pedagogjike të kualifikuar dhe autoritare, me profesionistë të vertetë. Bashkënxënsit e mij kujtojnë doemos me respekt e nostalgji, krahas Qaniut edhe Petro Priftin nga qyteti ynë, Dhanil Stefani e Gjergji Merlika nga Korça, Theodhor Duni nga Tirana, Rruzhdi Cerloi nga Durrësi e sa e sa të tjerë. I përmend me respekt për dijet që na dhanë dhe metodat që përdornin, dashurinë me të cilën na rrethuan dhe miqësinë si të ishim shokët e tyre.
Nga këndvështrimi i kohës së sotme unë e kuptoj shumë mirë vështirësinë e mësuesve tanë kundrejt presionit ideologjik të kohës. Atyre u kërkohej që çdo lëndë mësimore të përshkohej nga filozofia dhe politika. Dhe ata, ustallarë për matematikë, kimi, fizikë, letërsi, detyroheshin të gjenin pikat e kontaktit të disiplinave shkencore me këtë filozofi. Mundim, sa i vështirë aq edhe i kotë e i pakuptimtë. Rezultante e tërë këtij mundimi ishte një konformizëm i neveritshëm, po i domosdoshëm për të mbijetuar, prandaj ata i përshtateshin dosido mendimit teorik të kohës. Këtë lloj konformizmi ishim të detyruar ta aplikonim të gjithë në vitet e mëvonshme kur punuam në arsim si mësues, në të shumtën e rasteve pa e kuptuar absurdin që ai mbartte me vete.
Por Qani Çollaku qe gatuar nga tjetër brumë, ishte tjetër natyrë. Revolta e tij ndaj filozofisë së kohës ishte krejt e natyrshme dhe e sinqertë, e argumentuar me një qartësi të admirushme. Arsyetimi buronte nga krejt qenia e tij, i pastër e i thjeshtë, pa asnjë paragjykim, si i një fëmije.
Në një mbledhje të këshillit pedagogjik të gjimnazit u mbajt një raport, thelbi i të cilit ishte që i gjithë proçesi mësimor të përshkohej nga filozofia dhe mendimi politik. Mësuesit duhet të ishin krijues për të dalë mbi tekstet që konsideroheshin të vjetëruar, për tiu përshtatur kësaj filozofie. Në këtë forum të shkollës merrnin pjesë, përveç mesuesve, përfaqësues nga nxënësit dhe komuniteti i prindërve.
Duke gjykuar nga pozitat e sotme, nuk ka asnjë dyshim se tekstet, ndonse përkthime të mirëfillta nga rusishtja, të aplikuar për qindra vjet në gjimnazet ruse, ishin shumë më të mira se ato që u revolucionarizuan më vonë, reformë pas reforme, madje edhe me ato që përdoren sot, kur mungon çensura. Krahasoj një libër të fizikës se asaj kohe me atë që përdorim sot dhe habitem si nuk e kuptojnë ata që e kanë në dorë këtë punë, ndryshimin absurd në kahjen negative të këtyre teksteve?
Diskutimet ishin në të njëjtën frymë, të njëtrajtshme dhe pa ngjyrë, argumente të sforcuara për të qënë në rregull me sfondin ideologjik. Qaniu qe ulur në bangën e fundit. Nga qëndrimi, lëvizjet, ai tiku nervor që e kishte të vazhdueshëm dhe i shtohej në raste nervozizmi, kuptohej qartazi revolta e brendshme që mezi e përmbante. Kur njëri nga mësuesit, që ai e vlerësonte për gjykimet rracionale dhe personalitetin, e mori fjalën dhe po tirte të thata në të njëjtën frekuencë që diktonte mbledhja, u ngrit me vrull, pa marë leje, i preu fjalën kolegut, krejt jashtë kulturës së tij.
- Kolegë të nderuar, unë mendoj se e kemi për detyrë tu mësojmë këtyre nxënësve më së pari matematikë, letërsi, kimi, fizikë dhe pasi të formojnë personalitetin e tyre, le të bëhen po të duan edhe komunistë.
Doli nga klasa me hap të nxituar, pa thënë më tej asnjë fjalë.
Mbledhja u prish. Fjalët e tij, rrufe në qiell të hapur, lanë pas habi, pështjellim, kundërshti po edhe miratim të heshtur nga shumica e profesorëve të shkollës.
Atëherë ne nuk kuptonim shumë, po më vonë koha tregoi se ato fjalë ishin prologu i kalvarit të vuajtjeve pa fund të atij njeriu që për ne ishte dhe mbetet model i thjeshtësisë, inteligjencës, erudicionit dhe personalitetit të jashtëzakonshëm.
Ky lajm është publikuar: 01/03/2010