E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajdexhinjtë dinë edhe të vrasin

Autori i Lajmit: Redaksia
Fenomeni “fajde” në Kosovë çdo ditë e më shumë po i shton rastet e vetëvrasjeve, plagosjeve, madje edhe falimentimin e shumë bizneseve. Një ndërmjetësues i fajdeve nga Prizreni është dashur të paguajë borxhet dhe si pasojë e kësaj ai është plagosur.
Masar Kukësi nga Prizreni, në vitet e paraluftës, thotë se ishte dorëzanë (garantues) për disa fajdexhinj, të cilët nuk kishin arritur ti kthenin borxhet e tyre në këtë rajon. Për këtë, ai është detyruar të paguajë paratë e veta. “Pas luftës, si kryetari i Shoqatës së Zejtarëve në Prizren, më kërkuan njerëzit ndihmë nga unë, për shkak se fajdexhinjtë i ngacmonin familjet e tyre. Me këtë rast ka pasur edhe dhunime. Unë si kryetar i shoqatës u detyrova ti ndihmoj zejtarët, pasi isha kryetar. Filluam një bashkëpunim me KFOR-in dhe arritën ti burgosnin disa prej tyre”, thotë ai. Kukësi shprehet se në vitin 2001 fajdexhinjtë e sulmuan djalin e tij dhe djalin e prokurorit, kurse ai vetë ishte betuar se do ti shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
Dëshmitarët frikësohen të deklarohen
Kukësi spikat se më pas e kanë sulmuar edhe atë, teksa ishte duke dalë nga një motel. “Vranë shehun Vullnet Lubotenin, por më plagosën edhe mua me tre plumba”, thotë ai. Masar Kukësi thotë se ende hetuesia nuk ka arritur të identifikojë se kush ishte dorasi. “Dokumentacioni ynë nuk është marrë as nga prokuroria dhe gjendet vetëm në KFOR, shpjegon Kukësi. Sipas tij, nga 47 dëshmitarët që dëshmuan në KFOR, 45 prej tyre, të frikësuar, kanë tërhequr deklaratat. Vetëm dy persona ngelën në deklaratat e mëparme. “Kur më kërkuan në gjyq për dëshmitar në vitin 2005, unë kam kërkuar nga gjyqtarët, para fajdexhinjve, arsyen pse i kanë tërhequr dëshmitarët, dhe pse nuk kërkohet ligjshmëri nga ata dëshmitarë. Problemi më i madh ishte se, derisa unë isha i lënduar, vetëm pas një muaji, ma patën burgosur birin tim”, thotë ai.
Kukësi thotë se i kanë bërë presion që të largohet, por ai thotë se do të qëndrojë duke “luftuar” kundër kriminelëve dhe fajdexhinjve.
Ai kërkon nga lidershipi politik i Kosovës, nga gjyqësia e Kosovës që të kenë vullnet e ti zbardhin rastet e krimeve që i bëjnë fajdexhinjtë. Kukësi aktualisht është pronar i butikut “Arjeta” në Prizren.
Disa të prangosur
Policia e rajonit të Prizrenit dukurinë e fajdeve e cilëson si një dukuri mjaft të rëndë.
Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, thotë për “Kosova Sot” se kohë më parë këto raste i kanë hetuar karabinierët. “Rezultatet nuk ishin shumë të prekshme, por menjëherë, që nga marrja e këtyre kompetencave nga PK-ja në periudhën 2008-2009, janë hetuar sistematikisht disa dhjetëra grupe dhe janë prangosur. Prizreni definitivisht është rajoni që më së shumti brenda kësaj periudhe ka arrestuar grupe fajdexhinjsh”, shprehet Krasniqi. Ai veçon rastin e fundit, ku pesë veta janë arrestuar nën këtë akuzë. Komandanti Krasniqi tha se janë në hulumtim edhe të grupeve të tjera. “Prizreni mbetet kampion në arrestimin dhe hetimin e këtyre rasteve”, përfundon ai.

Fajdexhinjtë marrin kredi nga bankat

Masar Kukësi, i vetmi që pranoi të fliste për dukurinë e fajdeve, thotë se në gjithë Kosovën ka shumë fajdexhinj. Ai akuzon rëndë gjyqësinë e Kosovës, por lavdëron punën e Policisë së Prizrenit, e sidomos të komandantit Krasniqi.
Ai thotë se G. K. (emër i njohur për redaksinë), i cili është kapur dhe është dënuar me drogë në Turqi, kishte filluar të merret me këtë punë vetëm për ti paguar borxhet e fajdeve. Ai ka përmendur edhe disa raste të tjera, të cilat kanë pësuar nga fajdeja dhe ka theksuar se janë 7 apo 8 raste, të cilët janë arrestuar në Turqi, duke dashur që të bëjnë para për ti kthyer borxhet. Ai thotë se fajdexhinjtë marrin para me kamatë në banka dhe u japin qytetarëve me kamata shumë të larta. Kukësi është i vetëdijshëm se të flitet për këtë temë në Kosovë është shumë e rrezikshme. Disa nga personat që kanë pësuar nga fajdexhinjtë nuk kanë guxuar të flasin për gazetë. Njëri nga ta tha se ka humbur shtëpinë, por nuk dëshiron ta humbë edhe kokën.
Rastet në polici
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se bazuar në raportet që i posedon Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, fenomeni i fajdeve ekziston.
Sipas tij, gjatë vitit 2008 janë hetuar 20 raste, ku janë arrestuar 27 persona të dyshimtë, ndërsa është ushtruar kallëzim penal ndaj 27 veta. “Gjatë vitit 2009, janë raportuar 15 raste, janë arrestuar 5 persona, ndërsa është ushtruar kallëzim penal ndaj 30 personave”, thotë ai. Sa i përket periudhës janar-shkurt 2010, Kelani thotë se është raportuar një rast, kurse janë arrestuar 5 persona ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal.

.

Ky lajm është publikuar: 01/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›