Topalli: Rastet kur Topi la në baltë PD, do të krijojë partinë e Tradhtisë
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli e ka cilësuar presidentin Topi si më pak politikan se Ngjela dhe më jodinjitoz se Moisiu. “Berisha e bëri Topin President, unë kam shtuar ndonjë votë nga opozita. Nuk do të kandidoj për Presidente në 2013”
Intervistoi: Blendi Fevziu
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli e ka quajtur “Partia e Tradhtisë”, forcën e re politike që pritet të krijojë presidenti Topi. E ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Topalli ka kujtuar rastet kur Topi ka lënë në baltë PD-në, e megjithatë ka shtuar se dëshirat e tij janë respektuar gjithnjë nga zoti Berisha. Kryetarja e Kuvendit ka vlerësuar politikanin Spartak Ngjela si “goxha lart” në raport me Topin, ndërsa Alfred Moisiun, si më dinjitoz se Topi në presidencën e tij. Në këtë intervistë, Topalli ka pohuar se nuk do të jetë kandidate për Presidente në 2013-ën.
Zonja Topalli, duket se raportet tuaja me zotin Topi vazhdojnë të jenë të tensionuara. Ju thatë që presidenti ka shpallur një projekt për krijimin e një force politike. Presidenti nuk e ka shpallur vetë, por kanë qenë mbështetës të tij.
Zotin Topi, unë e njoh nga viti ’96, kur ai është zgjedhur për herë të parë deputet dhe unë për herë të parë deputete. Në atë periudhë, presidenti Berisha e bëri Topin ministër. Unë kam qenë kryetarja e Komisionit të Ligjeve. Për shkak se zoti Topi ishte në qeveri e unë në parlament, s’kemi pas ndonjë raport të afërt. Të cilat kanë qenë momentet, që unë kam vlerësimin dhe mendimin tim në raport me situatën, në raport me situatën që zoti Topi ka pasur në Parti.
Ka qenë përfaqësues i së djathtës në PD dhe është shprehur se është krenar për këtë…
Një i djathtë që voton kryetarin e së majtës, vetëm në Shqipëri mund ta dëgjoj se nuk ekziston...
Mbas gjithë këtij presioni që iu bë zonja Topalli mbas ngjarjeve të janarit..
Nëse ju më lejoni, po vazhdoj. Çfarë kujtoj nga zoti Topi, është se ai ka qenë drejtor i Institutit të Kërkimeve Veterinare gjatë kohës së opozitës. Ndërkohë që kolegët e mi vriteshin, ishin edhe kolegët e zotit Topi. Kujtoj që viti 1998, një vit e shumë i vështirë për Partinë Demokratike, në PD do të bëhej konferenca e Tiranës. E gjithë media shkroi se zoti Topi do të bëhej kryetar i degës së Tiranës, se në fakt ishte propozuar. Dy orë para fillimit të konferencës, zoti Topi tha se unë nuk kandidoj, duke dëmtuar PD. Ky është hapi i parë, njohja e parë, impakti i parë, natyrisht, zhgënjimi i parë që unë kam pasur në atë periudhë. Kujtoj pastaj, para se të vinte fushata elektorale për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, zoti Topi kandidoi. Në atë kohë u bë një konventë e PD-së, e për shkak se PD ishte mërzitur se Topi kishte bërë pak orë më para nuk e votoi. Pas tri-katër viteve, zoti Topi ishte ndër ata që e kërkonte, e dëshironte dhe Berisha ia kishte premtuar që ok, do të jesh kandidati ynë për Bashkinë. Mbaj mend në atë kohë, kam qenë bashkë me kolegë të tjerë në zyrën e Berishës, kur zoti Topi, duhet të ishte ora 7, 8, 9 e mbrëmjes dhe në orën 12 duhej të dorëzonim kandidaturat, zoti Topi erdhi dhe tha që unë nuk do të kandidoj, duke na lënë në një moment jashtëzakonisht të vështirë dhe nuk kishim kohë të gjenim kandidat tjetër se çdo gjë ishte investuar tek zoti Topi.
Duhet të ketë bërë analizën e tij. Ai s’mund të kandidonte me zor, zonja Topalli??
Atë po them, kur ka qenë zgjedhja dhe interesi i tij. Një nënkryetar partie nuk mund ta lërë partinë e tij në atë baltë ashtu 4 orë përpara, të paktën 40 orë, të paktën 4 ditë, por jo 4 orë. Në atë kohë, nuk ia harroj zotit Ngjela. Ai tha politikani është politikan, hedh unë kandidaturën dhe nuk e lë PD pa kandidat. Në atë moment, zoti Ngjela ishte goxha lart në raport me kolegun tim. Natyrisht, të gjitha këtyre nuk është se unë u bëra analizën time. Ajo që shihja, ishte që zoti Berisha nga një ngjarje në ngjarjen tjetër vazhdonte ta respektonte njëlloj zotin Topin.
Për ç’arsye?
Arsyen nuk e di. Zoti Berisha e ka respektuar në mënyrë krejt të veçantë, për mua, pa e merituar. Kur vinin zgjedhjet politike, zoti Topi kërkonte të ndryshonte zonën elektorale. Unë kam shumë mandate, që jam zgjedhur, nuk kam kërkuar kurrë të ndryshoj zonën elektorale. Zoti Berisha ia ka respektuar gjithmonë dëshirën.
Ama, kudo që ka shkuar, ka fituar me rezultat të thellë zonja Topalli..
Në fakt s’është krejt ashtu. Zoti Berisha, për arsye që unë s’i di, ia plotësonte çdo kërkesë dhe dëshirë zotit Topi. Në zgjedhjet e 2001, zoti Topi e ka marrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, zgjedhjet e 2001 kanë qenë zgjedhjet më larg standardeve.
Zonja Topalli, thatë që ka refuzuar të bëhej kryetar i Tiranës..
Ka dëmtuar rëndë partinë.
Si shpjegohet që ky person ka dëmtuar dy herë Partinë Demokratike, vijon të mbetet kryetar grupi në 2005 dhe zgjidhet unanimisht nga PD president republike në 2007, përfshirë votën tuaj, të Berishës dhe 6 vota të marra nga forca tjetër politike, që ishte një investim tejet i madh, ndoshta jashtë mundësive të PD-së për ta bërë President. O s’ka një problem në PD, o këto gjëra s’qëndrojnë?
Analiza juaj qëndron. Pyetjen pse mund t’ia bëni zotit Berisha, pse ky njeri ka qenë aq i respektuar edhe jashtë meritave të tij, larg kontributeve të tij.
Ju keni qenë dakord që Topi të bëhej president?
Nuk kam qenë kundër. Unë kam pasur mendimin tim për integritetin e Topit, por jo vetëm që s’isha kundër, por kam punuar me të gjitha forcat. Natyrisht ka qenë zoti Berisha që e ka bërë President, ka qenë Berisha që ka bërë çdo përpjekje të paimagjinueshme për ta bërë president. Unë ndoshta kam shtuar ndonjë votë, që nuk ishte brenda grupit të mazhorancës.
Si e keni shtuar?
Kam kërkuar votën e deputetëve që s’ishin në mazhorancë.
Janë blerë votat në këtë rast?
Jo, jo, kur kam votuar, unë kam mbajt fjalën dhe deputetët kanë votuar përsëri se unë i kam qëndruar fjalës. Sepse unë doja, por më shumë se unë, besoj zoti Berisha donte. Ishte koha kur nëse s’do zgjidhej presidenti, për shkak të Kushtetutës që krijonte kriza, vendi do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nëse do të kishte zgjedhje, vendi rrezikonte anëtarësimin në NATO.
Zonja Topalli, a e keni bërë ju analizën që të gjithë krerët e institucioneve të rëndësishme të propozuar nga PD hyjnë shpejt në krizë me të. Çfarë ka ndodhur në rastin e propozimit të Moisiut, që u kthye në kundërshtar, në propozimin e Theodhori Sollakut, të Bamir Topit, të Ina Ramës. Si shpjegohet që emrat që propozon vetë PD, hyjnë në konflikte të forta me të?
Zonja Ina Rama është propozim i zotit Topi, jo yni. Ne nisemi nga mirëbesimi. Zoti Moisiu ka qenë një zgjedhje kompromisi dhe megjithatë ka qenë më dinjitoz në presidencën e tij. Pyetja që bëni, ju keni të drejtë. Është një pyetje që unë ia bëj vetes: ç’është gjithë kjo urrejtje e zotit Topi kundër kryeministrit që investoi çdo gjë për ta bërë President, kundër një mazhorance që vetëm i ka dhënë. Unë mendoj që zoti Topi ka një problem me veten e vet, sepse maxhoranca nuk ka problem me zotin Topi. Zoti Topi ka pas probleme me parlamentin e Shqipërisë, me Kushtetutën, gjatë këtyre viteve nuk ka pranuar asnjëherë të komunikojë me Parlamentin.
Kur janë thyer raportet e mazhorancës me presidentin Topi?
Unë nuk e kam kuptuar, sepse nuk dija shkak. Di që kur do bëhej reforma për gjyqësorin, duhet të ketë shkuar zoti Beja për t’u konsultuar me zotin Topi. Që nga ai moment, s’ka pasur më komunikim.
Sot e keni votuar me një votë dekretin e Presidentit, që edhe kur e mendon nuk është etike... vetëm një votë?
Ai duhet të pyesë veten se pse ka marrë një votë. Si mund të zhbëjë njeriu veten për të përfunduar me një votë në Kuvend. A duhet ta pyesë veten se çfarë ka sjellë Topi me dekretet që ju thoni. Në shumicën e rasteve, dekretet që Topi ka sjellë, pa pranuar kurrë për t’u konsultuar me Kuvendin, ishin dekrete që sillnin konflikt në Kuvend. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, godina një do të ishte shtëpia e të gjithë shqiptarëve, në godinën një të Presidentit të Republikës, përveç rastit kur erdhi Presidenti i Asamblesë së Këshillit të Europës, që i shkuan në zyrë dhe i thanë mblidh këtu opozitën dhe mazhorancën, kurrë gjatë këtyre viteve, Presidenti nuk ka ftuar për t’u konsultuar nga mazhoranca. Me opozitën, mua më rezulton se ka pasur konsultime të shpeshta, frekuente dhe të mirëkuptuara.
A ka qenë Topi një ndër njerëzit më të votuar në PD?
Po, ka qenë... Ai ka pasur mbështetje sepse në strukturat e partisë ndodh ndonjëherë që ai që nuk merr vendime dhe nuk prishet me asnjë njeri...por politikani është për të marrë vendime dhe jo për ta mbajtur edhe këtej, edhe andej.
Pse nuk ishit në ceremoninë e dhënies së urdhrit “Nder i Kombit” për Pjetër Arbnorin?
Sepse unë besoj se po të ishte gjallë, z.Arbnori nuk do të kishte shkuar në atë zyrë për t’u përdorur politikisht, sepse mendoi vetëm për veten e vet dhe jo për z.Arbnori, pasi me z.Arbnori ai ka bërë një luftë të jashtëzakonshme, se në fakt kur diskutohej për zgjedhjet për president (në zgjedhjet e 2002-it), Arbnori ka qenë një ndër kandidatët dhe unë i kujtoj mirë në atë kohë raportet midis tyre. Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që mua më vjen keq është fakti që ka marrë një shportë me dekorata dhe e ka katandisur veten nga një komunë në një komunë tjetër për të nxjerrë ashtu si nga ligji për mbetjet ndonjë votë, apo tek shporta e dekoratave...Në Shqipëri ka një numër shumë të madh partish. Në Shqipëri janë 160 parti... këto parti ose janë krijuar si parti të reja, ose janë krijuar nga disa parti mëma, nga të cilat ka pasur mosmarrëveshje. Në projektin e ri politik për krijimin e një partie të re, unë nuk e di, por besoj se do të jetë partia e parë e bazuar mbi tradhtinë.
ǒdomethënë kjo?
Sepse është e bazuar mbi tradhtinë...
Do ta pranoni në PD z.Topi?
Z.Topi nuk ka vend në Partinë Demokratike.
Ku e shini Topin?
E shoh tek z.Rama... nuk ka ndodhur ndonjëherë që Presidenti të shkatërrojë Presidencën si këtë radhë, dhe unë e them me dhimbje dhe me keqardhje sepse PD-ja (për të) ka bërë një investim të jashtëzakonshëm
A mendoni se partia e Topit mund t’ju nxjerrë në opozitë, si me rastin e LSI-së?
Asnjëherë, sepse nuk ka lidhje, bëje diferencën: parti që lindin nga tradhtia dhe parti që lindin nga mosmarrëveshjet brenda partisë...Unë e them me dhimbje por edhe me keqardhje kur kam parë Topin si votues të Ramës. Nuk ishte aspak e papritur sepse unë e kam parë atë në 2009-ën në bashkëpunim të ngushtë me Ramën, që të humbte Berisha dhe partia e tij. Unë kam një bindje se z.Rama nuk do të kishte bërë kurrë 21 Janarin sikur të mos kishte garancinë e Topit.
Thuhet se e sulmoni ngaqë doni postin e Presidentit?
Unë gjatë 15 viteve që njoh Topin, kurrë ndonjëherë nuk kam pasur konflikt personal. Topi e ka pasur gjithmonë konfliktin me Kushtetutën dhe Kuvendin, por thellësisht në shpirt besoj se ai ka një konflikt me veten e vet...
A është në objektivat tuaja posti i Presidentes?
Aspak. Jam kryetare e Kuvendit.
Ju nuk do të kandidoni për këtë post?
Unë nuk kam nevojë... do të jem kryetare e Kuvendit deri në 2013
A do të kërkoni që Presidenti të propozohet nga PD-ja?
Mendoj se është më mirë të jetë politikan.
A e shihni Nanon President?
Nuk e shoh.
A do ta mbështesë kjo mazhorancë Ardian Fullanin për postin e Guvernatorit të BSH-së?
Nuk e di a do mbështet nga maxhoranca për guvernator të BSH-së. Ne e kemi votuar për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës dhe nuk e di më tej.
Po Sali Shehun pse e rrëzuat?
Shteti nuk është i shokëve dhe miqve apo të katundit, Shehu nuk bën për KLSH, mund të bëjë për drejtor të policisë, po jo për kryetar të KLSH-së.
Kishte Certifikatë për kontrollin e armëve, por jo për KLSH.
Duhet të kesh pasur jetë akademike, zoti Shehu nuk bën atë punë.
Mund të jetë dekretues i mirë i zotit Topi, por jo për KLSH.
Me KLSH-në nuk mund të tallesh me miq, shokë e mbështetësish të partisë.
Kjo mazhorancë nuk e ka më mazhorancën në Kuvend?
U rrëzua me 75 vota kundër dhe Topi mori një votë, është për rekord Giness.
Në 2009-ën do doja ta kishim gjithë qeverinë me LSI, po sovrani votoi në atë mënyrë që të qeverisnim në atë mënyrë, bashkë me LSI-në.
A do ta pranoni propozimin e zotit Ben Blushi për vendosjen e borxhit në Kushtetutë?
Kjo është një temë e diskutueshme.
Vërtet mendoni se ka dallime mes gegëve dhe toskëve?
Nuk e mendoj se ka.
Nuk do të kandidoni për postin nëse jua kërkojnë?
S’ është halli i shqiptarëve se çfarë do të ndodhë pas një viti.