E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen 7 kapitujt e parë të Pyetësorit të KE. Berisha: Plotësimi, kusht kryesor për marrjen e statusit kandidat

“Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu informon rreth kapitujve të përfunduar të Pyetësorit prej 2284 pyetjesh”

UPDATE- Plotësimi i Pyetësorit të Bashkimit Evropian ka qenë axhenda e mbledhjes së Komitetit Ndërministor të Integrimit. Kryeministri Berisha u shpreh para anëtarëve të kabinetit qeveritar se përgatitja e dokumentit të Pyetësorit është tepër i rëndësishëm për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Plotësimi i këtij dokumenti është një fazë me rëndësi që duhet plotësuar në kuadrin e procesit të integrimit me të drejta të plota të vendit tonë në strukturat e Bashkimit Evropian. Përgatitja e pyetësorit është provim për të gjitha ministritë dhe për qeverinë shqiptare”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë, Berisha tha ndër të tjera se Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme në përkthmin e përgjigjeve të pyetësorit të Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave, qeveria duhet t’u përgjigjet 2284 pyetjeve të Brukselit, në mënyrë që më vonë të vlerësohet nëse Shqipëria është gati ose jo, të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Pjesa dërrmuese e pyetjeve të Pyetësorit ka marrë tashmë formën zyrtare të përfundimit ndërsa po punohet për pjesën e mbetur.
Gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit Ndërministror janë miratuar 7 kapitujt e parë të pyetësorit të Komisionit Europian.
Komiteti Ndërministror i Integrimit ka kaluar një për një të gjitha përgjegjet e dhëna nga administrata shqiptare përpara se të përkthehen dhe t’i dërgohen Brukselit.
Berisha e konsideroi këtë një proces të rëndësishëm ndaj ftoi adminstratën të jetë e kujdeshme edhe me detajet si me përkthimin ashtu dhe me gjuhën e përdorur.
Një fakt të tillë e konfirmoi edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, gjatë informacioneve që ajo dha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin.
Bregu deklaroi se për kapitullin e punësimit janë zhvilluar shumë takime, ndërsa institucionet që kanë kontribuar janë Instituti i Sigurimeve shoqërore, Ministria e Punës etj.
“Eshtë prokuruar ndër të tjera edhe kapitulli i Prokurimit Publik, për të cilin kanë kontribuar dy institucione, ai i Agjencisë së Prokurimit Publik dhe ministrisë së Ekonomisë”, tha Bregu.
Ajo theksoi se është përfunduar edhe kapitulli i bujqësisë. Sipas saj, po vazhdon puna e institucioneve për plotësimin sa më korrekt të Pyetësorit dhe se e gjithë administrata shtetërore është e impenjuar në përfundimin sa më parë dhe në mënyrë të kompletuar të këtij procesi.
Për realizimin e pyetësorit të KE, deri tani janë angazhuar 1200 punonjës të administratës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›