E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen kuotat per Masterin Profesional dhe Shkencor

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë, "Master Profesional", me kohë të plotë. Kështu, për vitin akademik 2012-2013 do të pranohen në total 9658 studentë. Ndër to janë parashikuar edhe kuota për kategori të veçanta si: shtetas të huaj, të verbër, apo persona që i përkasin komunitetit rom dhe atij egjiptian. Për pranimet në programet e studimit "Master Profesional" janë miratuar në total 9368 kuota, ndërsa sot "Gazeta Shqiptare" publikon shpërndarjen e plotë të tyre sipas universiteteve dhe degëve përkatëse. 100 kuota janë parashikuar për transferimin e studimeve dhe po 100 për programe të dyta studimi. Për shtetasit e huaj janë lënë 50 vende të reja, ndërsa për kategoritë e të verbërve dhe për personat e komunitetit rom dhe egjiptian nga 20 kuota. Ndërkohë që, 9368 kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit "Master Profesional", me kohë të plotë, përbëhen nga: Kuotat e pranimeve të reja për kandidatë brenda territorit të vendit me 8968 studentë dhe nga kuotat për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit me 400 pranime të reja. Kuotat e pranimeve për këta të fundit ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit: Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Sipas rregullores ata aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të dytë, "Master Profesional", me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 20122013, dhe që u përkasin shtresave sociale të personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës si dhe fëmijët e të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit.

Masteri Shkencor
Për vitin akademik 2012 - 2013 në institucionet publike të arsimit të lartë, do të pranohen 8276 studentë të rinj në programet e studimeve të ciklit të dytë "Master i Shkencave" dhe "Master i Arteve të Bukura". Këshilli i Ministrave ka miratuar djeabelën e plotë me shpërndarjen e tyre sipas kategorive, degëve dhe univer-
siteteve, ndërsa gazeta publikon sot tabelën e plotë. Në bazë të kësaj tabele, 7986 janë kuota pranimi për programet e studimit "Master i Shkencave" dhe "Master i Arteve të Bukura". Ndërkohë që pjesa tjetër e tyre ndahet si më poshtë: 100 janë kuotat për programe të dyta studimi, 100 kuota për transferimin e studimeve, 50 kuota për shtetas të huaj, 20 për personat që nuk shikojnë dhe 20 për romët dhe ballkano- egjiptianët. Ndërkohë që përsa i përket ndarjes territoriale nga 7986 kuotat e përgjithshme, 7586 janë për programet e studimit "Master i Shkencave" dhe "Master i Arteve të Bukura", për aplikantët brenda territorit të vendit, ndërsa 400 për aplikantët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, këto të fundit ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, pasqyrohen në tabelën nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi. Kandidatët nga Republika e Kosovës, e Maqedonisë, e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rishpërndarja e kuotave të parealizuara, bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kuotat e pranimeve për personat që nuk shikojnë ndahen për kandidatët me statusin e personave që nuk shikojnë nga MASH-i, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve. Po kështu edhe për kuotat e romëve dhe ballkano-egjiptianëve, përkatësisht, Shoqatës Kombëtare të Romëve dhe Shoqatës Kombëtare të Ballkano-Egjiptianëve. Kandidatët që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë, "Master i Shkencave" dhe "Master i Arteve të Bukura", në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2012-2013, dhe që u përkasin shtresave sociale të personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës, si dhe fëmijë të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›