OKB kërkon më shumë ndihma për Sirinë

Zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm, Jan Eliason, ka thënë se gjatë muajit korrik ndihmat u janë shpërndarë 820 mijë personave, krahasuar me 250 mijë në muajin prill.
Ai po ashtu ka thënë se propozimet për të krijuar zona të sigurta në Siri do të shqyrtohen me kujdes.
Eliason i ka bërë këto komente gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili është fokusuar në krizën humanitare në Siri.
Analistët thonë se mungesa e diplomatëve të lartë nga SHBA-ja, Rusia dhe Kina ka vënë në pah bllokadën e këtij organi për mënyrën se si t’i jepet fund konfliktit.
Edhe Fqinjët e Sirisë, duke kërkuar të ndihmojnë më shumë se 200 mijë refugjatë të luftës, i kanë kërkuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndihmë urgjente për përballimin e krizës humanitare në rritje.
Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, tha përballë Këshillit 15 anëtarësh se qeveria e tij tashmë ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë për të ndërtuar 11 kampe refugjatësh.
Ai tha se vendi i tij, që tashmë strehon 80 mijë sirianë të larguar, nuk mund të presë më shumë se 20 mijë refugjatë të tjerë dhe se Ankara do të ketë nevojë për ndihmë së shpejti.