E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinemasë ABC i rikthehen shikuesit

Formati më i ri i filmave 3D ka rezultuar i suksesshëm për Kinemanë ABC pasi që ka rikthyer shikuesit dhe kjo ka bërë që kinemaja të rikthejë në formatin 3D komedinë e animuar “Koha e Akullit 4 – Lëvizja e Kontinentit“.

Miradije Vllahiu, menaxhere e kësaj kinemaje, tha për Kosovapress se formati 3D ka përmbushur pritjet e tyre, duke përmbushur kështu edhe qëllimin që kinemaja të vazhdojë të jetë një prej pjesëve më të rëndësishme të jetës së çdo qytetari, njëkohësisht të zvogëlojë pak konkurrencën jolojale në treg.

“I ka përmbushur pritjet tona. Ne kemi prit që do të ketë rikthim të shikueshmërisë, deri më tani jemi të kënaqur me numrin e shikueshmërisë sepse vetëm për dhjetë ditë ka pasur rreth katër mijë shikues çka do të thotë se ka qenë një mesatare brenda ditës rreth 400 shikues”, tha Vllahiu.

Ajo, po ashtu, bëri të ditur se prej të enjtes kanë filluar me premierën e filmit “Koha e Akullit 4 – Lëvizja e Kontinentit“ në formatin 3D, e cila do të shfaqet çdo ditë në orën 11:00 dhe në orën 13:00.

Vllahiu po ashtu njoftoi se Spiderman në 3D do të vazhdojë të shfaqet në orën 17:00 dhe në orën 20:00, ndërsa në orën 22:30 do të shfaqet filmi “Total Recall” , kurse shumë shpejt do të jetë filmi “The Watch”, i cili është një komedi por edhe premiera e filmit “Resident Evil”, ndërkaq çmimi për filmat 3D do të jetë 5 euro e për filmat digjital 3 euro.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›