Miratohen ndryshimet në ligjin e pronave dhe atë për Arsimin e Lartë,shtyhen kodet me 84 vota
Aristir Lumezi
Parlamenti miratoi dje me 71 votat e shumicës, 5 nga projektligjet që ishin paraqitur dje për miratim.Opozita qëndroi në sallën e Kuvendit, por nuk mori pjesë në votim, duke mos lëvizur nga vendimi i saj për të mos votuar asnjë ligj deri në zgjidhjen e çështjes së transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë gjithë seancës maratonë të Kuvendit të Shqipërisë, e cila zgjati 13 orë, socialistët argumentuan qëndrimin e tyre kundër projekteve të sjella për miratim nga maxhoranca. Por maxhoranca, e konsoliduar në votat e saj, dhe pse mungonte në sallë Kryeministri Berisha dhe zv.kryeministri Meta, mundi të miratojë të gjitha marrëveshjet dhe projektligjet që kërkonin shumicë të thjeshtë. Nga 17 projektligje dhe kode, dje Kuvendi miratoi 5 prej tyre, ndërkohë që kodet dhe ligji i SHISH u shtynë për seancat e mëvonshme. Ligji për Arsimin e Lartë dhe ai për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili vinte i përmirësuar pas rrëzimit të disa neneve nga Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti, ndezën debatin parlamentar mes opozitës dhe maxhorancës. Vetëm në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, maxhoranca mori një votë abstenuese, atë të republikanit Fatmir Mediu ndërsa votat ishin të plota, 71 për të gjithë ligjet e tjera të miratuara mbrëmë. Në ligjin për Arsimin e Lartë, deputetja socialiste Ledi Shamku, e cilësoi atë antiligj, ndërsa tha se ai është hartuar nga një njeri i vetëm dhe nuk është diskutuar me grupet e interesit. "Ky projekt tinzar u hartua larg tryezave të universiteteve publike, ndërsa fakulteteve u hiqet e drejta e anglishtes dhe u kalohet privatëve", u shpreh Shamku. Ndërsa kryetarja socialiste e komisionit parlamentar të medias, Valentina Leskaj tha se "problemi themelor i këtij ligji është fakti se Qeveria vazhdon të marrë më shumë fuqi në kurriz të autonomisë universitare, madje me këto ndryshime po thellon atë që bëri në vitin 2007. Institucioneve të Arsimit të Lartë u hiqet e drejta që kanë pasur për të përcaktuar kritere për përzgjedhjen e kandidatëve për në universitet, duke u lënë mundësinë vetëm për të propozuar. Pra kalohet nga e drejta e përcaktimit te propozimi kritereve. Dhe ky është qartazi hap mbrapa në autonominë e universiteteve, të cilave u hiqet një e drejtë e fituar me ligj", u shpreh Leskaj. Ndërsa ministri Tafaj hodhi poshtë akuzat e opozitës, duke thënë se në hartimin e këtij ligji është pyetur e konsultuar çdo universitar dhe student. Opozita gjithashtu atakoi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, duke e cilësuar atë në kundërshtim sërish me Kushtetutën, ashtu siç kishte bërë muaj më parë Gjykata Kushtetuese. "Ligji i jep kompetencë drejtuesve të AKKP që të kthejë vendimet e marra nga gjykatat në kundërshtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fakti që dy ish drejtorë të kësaj agjencie janë në ndjekje penale për korrupsion, kërkon që kompetencat e tyre duhet të vihen mbi baza kushtetuese", u shpreh deputeti socialist Sajmir Tahiri. Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani i hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se ligji nuk kufizon askënd që për çdo pretendim t'i drejtohet gjykatave. Seanca e ardhshme është ditën e hënë, e cila do të jetë seanca e fundit e këtij sesioni, ku pritet të sillet për diskutim edhe ligji për SHISH, siç u kërkua dhe nga opozita.
Ligjet e miratuara dje në Kuvend
1. Projektligj "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar".
2. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000, 'Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit', të ndryshuar".
3. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 'Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë', të ndryshuar".
4. Projektligj "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 'Për kthimin dhe kompensimin e pronës', të ndryshuar".
5. Miratimi i aktit normativ nr. 3, datë 8.7.2010 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 'Për prokurimin publik', të ndryshuar".
Pasaportat e reja, debat PD- PS
Partia Socialiste është përplasur dje në Kuvend me PD-në edhe për sa i përket pasaportave biometrike. Gjatë diskutimit të disa ndryshimeve "për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit", përfaqësuesit e opozitës janë shprehur se qytetarët detyrohen të japin dy herë shenjat e gishtit, për kartën dhe pasaportën. "Përse duhet të merren dy herë shenjat e gishtave, një herë kur aplikon për kartë dhe njëherë për pasaportë. Ndërkohë që ato duhet të ruhen. Kjo tregon që nuk ka garanci në ruajtjen e të dhënave personale". Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha tha se nëse qytetari aplikon në të njëjtën ditë për të dyja dokumentet, shenjat e gishtit lihen vetëm një herë, ndërsa nëse aplikon në kohë të ndryshme, do të jetë i detyruar t'i lërë dy herë. Sipas tij, kjo shton sigurinë në pajisjen e qytetarëve me dokumentin e ri.
Kuvendi voton emrat e KKRT dhe të Institutit të krimeve të Komunizmit
Kuvendi voton vetëm me votat e maxhorancës anëtarët e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Gjatë seancës së djeshme maratonë, që filloi në orën 10:00 të mëngjesit dhe përfundoi në orën 23:00, u votuan shtatë anëtarët e këtij Instituti, tre prej të cilëve vijnë nga Instituti i të Përndjekurve Politikë. Deputetët e PD-së, ndër 9 kandidaturat e kësaj shoqate kanë zgjedhur Uran Butkën, Pjetër Pepën dhe Gëzim Peshkëpinë. Nga konferenca e rektorëve janë zgjedhur Romeo Gurakuqi dhe Alfred Lako, ndërsa nga shoqata antikomuniste e 2 prillit u zgjodh Sabri Bushati. Në të njëjtën kohë, nga shoqata antikomuniste e të përndjekurve u zgjodh gazetari Nebil çika, ndërsa anëtari i shtatë nga Akademia e Shkencave do të jetë Kolec Topalli. Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit do të hedhë dritë mbi krimet dhe viktimat e periudhës së diktaturës komuniste. Instituti do të ketë arkivin dhe nëndrejtori i tij përgjigjet drejtpërdrejtë për arkivin. Nëndrejtori, sipas vendimit, ka të drejtë të fotokopjojë dhe të ruajë materiale që rezultojnë nga veprimtaria e zhvilluar gjatë periudhës 29 nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990. Në seancën e mbrëmshme parlamentare u votuan edhe emrat e Zylyftar Bregut, Sami Nezës dhe Suela Mustës, në postin e anëtarit të KKRT-së.
emrat e zgjedhur
Konferenca e Rektorëve
Romeo Gurakuqi
Alfred Lako
Shoqata Antikomuniste 2 prilli
Sabri Bushati
Shoqata Antikomuniste e ish të Përndjekurve
Nebil çika
Akademia e Shkencave
Kolec Topalli
Instituti i të Përndjekurve
Uran Butka
Pjetër Pepa
Gëzim Peshkëpia
Anëtarët
e KKRT-së
Zylyftar Bregu
Sami Neza
Suela Musta