E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen procedurat e reja për vendosjen e fëmijëve në kujdes alternativ në familje

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rregullat dhe procedurat e reja për kujdesin alternativ në familje, duke përcaktuar mënyrën e përzgjedhjes së familjeve kujdestare, vlerësimin e fëmijëve, vendimmarrjen për vendosjen e tyre dhe përfundimin e shërbimit.

Ky vendim synon të garantojë një proces të standardizuar, transparent, të koordinuar e të bazuar në interesin më të lartë të fëmijës për ofrimin e kujdesit alternativ në familje, duke promovuar rritjen e fëmijës në mjedis familjar të shëndetshëm dhe mbështetjen e riintegrimit familjar, kur kjo është në interesin më të lartë të fëmijës.

Vendimi përcakton dy forma kryesore të kujdesit alternativ: kujdesin alternativ profesional, të ofruar nga familje kujdestare të trajnuara, të vlerësuara dhe të miratuara; kujdesin alternativ vullnetar, që mund të ofrohet nga të afërmit e fëmijës, persona nga rrethi i ngushtë i familjes ose familje pa lidhje familjare që shprehin vullnetin për të ofruar kujdes.

Familjet që duan të ofrojnë kujdes alternativ duhet të plotësojnë një sërë kriteresh ligjore, shëndetësore, ekonomike dhe sociale.

Ndër kriteret janë aftësia e plotë për të vepruar, gjendja e përshtatshme shëndetësore, kushtet e banimit, të ardhurat e qëndrueshme, stabiliteti familjar dhe aftësitë për kujdesin dhe edukimin e fëmijës.

Gjithashtu, familjet nuk duhet të jenë në proces hetimi apo ndjekjeje penale dhe nuk duhet të kenë anëtarë të dënuar për vepra të caktuara penale, veçanërisht ato që lidhen me dhunën, abuzimin, shfrytëzimin apo cenimin e sigurisë së fëmijëve.

Aplikimi për t’u bërë familje kujdestare do të bëhet përmes portalit “e-Albania”. Vlerësimi mund të zgjasë deri në 45 ditë pune

Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki do të kryejë verifikimin paraprak të dokumentacionit brenda 7 ditëve pune.

Pas kësaj, familja i nënshtrohet një procesi më të gjerë vlerësimi, që përfshin intervista me anëtarët e familjes, vizita në banesë, vlerësim social dhe psikologjik, raporte mjekësore, verifikime gjyqësore dhe të dhëna nga Regjistri Kombëtar i të Dënuarve për Krime Seksuale.

Vlerësimi përfundon brenda 30 ditëve pune, ndërsa në raste të veçanta afati mund të zgjatet edhe me 15 ditë pune.

Familjet që vlerësohen pozitivisht duhet të ndjekin një program trajnimi të detyrueshëm përpara se të regjistrohen si familje kujdestare.

Pranë çdo bashkie do të krijohet një Komision Shumëdisiplinar për Kujdesin Alternativ në Familje.

Komisioni do të vendosë për miratimin ose refuzimin e familjeve kujdestare, do të përcaktojë llojin e kujdesit alternativ dhe do të shqyrtojë rastet konkrete të fëmijëve që kanë nevojë për vendosje në një familje kujdestare. Rastet emergjente duhet të shqyrtohen brenda 24 orëve

Për një fëmijë që ka nevojë për kujdes alternativ, komisioni duhet ta shqyrtojë dosjen brenda 5 ditëve pune. Në rastet emergjente, shqyrtimi duhet të bëhet menjëherë dhe jo më vonë se 24 orë nga momenti i referimit.

Përzgjedhja e familjes do të bazohet në përputhjen mes nevojave të fëmijës dhe profilit të familjes kujdestare.

Vendosja e fëmijës në familje kujdestare realizohet pas vendimit të gjykatës. Në raste emergjente, fëmija mund të vendoset përkohësisht në një familje kujdestare profesionale të regjistruar, ndërsa kërkesa për miratimin e masës i dërgohet menjëherë gjykatës.

Vendimi përcakton edhe kohëzgjatjen sipas llojit të shërbimit.

Vendimi parashikon ndërprerjen e menjëhershme të kujdesit alternativ në rast se familja kujdestare neglizhon nevojat e fëmijës, ushtron dhunë ose abuzim, përdor ndëshkim fizik apo presion psikologjik, cenon privatësinë dhe dinjitetin e fëmijës, pengon kontaktet e lejuara me familjen biologjike ose e përdor fëmijën për përfitime ekonomike apo forma të tjera shfrytëzimi.

Kujdesi mund të përfundojë gjithashtu kur fëmija rikthehet në familjen biologjike, vendoset në një formë tjetër kujdesi, mbush moshën madhore ose kur gjykata vendos ndryshimin apo përfundimin e masës së mbrojtjes.

Familjet kujdestare të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi do t’i nënshtrohen rishikimit të profilit dhe dokumentacionit brenda 6 muajve.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Vendimi i plotë

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›