E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregulla të reja për shqyrtimin e ankesave në fushën e kujdesit alternativ në familje

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin që përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në bashki, në fushën e kujdesit alternativ në familje, si dhe procedurat për shqyrtimin e ankesave.

Sipas vendimit, pranë çdo bashkie do të ngrihet një komision i përhershëm administrativ me 5 anëtarë, i cili do të shqyrtojë ankesat që lidhen me vendosjen e fëmijëve në kujdes alternativ dhe trajtimin e tyre në familjet kujdestare.

Vendimi parashikon që fëmija i vendosur në kujdes alternativ në familje të ketë të drejtë të paraqesë ankesë për mënyrën e vendosjes apo trajtimit në familjen kujdestare.

Ankesa mund të paraqitet nga vetë fëmija ose përmes përfaqësuesit ligjor, punonjësit social, psikologut, mësuesit apo një përfaqësuesi të organizatave të shoqërisë civile.

Ankimimi mund të lidhet, ndër të tjera, me: përzgjedhjen e familjes kujdestare; ndërprerjen ose heqjen e së drejtës për ofrimin e kujdesit alternativ; refuzimin e përzgjedhjes si familje kujdestare; masat e marra ndaj familjes kujdestare.

Të drejtën për të paraqitur ankim administrativ e kanë gjithashtu përfaqësuesit e fëmijës, familja biologjike dhe familja kujdestare.

Ankimi duhet të paraqitet brenda 30 ditëve kalendarike nga momenti kur pala merr dijeni për vendimin që kundërshton.

Ankesat mund të dorëzohen me shkrim, në mënyrë elektronike ose drejtpërdrejt pranë Komisionit. Ato duhet të përmbajnë objektin e ankimit, identitetin e ankuesit dhe rrethanat mbi të cilat mbështetet ankesa.

Një përjashtim parashikohet për ankesat anonime. Ato mund të shqyrtohen kur përmbajnë pretendime për dhunë, abuzim, neglizhencë apo cenim të të drejtave dhe interesit më të lartë të fëmijës.

Procedura e ankimit do të jetë pa pagesë. Brenda 5 ditëve nga regjistrimi, komisioni verifikon nëse ankesa është në kompetencën e tij dhe nëse plotëson kushtet formale. Në rast mangësish, ankuesit i kërkohet plotësimi i tyre brenda një afati deri në 5 ditë.

Pas pranimit, ankesa duhet të shqyrtohet dhe të marrë një vendim brenda 15 ditëve kalendarike nga regjistrimi.

Gjatë procedurës, Komisioni mund të mbledhë dokumente dhe informacione, të kërkojë shpjegime nga institucionet, të zhvillojë hetime administrative dhe të organizojë seanca dëgjimore.

Një nga elementet kryesore të vendimit është detyrimi për të dëgjuar fëmijën në mënyrë të përshtatshme me moshën dhe pjekurinë e tij.

Fëmija ka të drejtë të shoqërohet nga një person i besuar ose përfaqësuesi i tij, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës.

Komisioni duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, ndërsa anëtarët që ndodhen në konflikt interesi duhet të përjashtohen nga shqyrtimi i çështjes.

Në përfundim të procedurës, Komisioni merr një vendim të arsyetuar, i cili përbën akt administrativ të detyrueshëm për zbatim.

Në varësi të rastit, Komisioni mund të refuzojë ankimin, të lërë në fuqi aktin e kundërshtuar, ta anulojë, ta shfuqizojë ose ta ndryshojë atë, tërësisht apo pjesërisht.

Vendimi duhet t’u njoftohet ankuesit dhe palëve të interesuara jo më vonë se 3 ditë kalendarike pas marrjes së tij.

Kundër vendimit të Komisionit, fëmija, prindërit, të afërmit dhe palët me interes të ligjshëm kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Vendimi parashikon gjithashtu krijimin e një sekretariati pranë strukturës përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, i cili do të administrojë ankesat, dokumentacionin, procesverbalet dhe ndjekjen e zbatimit të vendimeve.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i plotë

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›