E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen rekomandimet e LDK-së

(E plotësuar) Me 64 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi rekomandimet për raportet e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë.

Grupi parlamentar i LDK-së, paraqiti dy rekomandime: LDK nga Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarr vendime konkrete për adresimin dhe plotësimin e sfidave të mbetura të paraqitura në raportin e Fizilibilitetit, raportin për liberalizimin e vizave, Rezolutën e Këshillit të Evropës dhe raportet e tjera kredibile ndërkombëtare dhe Qeveria t’i raportojë Kuvendit në baza 3 mujore për të arriturat në plotësimin e këtyre kritereve.

--------------------------------

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi përmes floltores së Kuvendit ka hedhur një varg kritikash për partitë politike për zvarritje dhe mungesë të vullnetit politik sa i përket reformës zgjedhore.

Duke folur në Kuvend lidhur me raportet e Institucioneve Ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë, Krasniqi është ndalur vetëm në segmentin e zgjedhjeve, pasi sipas tij parregullsitë në zgjedhje janë evidentuar shumë në këto raporte.

Por, sipas tij, parregullsitë në zgjedhje janë problem i shkuar dhe se tani do të duhej të mendohej se si të shmangeshin problemet e shkuara në të ardhmen.

Krasniqi ka thënë se burimi kryesor i parregullsive është te shumësia e votave, në rastin kur një votuesi i duhet të votojë për subjektin politik dhe pesë kandidatë.

Më së miri, sipas tij do të ishte thjeshtësimi i këtij sistemi i cili do të përmirësonte rezultatet dhe mënyrën e votimit. Ai ka propozuar që më së shumti zgjedhësi të ketë mundësinë të votoj për subjektin partiak dhe vetëm një kandidat. “Lista të hapura me një kandidat”, ka qenë kërkesa e Krasniqit.

Sipas Krasniqit, rezultati i zgjedhjeve do të ishte rezultati i qytetarëve dhe vetëm kështu Kosova do të kryente ABC-në e demokracisë.

“Nëse vazhdohet me pesë kandidatë në listë rezultati përfundimtar nuk do të jetë as vullneti qytetar i shprehur në votim por nuk do të jetë as mundësia që kandidati të mbrojë votat e veta”, ka thënë ai.

Krasniqi ka theksuar se është i bindur se nëse vazhdohet me sistemin e hapur me pesë kandidat do të përsëriten prapë problemet e mëparshëm.

------------------------------

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës po debatohet për raportet e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë. Ky debat është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 

Ndërkohë që në Kuvend mungojnë të gjithë ministrat e Qeverisë.

Grupi parlamentar i LDK-së i ka propozuar Kuvendit disa rekomandime: Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për adresimin e sfidave dhe rekomandimeve qe dalin nga raporti i fizibilitetit, raporti i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave dhe raporte tjera të institucioneve ndërkombëtare, si dhe Qeveria t’i raportojë Kuvendit në baza tremujore për të arriturat në adresimin e këtyre sfidave.

“Institucionet ndërkombëtare në baza vjetore publikojnë raportet për Kosovën, pasqyrimi i vendit tonë në ato raporte përcakton imazhin e Kosovës dhe vlerësimet e saj për rrugën e drejt anëtarësimit në BE. Mungesa e zhvillimit ekonomik, krimi i organizuar, korrupsioni, sundimi i ligjit, ndërhyrjet politike në gjyqësor janë disa nga problemet e Kosovës që paraqiten në këto raporte të institucioneve ndërkombëtare”, ka thënë deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.

Sipas LDK-së, miratimi i këtyre rekomandimeve të sotme është në funksion të rritjes së mbikëqyrjes së legjislativit mbi ekzekutivin.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm për Marrëveshjen e Stabilizim -Associmit. Sipas saj, Kosova ka hapur një kapitull të ri me suksese të shumta.

“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm. Shteti ynë ka hapur një kapitull të ri përmes marrëveshjes së stabilizim associmit. Kosova me të drejtë pret që të nisë negociatat për marrëveshjen e stabilizim associmit. Kosova ka dëshmuar politikat e saj për fqinjësi të mirë, duke qenë faktor paqeje në rajon”, ka theksuar Deliu.

Sipas, deputetes së AAK-së, Donika Kada-Bujupi, fjalët kyçe që dalin nga këto raporte janë “korrupsioni në qeveri, influence politike në ndërmarrje publike, borde të pavarura dhe gjyqësor, krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabandimi etj”.

Në anën tjetër, Myzejne Selmani nga Koalicioni për Kosovë të Re ka vlerësuar që Kosova duhet të punojë që ta përmirësojë imazhin e saj nëpër këto raporte.
“Asnjë raport i mirë apo i keq nuk e etiketon vetëm një person, por Kosovën si tërësi. Nuk jemi të kënaqur gjithë me këto raporte, por mbetetet të punojmë si pozitë dhe opzoitë që Kosova në këto raporte të jetë në pozicione më të larta”, ka thënë Selmani./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›