Për 300 euro do t’i mbyllte hetimet

Adem Dakaj, hetues rajonal i Policisë së Kosovës në Prizren, është arrestuar të enjten në flagrancë me dyshimin se ka marrë ryshfet nga disa qytetarë. Ai është arrestuar nga zyrtarët e Inspektoratit Policorë të Kosovës, të cilët po e hetonin atë pas raportimit që kishin bërë të dëmtuarit. Hetuesi Dakaj, u kishte premtuar disa personave që po i hetonte se në këmbim të 300 eurove, ai do t’ua mbyllte rastin për të cilin ata po hetoheshin në favor të tyre, kanë thënë burime të gazetës brenda prokurorisë.
Sipas burimeve të gazetës Tribuna, brenda prokurorisë, me të parë se hetuesi ishte i dyshimtë dhe vërtetë kishte për qëllim që ta mbyllte rastin për pak para, ata kishin nisur një operacion të zgjeruar të hetimeve dhe kanë arritur që ta kapin në flagrancë policin, duke e simuluar rastin dhe duke e përcjellë personin që po i jepte ryshfetin hetuesit.
“Është bërë simulim i rastit në bazë të informatave që kanë ekzistuar të cilat informata kanë rezultuar të sakta dhe polici ka dalë në takim dhe i ka marrë paratë. Në atë rast kanë reaguar IPK-ja dhe e kanë arrestuar”, ka thënë burimi me kusht anonimiteti.
Për arrestimin e policit ka lëshuar njoftim edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Sipas një komunikate për media, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, kishin pranuar një informatë nga qytetarët për dyshimet për implikimin e një zyrtari policor të stacionit policor të Prizrenit në keqpërdorimin e detyrës zyrtare, përkatësisht në marrje të ryshfetit./Indeksonline/