E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen shpronësimet për tre projekte në Kamzë, Llogora e Tiranë

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimet për interes publik për tre projekte infrastrukturore.

Kështu, u miratua shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Rrugët paralele me hekurudhën nga kthesa e Kamzës deri tek stacioni hekurudhor në Kashar – loti I”.

Sipas vendimit, shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë, ndërsa pronarët do të kompensohen me vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një fond total prej 1 634 311 lekësh.

Po ashtu, u miratua shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.

Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë me një vlerë të përgjithshme prej 1 791 165.6 lekësh. Qeveria miratoi edhe shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i terreneve sportive dhe muri rrethues për shkollën “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi””, Bashkia Tiranë. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë me një vlerë të përgjithshme prej 62 092 322.50 lekësh.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›