E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen sot

Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë dy komisionet parlamentare për ndryshimet kushtetuese dhe për reformën zgjedhore. Kjo do t’i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale për vitin e ardhshëm dhe atyre parlamentare më 2013. Nga Faton Ismajli më 22 prill 2011 në ora 10:06

Nga e premtja do të nisin ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës në lidhje me zgjedhjen e Presidentit dhe reformën zgjedhore.

Kuvendi i Kosovës pritet t`i miratojë dy komisionet që do të merren me ndryshimin e Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje, të paraparë me marrëveshjen politike Thaçi, Mustafa dhe Pacolli për tejkalimin e krizës politike.

Deputeti Arsim Bajrami është propozuar nga PDK’ja për të udhëhequr Komisionin parlamentar për ndryshimet kushtetuese sa i përket zgjedhjes së Presidentit.
Kjo është bërë e ditur nga deputeti Bajrami, i cili ka thënë se emri i tij pritet të miratohet edhe në Grupin Parlamentar të PDK’së.

“Grupi parlamentar i PDK’së më ka propozuar për Kryetar të Komisionit për ndryshime kushtetuese”, ka thënë Bajrami për Express.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka konfirmuar se të premten para seancës do të aprovohet dhe procedohet kandidatura e Arsim Bajramit për Kryetar të Komisionit Parlamentar për ndryshimet Kushtetuese.

“Komisionin për ndryshimet kushtetuese do ta udhëheq Arsim Bajrami, i cili është i propozuar unanimisht nga Grupi Parlamentar i PDK’ë. Nuk ka pasur asnjë kundërshtim në Grupin Parlamentar të PDK’së për emrin e z. Bajrami”, ka shtuar Grabovci.
Ndërkohë, Komisionin Parlamentar për ndryshimin e Ligjit zgjedhor pritet ta udhëheq ish-ministri i drejtësisë, Haki Demolli, i cili është deputet i partisë opozitare – LDK.

Komisionet do t’i kenë nga nëntë anëtarë, ku do të ketë përfaqësim të të gjitha partive parlamentare.

Këto komisione formohen në bazë të marrëveshjes ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe Behxhet Pacollit, e cila u aprovua edhe nga Kuvendi në formë të rezolutës.

Edhe Ismet Beqiri i LDK’së ka konfirmuar se formimi i komisioneve shënon edhe fillimin e implementimit të marrëveshjes politike për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore.
“Ne jemi pajtuar që të jenë dy komisione me nga nëntë anëtarë, ku në secilin prej tyre LDK-ja dhe PDK-ja i kanë nga dy përfaqësues, kurse partitë tjera parlamentare nga një anëtar. Komisionin për amendamentim të Kushtetutës e kryeson pozita, ndërkaq atë për reformën zgjedhore e kryeson opozita”, pati thënë Ismet Beqiri i LDK’së.

Pas formimit të komisioneve pritet që në punën e tyre të përfshihen edhe shoqëria civile dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, të pranishme në Kosovë.

Në bazë të rezolutës dhe marrëveshjes politike, nga dita e formimit të komisioneve, në Parlament fillon edhe rrjedhja e afatit për propozimin dhe miratimin e reformave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Marrëveshja parasheh zgjedhje të drejtpërdrejta për Presidentin edhe atë jo më larg sesa gjatë verës apo vjeshtës së vitit vijues. Po ashtu, parashihen zgjedhjet e reja edhe për Kuvendin e Kosovës diku në vjeshtën e vitit 2013, në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›