E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Franca, riatdhesimi i sigurt

Franca e ka vendosur Kosovën në listën e vendeve të sigurta. Kjo do të thotë se ky shtet kërkesën e një azilkërkuesi kosovar tash e shqyrton për 15 ditë. Por, rezultati për aplikuesin dihet paraprakisht. Ai është riatdhesim i sigurt. Nga Jeton Musliu më 22 prill 2011 në ora 09:11

Kosovarët që ende planifikojnë të nisen drejt Francës, me shpresën se do t’i fitojnë dokumentet e lejeqëndrimit, më mirë mos t’i harxhojnë paratë kot.

Franca, e cila si pjesëtare thuajse kryesore e Bashkimit Evropian, që deri diku ende toleronte dhe pajiste me dokumente azilkërkuesit nga Kosova, tashmë ka ndryshuar tërësisht qëndrim.

Ajo e ka vendosur shtetin e Kosovës në listën e vendeve të sigurta, që në Francë kjo njihet me emrin “Pays Sùrs”.

Kjo do të thotë se asnjë shtetas kosovar nuk mund të kërkojë azil në këtë shtet.
Në fakt, ata që duan mund edhe të parashtrojnë kërkesë të tillë, por shteti francez ka përshpejtuar procedurat e shqyrtimit të rasteve.

Me futjen e Kosovës në listën e vendeve të sigurta, në rast se një kosovar kërkon azil në Francë, atëherë dokumentet e tij do të shqyrtohen për 15 ditë.

Kështu, pas dy javësh, riatdhesimi i tyre drejt Kosovës është i sigurt dhe i pashmangshëm.

Një fakt të tillë e pohojnë edhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës në Prishtinë, të cilët edhe zyrtarisht janë njoftuar nga shteti francez.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës për këtë është njoftuar zyrtarisht nga Këshilli Administrativ i Zyrës franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave Pa Shtetësi (OFPRA)”, thotë Artan Behrami, këshilltar i lartë për media në kabinetin e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Kështu, tash e tutje, Republika e Kosovës është futur në listën e vendeve të sigurta “Pays Sùrs”, tregon Behrami për Express, pa mundur që tash për tash të japë më shumë sqarime.

Në fakt, vendosjes së Kosovës në listën e vendeve të sigurta i ka paraprirë edhe marrëveshja për riatdhesim të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Francës.

Marrëveshje të tillë për riatdhesim, Kosova ka nënshkruar edhe me Gjermaninë, Zvicrën, Belgjikën, Austrinë, Danimarkën, Norvegjinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve të MBP-së së Kosovës, negociatat për të nënshkruar marrëveshje të tillë janë duke u bërë edhe me Çekinë, Slloveninë, Kroacinë, Estoninë, Letoninë si dhe vende të tjera të BE-së.

Pavarësisht kësaj, burime të Expressit tregojnë se janë të shqetësuar tej mase me qëndrimin e disa shteteve të BE-së që janë duke bllokuar dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, madje edhe vetë Franca.

“Kosova me më pak se 2 milionë banorë sot është vendi më i izoluar në Evropë. Dhe arsyeja që përmendin disa shtete, kinse po e bllokojnë për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve kosovarë, është e papranueshme dhe e pakuptimtë”, thotë ky zyrtar, duke marrë si shembull raportet ndërmjet Francës dhe Shqipërisë.

“Franca asnjëherë nuk e ka penguar Shqipërinë në këtë rrugë (liberalizim të vizave v.j), ndonëse shtetasit shqiptarë kanë qenë azilkërkuesit gati më të mëdhenj në këtë shtet”, tregon burimi i gazetës.

Megjithëkëtë, sipas tij, me vendosjen e Kosovës në listën e vendeve të sigurta, Franca nuk do të pengojë më që Kosova të marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.

Efektet
Efektet për azilkërkuesit, vendet e origjinës të të cilëve janë përfshirë në këtë listë janë:
1-Mospranim i qëndrimit,
2-Zhvendosje pothuajse sistematike me procedurë të shpejtuar,
3-Shqyrtim i kërkesës për azil nga OFPRA brenda 15 ditëve,
4- Mospasje të drejtë në caktim të pritjes së përkohshme dhe as në mbulim të sëmundjeve të përgjithshme,
5- Apelim në Gjykatën Kombëtare të së drejtës së azilit për mos-suspendim të urdhrit për dëbim.

Azilkërkuesit
Një pjesë e azilkërkuesve në Francë dhe vende tjera të Bashkimit Evropian edhe më tutje lajmërohen si shtetas të Kosovës, ndonëse nuk janë të tillë. Në të kaluarën, Ministria e Punëve të Brendshme pas verifikimit që ka bërë ka konstatuar se shumë azilkërkues nuk janë fare shtetas të Kosovës. Shumë shpejt një verifikim i tillë pritet të bëhet edhe në Francë, Belgjikë, ku numri i azilkërkuesve kosovarë është më i madh sesa në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Kjo pritet të bëhet duke marrë si shembull Austrinë, ku ky verifikim ka dhënë rezultate shumë të dukshme. Pas kësaj procedure, shtetasit e Kosovës nuk janë më ndër të parët që bëjnë probleme, por radhitën 16-it në ranglistën e shtetasve të huaj që thyejnë ligjet e shtetit austriak. Kjo për faktin se pas verifikimit ka rezultuar se një numër i madh i tyre që kanë rënë ndesh me ligjin, edhe pse janë prezantuar si shtetas të Kosovës, në të vërtetë kanë qenë nga vende të tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›