Kryeministri Berisha takon Zëvendëskryeministren e Maqedonisë, zonjën Teuta Arifi
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendëskryeministren e Maqedonisë, zonjën Teuta Arifi, e cila ndodhet ne Tiranë për një vizitë dypalëshe për të diskutuar çështje të bashkëpunimit dypalësh dhe në kuadër të integrimit evropian.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha theksoi se promovimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë e frytdhënës për të dy vendet dhe qytetarët e tyre është dhe mbetet përparësi e qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se Shqipëria po bën të gjithë përpjekjet për të përfunduar ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, të cilat do të zgjerojnë dhe shkurtojnë lidhjet mes të dy vendeve dhe nxisin shkëmbimet tregtare, ekonomike, të gjithanshme në interesin më të mirë të vendeve dhe te qytetarëve të tyre.
Nga ana e saj, zonja Arifi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit maqedonas Gruevski dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.
Zëvendëskryeministria Arifi vlerësoi rëndësinë dhe suksesin e jashtëzakonshëm të projekteve të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si për sa i përket rrugës së kombit, ashtu edhe autostradës Tiranë - Elbasan apo rrugës së Arbrit, të cilat do të sjellin një ndikim të jashtëzakonshëm pozitiv në shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, por edhe një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të interesave kombëtarë të shqiptarëve. “Përshkuat dy malet e mëdha për ndërtimin e rrugës së Kombit dhe autostradës Tiranë-Elbasan, pjesë e Korridorit 8, çka është një kontribut jashtëzakonisht domethënës për rajonin dhe për kombin shqiptar” theksoi zonja Arifi.
Në takim u ripohua angazhimi dhe vendosmëria e dy qeverive për të vijuar përpjekjet për kompletimin e te gjitha infrastrukturave të rëndësishme qoftë ato rrugore, lidhjet energjetike, por edhe ato hekurudhore, si dhe u theksua nevoja e vënies në jetë të praktikave dhe standardeve më të mira evropiane në fushën e doganave dhe në fusha të tjera, çka do të zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve, nxisë investimet reciproke, zgjerojë miqësinë e rrisë mirëqenien e qytetareve.
Në takim u diskutuan gjithashtu edhe përpjekjet e dy vendeve për ecjen përpara në procesin e integrimit në BE, si projekti më madhor për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt të këtyre vendeve, por edhe për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit me projekte dypalëshe e ndërkufitarë, në kuadër të këtij procesi.
Duke u ndalur në faktin që të dy vendet ndodhen në prag zgjedhjesh, Maqedonia para zgjedhjeve vendore dhe Shqipëria në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, në takim u diskutua edhe për përgatitjet për realizimin e zgjedhjeve në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Ne këtë kontekst, kryeministri Berisha shprehu bindjen se Maqedonia do të zhvilloje zgjedhje të rregullta, duke vlerësuar njëkohësisht edhe qëndrimin dinjitoz që partitë politike shqiptare në Maqedoni mbajtën pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. “Ju keni fatin e madh që partitë humbëse në zgjedhjet në Maqedoni i kanë pranuar në vijimësi rezultatin e zgjedhjeve, në dallim nga Partia Socialiste në Shqipëri dhe kreu i saj Edi Rama, i cili nuk pranon asnjëherë rezultatin që e nxjerr atë humbës, por njeh vetëm rezultatin që do të dëshironte vetë ai.” theksoi Kryeministri Berisha.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjelle kryeministrit maqedonas Gruevski, si dhe kryetarit të BDI Ali Ahmeti, përshëndetjet më të përzemërta.
07/02/2013