E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet Projektligji për tregti me jashtë dhe ai për marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka miratuar një sërë projektligjesh, të mbetura nga seanca e javës së kaluara, mes të cilëve edhe Projektligjin për tregti me jashtë dhe Projektligjin për marrëveshjet ndërkombëtare.

Për këtë të fundit, zëvendëskryetari i Komisionit për punë të jashtme, Hydajet Hyseni ka thënë se duhet të bëhen ndryshime edhe më të mëdha të dispozitave, mirëpo kjo duhet të ndodhë bashkërisht me ndryshimet kushtetuese.

Ai ka thënë se me gjithë propozimet, projektligji nuk rregullon në mënyrë të tërësishëm çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare, sidomos sa i përket ratifikimit të tyre.

Kjo për faktin që dispozitat që rregullojnë këto çështje, janë edhe dispozita kushtetuese, edhe duke qenë të tilla, nuk mund të përmirësohen në dispozita ligjore.

“Komisioni megjithatë vendosi të shqyrtojë ligjin e propozuar, të bëjë ato ndryshime që u konsideruan të drejta, duke lënë hapësirë që ndryshimet tjera të bëhen me ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Hyseni.

Ai ka thënë se amandamentet përmirësojnë dhe saktësojnë dispozitat e këtij ligji dhe e lehtësojnë zbatimin në praktikë të këtij ligji.

Ndërkohë, është miratuar Projektligji për tregti me jashtë me 42 amandamente të reja, të propozuara nga Komisioni për zhvillim ekonomik, si dhe Projektligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe Projektligji për hekurudhat e Kosovës.

Në rend dite për shqyrtim është edhe raporti i Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje, raporti vjetor i auditimit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2010 dhe propozimi i Trustit Pensional të Kosovës për uljen e taksës menaxhuese. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›