Propozimet e Borkos

Negociatori serb, Borko Stefanovic ka deklaruar se format e zgjidhjes përfundimtare për pikëkalimet në Veri të Kosovës po shfaqen derisa qëllimi është që vërtetohet se pikëkalimet Bërnjakë dhe Jarinje janë unike dhe se Serbia po synon të ketë prezencë në to.
Një ditë më herët, shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri ka deklaruar se ndërmjetësi europian ka propozuar që Kosova dhe Serbia t’i menaxhojnë bashkë kufijtë duke e prezantuar këtë si një zgjidhje europiane mes dy shteteve të pavarura.
Stefanovic nuk ka komentuar këtë, por ka theksuar se nuk mund të flitet për marrëveshje, derisa organet shtetërore të Serbisë nuk e thonë fjalën e tyre rreth një dokumenti për Kosovën që pritet të diskutohet.
Ai ka theksuar se marrëveshja ka të bëjë me të gjitha pikat administrative, por zgjidhja duhet të shprehë veçantinë e pikëkalimeve Bërnjakë dhe Jarinje.
“Qëllimi i Serbisë është që të konfirmohet Plani 6-pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së, Rezoluta 1244, situata specifike në Bërnjakë dhe Jarinje, ku Serbia duhet të ketë ndikim dhe prani në këto pikëkalime”, ka thënë Stefanovic.
I pyetur se si planifikon që të marrë përkrahjen e liderëve serbë në Veri, të cilët e kanë kundërshtuar dokumentin për Kosovë, Stefanovic ka thënë se serbët e Veriut duhet t’i dëgjojnë të gjitha opsionet derisa ka paralajmëruar edhe takime me ta.
Ai ka potencuar se politikanët në Veri janë duke manipuluar me serbët në Veri për qëllime partiake.
Negociatori serb ka deklaruar se pret që të ketë rezistencë, moskuptim dhe keqpërdorim të saj që është arritur në Bruksel.
“Është e sigurt se nuk presim që zgjidhja nuk do të përkrahet njëzëri, këto kohëra kanë kaluar. Por duhet të ndalet manipulimi i qytetarëve”, ka thënë ai.
Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic, ndërkaq ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se Beogradi është përpjekur dhe po përpiqet që zgjidhja për Veriun e Kosovës të jetë në përputhje me interesat nacionale që janë edhe në interes të serbëve të Kosovës.
“Është me rëndësi që të ruajmë unitetin dhe kthjelltësinë në këtë situatë të vështirë dhe që qytetarët ta kuptojnë se jemi përpjekur dhe po përpiqemi që të vijmë te zgjidhjet që janë në pajtim me interesat tona shtetërore që është edhe në interes të serbëve të Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Stefanovic.