Miratohet buxheti vjetor për investimet e Fondit Shqiptar te Zhvillimit

Nën drejtimin e Ministrit të shtetit, z. Genc Pollo, sot u organizua mbledhja e Këshillit Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në të cilin përveç anëtareve të qeverisë bëjnë pjesë edhe pushtetarë vendorë. Në qendër të kësaj mbledhje ishte miratimi i buxhetit vjetor për investimet që do të realizohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për vitin 2010. Buxheti i aprovuar këtë vit është në masën 3,929 milionë lekë.
Ministri i Shtetit z. Genc Pollo u shpreh gjatë mbledhjes:
“Sot shqyrtohet një buxhet vjetor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë afro 40 milionë USD. Prej afro 65% e këtij buxheti do të financojë rrugët rurale dhe këtë vit do të ndërtojë dhe rehabilitojë 340 km rrugë. Pjesa tjetër do të financojë 28 ujësjellës të 50 fshatrave në qarqet Shkodër, Kukës e Dibër, si dhe zhvillimin social e ekonomik, me theks turizmin në 20 bashki e komuna. Fondi Shqiptar i Zhvillimit financohet veç Qeverisë edhe nga shumë donatorë; deri tani kryesisht nga Banka Botërore dhe është vlerësuar prej saj si programi më i suksesshëm për shpejtësinë, cilësinë, efektivitetin e realizimit të projekteve. Bashkëpunimi i mirë i Fondit me pushtetin vendor ka qenë kyç në suksesin e projekteve.”
Investimet kryesore për këtë vit do të realizohen në kuadër të projekteve “Përmirësimi i rrugëve dytësore e lokale”, Projekti “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale”, projekti i “Ujësjellësve Rurale”, si edhe investime të Qeverisë Shqiptare.
Pjesa më e madhe e investimeve do të kryen në kuadër të projektit “Përmirësimi i rrugëve dytësore e lokale në Shqipëri”, projekt që po zbatohet prej tre vjetësh. Ky projekt ka si qëllim përmirësimin e aksesit në shërbimet bazë dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik për popullsinë rurale.
Deri më sot në këtë projekt janë angazhuar përveç Qeverisë Shqiptare edhe Banka Botërore, OFID, Banka e Këshillit te Evropës për Zhvillim në një vlerë prej 97 milion USD. Gjatë vitit 2010, parashikohet që të jenë rehabilituar apo të jenë nën rikonstruksion 340 km rrugë.
Buxheti i këtij viti karakterizohet nga një rritje e konsiderueshme e investimeve, duke ulur ndjeshëm kostot operative për realizimin e tyre.
Për vitin 2010 këtij projekti do t’i bashkëngjiten edhe financimet e BERZH, BEI, IDB dhe programi IPA, që do të plotësojnë buxhetin total të projektit me një fond prej 238 milion USD duke e çuar shumën totale të projektit në 335 milionë USD.
Gjatë vitit 2010 do të fillojnë gjithashtu investimet në Projektin e “Ujësjellësve Rurale”, që financohet nga KfW, në të cilin do të rehabilitohen apo ndërtohen 28 skema të ujësjellësve rurale në 50 fshatra të tre qarqeve të veriut të Shqipërisë.
Një projekt tjetër i rëndësishëm që përfundon këtë vit fazën e tij të investimeve është projekti “Punët në komunitet III” financuar nga Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim në vlerën 14.38 milion Euro. Ky projekt ka si qëllim të nxisë zhvillimin social ekonomik të zonave rurale të vendit, të cilat kanë potenciale të zhvillimit ekonomik, veçanërisht në turizëm. Në projekt janë përfshirë 16 komuna, të cilat janë të shpërndara gjeografikisht, dhe kanë tipare të veçanta të turizmit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një institucion që nxit zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, të balancuar dhe koheziv, në nivel rajonal dhe lokal, në mbështetje të politikave shtetërore të zhvillimit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është krijuar si agjenci autonome implementuese e “Projektit të Lehtësimit të Varfërisë Rurale” në fillim të vitit 1993, mbi bazën e një marrëveshje midis Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore datë 09. 01. 1993. Me datë 11 Maj, 2009, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin Nr 10130 datë 11. 05. 2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, që i përcakton këtij institucioni një status të veçantë ligjor.
15/01/2010