E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nderim të skulptorit të popullit Shaban Hadëri

Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe  në nderim të skulptorit të popullit Shaban Hadëri, i cili u nda dje nga jeta. Duke e vlerësuar skulptorin si një nga korifenjtë e artit dhe skulpturës shqiptare, Kryeministri tha se me talentin, përkushtimin dhe atdhetarinë e tij, Shaban Hadëri i la vendit dhe kombit një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur dhe të çmuar.
"Shaban Hadëri  ndahet nga jeta si një nga korifenjtë më të mëdhenj të artit dhe skulpturës shqiptare. Me talentin, përkushtimin, atdhetarinë  tij, ai i  la vendit dhe kombit  një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur dhe të çmuar.
Shqipëria humbet skulptorin e saj të madh, humbet intelektualin e saj të shquar,por edhe një qytetar shembullor. Humbja është e thellë dhe e madhe. Trashëgimia e tij është kontributi dhe kujtimi më i ndritur i këtij kolosi të skulpturës shqiptare.
Shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes, miqve të afërmve, por dhe botës së artit dhe botës intelektuale në tërësi."15/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›