Presidenti Topi pret Zëvendëspresidentin Rajonal të Bankës Botërore, Filip Lë Ueru.

14 janar 2010
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Zëvendëspresidentin Rajonal të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, zotin Filip Lë Ueru, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Në këtë takim ai shoqërohej edhe nga përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, zonja Kamil Naomah.
Në këtë takim, Kryetari i Shtetit vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Banka Botërore ka dhënë për Shqipërinë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit për një zhvillim të qëndrueshëm financiar dhe ekonomik, nëpërmjet monitorimit, ekspertizës, asistencës teknike, dhënies së këshillave mbi politikat e ndjekura dhe reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar. Në vijim të bisedës, Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve më aktuale në vend, të përpjekjeve dhe arritjeve në kuadër të integrimit euroatlantik të vendit, duke u ndalur në ecurinë e reformave të gjithanëshme, sidomos të asaj në sistemin e drejtësisë. Pasi vuri në dukje sfidat e vështira, me të cilat përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë, Presidenti Topi nënvizoi faktin se mirëfunksionimi i sistemit të drejtësisë është një gur themeltar për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe është thelbësor në realizimin e vlerave më të mira të demokracisë. Presidenti u shpreh se rritja e cilësisë së veprimtarisë së sistemit të drejtësisë, ruajtja e pastërtisë së interesave të dhënies së saj, si dhe ngjallja dhe forcimi i besueshmërisë së publikut tek sistemi i drejtësisë, janë disa nga synimet kryesore të kësaj reforme.
Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti rajonal i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, zotin Filip Lë Ueru shprehu konsideratën e tij për mbështetjen e Kryetarit të Shtetit Shqiptar, si dhe vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm mes Bankës Botërore dhe autoriteteve shqiptare në përmbushjen e qëllimeve dhe objektivave të tyre të përbashkëta. Z. Filip Lë Ueru vuri në dukje vullnetin dhe angazhimin e mëtejshëm për vijimin dhe forcimin e këtij bashkëpunimi.
Duke folur për zhvillimet në Kosovë, dy personalitetet ndanë mendimin se institucionet shtetërore, klasa politike dhe shoqëria kosovare kanë hedhur hapa të konsoliduar në funksion të ndërtimit të një shteti demokratik dhe shumëetnik. Presidenti Topi dhe z. Filip Lë Ueru u shprehën gjithashtu optimistë se ky është një faktori domethënës që Kosova të përballë me sukses sfidat e rëndësishme të së ardhmes, përfshi zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe financiar.