Miratohet formati i ri tip, i aktit të bashkëpronësisë
Anilejda Shëmbitraku
Në fillim të muajit shkurt do të hyj në fuqi formati i ri tip, i aktit të bashkëpronësisë. Kjo pas publikimit dje në Fletoren Zyrtare të vendimit për miratimin e tij. Formati tip përbëhet nga tre fletë. Gazeta “Albania” publikon shpjegimet analitike për çdo fletë që ka në përbërje ky lloj formati.
Dokumentacioni
Dokumentacioni, që i bashkëlidhet aktit të bashkëpronësisë për t`u regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përmban: Dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e pronës, ku përfshihen: leja për sheshin e ndërtimit; leja e ndërtimit; procesverbali i kolaudimit të objektit; leja e shfrytëzimit ose e banimit të objektit; plani i vendosjes së objektit; dokumente të tjera që përcaktojnë dhe individualizojnë objektin e ndërtuar; çdo dokument tjetër, i kërkuar nga ZRPP-ja, në bazë të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme; Rregulloren për krijimin dhe funksionimin e asamblesë së bashkëpronarëve dhe për administrimin e bashkëpronësisë së objektit në fjalë.
Ndryshimi
Akti i bashkëpronësisë ndryshon sa herë bëhen ndryshime ligjore në pronën e përbashkët ose në pronën individuale, e cila mund të ketë ndikim në shpërndarjen e kuotave të bashkëpronësisë dhe/ose në të drejtat e përdorimit. Raste të tilla janë, por pa u kufizuar: shtesa kati ose shtesa anësore; prishja e pjesshme e godinës; bashkimi i dy njësive individuale ose ndarje e një njësie; vendosja e pajisjeve të ndryshme, si kaldaja, depo uji dhe e pajisjeve të ngjashme. Në rastet kur ndryshimet në pjesët e përbashkëta a individuale (shtesa ose pakësime të sipërfaqeve) sjellin ndryshim të kuotave të pjesëmarrjes në bashkëpronësi, në aktin e bashkëpronësisë pasqyrohen: ndryshimi fizik i ndodhur, nëpërmjet planimetrive përkatëse; kuotat e reja të pjesëmarrjes në bashkëpronësi për çdo bashkëpronar. Në rastet kur ndryshimet në pjesët e përbashkëta a individuale sjellin vetëm ndryshim të të drejtave të përdorimit, së bashku me detyrimet për mirëmbajtje, në aktin e bashkëpronësisë reflektohet vetëm ndryshimi fizik në planimetrinë e katit, ku ka ndodhur ndryshimi.
Bashkëpronësia
Procedurat e funksionimit të asamblesë së pronarëve
Aktit të bashkëpronësisë i bashkëlidhet një kopje e rregullores, që përcakton procedurat e formimit e të funksionimit të asamblesë së pronarëve të njësive, e cila hartohet bazuar në rregulloren tip të administrimit të bashkëpronësisë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. 8. Për objektet, që regjistrohen për herë të parë, akti i bashkëpronësisë hartohet nga krijuesi i pronës dhe është pjesë përbërëse e dokumentacionit për regjistrimin e pronës. Për objektet e banimit, të regjistruara në ZRPP-sw, akti i bashkëpronësisë hartohet nga asambleja.
SHPJEGIMI ANALITIK I FLETËS NR.1
1- Në pjesën e majtë përmban të dhënat si më poshtë: Planimetrinë e parcelës ndërtimore, pozicionin e objektit ndërtimor, vend-parkime të hapura, si dhe çdo pajisje a objekt tjetër të instaluar në të, sipas lejes së dhënë nga njësia vendore përkatëse; Zonën kadastrale dhe numrin e pasurisë truall, sipas dokumentit të pronësisë; Një prerje vertikale e objektit, ku në formë skematike sqarohet ndarja e pronës individuale me atë të përbashkët.
2. Pjesa e djathtë e fletës nr.1, përmban rubrikat si më poshtë: Rubrika A titulli i fletës “elementet e bashkëpronësisë”: në rubrikën B, jepen: Të dhëna metrike mbi sipërfaqen e pronësisë së parcelës ndërtimore; Sipërfaqja e zënë nga ndërtimi; Të dhëna për identifikimin e personit që ka hartuar planin e rilevimit dhe numrin e licencës; Në rubrikën C paraqiten të dhënat topografike: Zona kadastrale; Indeksi i hartës; Numri i pasurisë; Adresa e pasurisë; Të dhëna për identifikimin e krijuesit të pronës; Në rubrikën Ç jepet lista e hollësishme e të gjitha elementeve të bashkëpronësisë; Rubrika D jep shpjegimin e shenjave të përdorura (legjendën); Në rubrikën E shënohet data e dorëzimit të aktit të bashkëpronësisë dhe numri i fletës.
SHPJEGIMI ANALITIK I FLETËS NR.2
1. Fleta nr.2 është tip dhe përgatitet veçmas për çdo kat. Në pjesën e majtë përmban të dhënat si më poshtë: Planimetria e katit me të dhëna të mjaftueshme për identifikimin e pronës së përbashkët nga ato individuale si vend parkime, ose bokse parkimi, depo, magazina, njësi shërbimesh, njësi banimi, etj. Planin e një njësie individuale, në një shkallë më të madhe, ku sqarohen mënyra se si dhe ku ndahet prona individuale me atë të përbashkët, e cila sqarohet në legjendën që ndodhet në rubrikën Ç të kësaj flete;
2. Pjesa e djathtë e fletës nr.2 përmban rubrikat si më poshtë: Rubrika A - Titulli i fletës “Paraqitja grafike e elementeve të bashkëpronësisë të katit (n)”, ku “n” merr vlera nga 0 deri në numrin që i korrespondon numrit të kateve të shfrytëzueshme nëntokë dhe atyre mbi tokë, duke i dhënë vlera negative [p.sh.(-1)] kateve nëntokë, vlerën “0” katit përdhe dhe vlera pozitive duke filluar nga (1); Rubrika B jep të dhënat për identifikimin e personit që ka llogaritur kuotat e pjesëmarrjes në bashkëpronësi, numrin e licencës përkatëse, datën dhe vendin për firmën e personit që e ka hartuar; Rubrika C - Tabela e pjesëmarrjes në bashkëpronësi për çdo njësi prone individuale që ndodhet në secilin kat; Rubrika Ç jep shpjegime mbi shenjat e përdorura në planimetri (legjenda); Në rubrikën D shënohet data e dorëzimit të aktit të bashkëpronësisë dhe numrit, i fletës.
SHPJEGIMI ANALITIK I FLETËS NR.3
1. Fleta nr.3 hartohet për paraqitjen e bashkëpronësisë së tarracës që mbulon katin e fundit të objektit, kur në kontratën e shitjes nuk është parashikuar ndryshe. Pjesa e majtë e fletës përmban sipërfaqen e tarracës, daljet, oxhakët individualë të ajrimit, si dhe çdo element tjetër të vendosur dhe që mund të mos përbëjnë pasuri të patundshme si antena, depo uji e të ngjashme si këto.
2. Pjesa e djathë e fletës nr.3 përmban rubrikat si më poshtë: Rubrika A- Titulli i fletës: “Paraqitja e bashkëpronësisë së tarracës dhe të elementeve të saj”; Rubrika B jep të dhënat për identifikimin e personit që ka përgatitur aktin e bashkëpronësisë dhe llogaritur kuotat e pjesëmarrjes në bashkëpronësi, numri e licencës përkatëse, datën dhe vendin për firmën e personit që e ka hartuar; Rubrika C– Tabela e pjesëmarrjes në bashkëpronësi për çdo njësi prone individuale të objektit; Rubrika Ç jep shpjegime mbi shenjat e përdorura në planimetri (legjenda); Në rubrikën D shënohet data e dorëzimit të aktit të bashkëpronësisë dhe numri i fletës.
13 Janar 2011