E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH, pas miratimit të ligjit gati Fondi i Sigurimeve Shëndetësore



Lizeta Duro

Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka përgatitur Fondin e Sigurimeve Shëndetësore i cili sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hanës do të marrë kompetenca të rëndësishme për hartimin e paketave të shërbimit të përcaktuara për pacientet. Paketat do të përfshijnë: vizitat, ekzaminimet dhe trajtimet mjekësore në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor publik dhe në spitalet publike. “Më e rëndësishmja është se, do të ketë paketa të mirëpercaktuara shërbimi dhe rolin e avokatit të pacientit do e luajë Fondi, i cili do të negociojë për këto paketa me ofruesit e shërbimeve”, u shpreh Hana.

Procesi

Procesi i hartimit të paketave të shërbimeve që do të rimbursohen nga ISKSH-ja, gjithmonë duke u bazuar në aftësitë paguese të buxhetit, do të kryhet nëpërmjet komisioneve teknike të krijuara nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së. Sipas Hanës këto paketa do të jenë transparente për të gjitha institucionet shëndetësore dhe do të përcaktojnë tarifën në bazë të shërbimit që do të merret dhe masën që do të mbulojë ISKSH-ja. “Sot ekziston një paketë e përcaktuar në shërbimin parësor, por do të ketë një të tillë edhe në shërbimin spitalor. Do të dihet saktësisht cfarë do të marrë pacienti, sa do të kushtojë, sa do të japë ISKSH, cilat janë kostot reale, cfarë medikamentesh merr pacienti etj. Pra është një paketë komplekse, transparente, ku do të jenë të përcaktuara të gjitha procedurat, procedura të cilat do të saktësohen që në kontratë. Për këto do të përgjigjet Fondi dhe të gjithë dhënësit e shërbimit do të jenë të detyruar të ofrojnë të plotë paketën e shërbimit”’ u shpreh drejtoresha e ISKSH-së. Hana tha gjithashtu se me implementimin e këtij ligji ky institucion pret një realitet tjetër, më social dhe që u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve duke kryer një sigurim dhe mbulim shëndetësor të plotë të popullatës.

Mbulimi privat

Lidhur me mbulimin e shërbimit privat, drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se për herë të parë, ligji parashikon kontraktimin me shërbimin privat, duke futur elementin e konkurrencës, i cili padyshim do të sjellë një cilësi më të mirë shërbimi për pacientët. Sipas Hanës në themel të këtij ligji është negocimi për paketat e shërbimeve. “Paketat do të jenë të kostifikuara dhe kjo gjë do të na japë mundësinë e kontraktimit të privatit me kosto të përcaktuara paraprakisht. Fillimisht do të bazohemi tek kostot e publikut dhe mbulimi me sigurimin shëndetësor do të jetë deri në masën e publikut. Kështu diferenca do të paguhet nga pacienti që zgjedh privatin. Pra nëse pacienti do të ketë dëshirë që për të njëjtat paketa shërbimesh, që do të ofrohen në publik në të gjithë territorin e Shqipërisë, në të 12 spitalet rajonale që do të pajisen me aparaturat e duhura nga MSH gjatë kësaj periudhe 2 vjeçare të hyrjes në fuqi të ligjit, atëherë ne jemi të gatshëm që të njëjtin shërbim ta japim edhe në privat, sepse ne do të mbulojmë po të njëjtën popullatë, por duke u bazuar në zgjedhjen e lirë të saj. Kështu garantohet zgjedhja e lirë e pacientit”, u shpreh Hana. Pra, sipas drejtoreshës së ISKSH-së ky institucion do të paguajë të njëjtën shumë për të njëjtën paketë shërbimesh si në spitalet publike ashtu edhe në ato private dhe nëse pacienti zgjedh që ta marrë një shërbim të caktuar shëndetësor në qendrat privat pjesën tjetër të kostos do ta vërë nga xhepi i tij.

Kriteret

ISKSH-ja do të mbulojë sigurimet shëndetësore e shërbimeve të marra në privat vetëm nëse qendrat shëndetësore apo spitalet private janë akredituar më përpara nga ky institucion apo Ministria e Shëndetësisë për shërbimet që ata japin. “Do të ketë kritere të forta në përzgjedhjen e shërbimeve të kontraktuara në privat. Këto shërbime do të kontraktohen vetëm pas akreditimit të dhënësve të shërbimit. Këto kritere do të parashikohen në legjislacionin mbështetës pas kalimit të ligjit në parlament. Aty janë parashikuar elementë të veçantë. Pjesa e akreditimit është shumë e rëndësishme, pjesa e plotësimit të kushteve dhe standaredeve që do të kërkohen nga MSH është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe këto do të kontrollohen që të jenë jo vetëm në momentin e liçensimit dhe lidhjes së kontratës, por do të ketë një proces të rreptë monitorimi dhe kontrolli edhe pas kontraktimit, kontroll i cili do të jetë në vazhdimësi”, theksoi Hana. Drejtoresha e ISKSH-së tha gjithashtu se do të krijohet një regjistri i ri, ku do të regjistrohen dhënësit privatë të shërbimit, i cili do të përfshijë vetëm subjekte të licencuara dhe të akredituara nga organet përkatëse për dhënien e shërbimit shëndetësor.

Ligji

Qeveria miratoi pak ditë më parë ligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, i cili pritet të kalojë së shpejti për miratim në parlament për të marrë formën përfundimtare. “Ligji i ri u hartua nga specialistët tanë, një punë disa vjecare e konsultuar me ekspertët më të mirë të Bankës Botërore. Tani kemi në duar një ligj shumë të mirë për kushtet e Shqipërisë, ligj i cili i hap rrugën ambicieve tona dhe të qeverisë që të bëhet mbulimi i plotë i popullatës nga sigurimet shëndetësore”, tha drejtoresha e ISKSH-së. Hana shpjegoi gjithashtu se si do të funksionojë skema e re dhe rolin që pritet të ketë ISKSH i cili shndërrohet tashmë në Fond Sigurimesh. Ligji mbulon të siguruarit të cilët paguajnë 3.4% kontribute (pra nuk ka ndryshuar masa e kontributit), ndërsa të pasiguruarit mbulohen nga shteti. Sipas ligjit shteti merr përsipër një peshë të konsiderueshme financiare (madje më tepër se në vendet evropiane) duke mbuluar të papunët, fëmijët, pensionistët etj). Qëllimi i këtij ligji sipas ISKSH-së është social pasi krijon mbrojtje të lartë të popullsisë në aspektin shëndetësor dhe mbulon sigurimet shëndetësore për të gjithë.

13 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›