Vendimi: Policët e transferuar marrin dietë 10% të pagës në ditë
Anilejda Shëmbitraku
Punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, duke filluar që nga muaji shkurt, do të marrin dieta për shërbimet që bëjnë jashtë qendrës së banimit brenda vendit. Tashmë vendimi i Këshillit të Ministrave “Për trajtimin Financiar të Punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit” është publikuar dje në Fletoren Zyrtare Nr. 176 dhe do të fillojë të zbatohet pas 15 ditëve.
Kategoritë
Nisur nga ky vendim, të drejtën për përfitimin e dietave e kanë punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të cilët gjatë ditëve zyrtare të punës shkojnë me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit. Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme përfshihen: njësitë e qeverisjes qendrore, që janë; njësitë e pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, me ligj ose me vendim të Këshillit të Ministrave; njësitë e qeverisjes vendore, që janë njësitë e niveleve të ndryshme vendore, të krijuara me ligj; njësitë e fondeve speciale, që janë njësitë e krijuara me ligje specifike.
Dietat
Trajtimi financiar i punonjësve për përballimin e shpenzimeve të shërbimit bëhet i diferencuar, sipas distancës së shërbimit nga qendra e punës. Për shërbime në një largësi deri në 100 km jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin vetëm shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifa përkatëse. Në këtë kategori bëjnë përjashtim punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, kur marrin pjesë në shërbime operacionale. Për shërbime në një largësi mbi 100 km jashtë qendrës së punës, punonjësit i përballohen gjerësisht të gjitha shpenzimet. Por, të gjitha këto pagesa do të bëhen vetëm në rastet kur faturat e shpenzimeve nga ana e punonjësve janë të shoqëruara me dokument tatimor. Dokument tatimor, për efekt të këtij vendimi, do të konsiderohet çdo biletë transporti e miratuar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe çdo faturë e thjeshtë apo
me TVSH, e cila detyrimisht duhet të shoqërohet me faturë të printuar nga kasa elektronike fiskale.
Dietat
Ja çfarë paguhet nga shteti
1- Dietë ditore, e cila për çdo punonjës të dërguar me shërbim, llogaritet: në masën 1000 (një mijë) lekë në ditë, kur punonjësi kthehet brenda ditës; në masën 10% të pagës mujore, por jo më shumë se 2500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, kur shërbimi zgjat më shumë se një ditë. Për efekt të llogaritjes së dietës, në këtë rast, data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten një ditë e plotë.
2- Shpenzimet e fjetjes kundrejt dokumentit tatimor përkatës të paraqitur nga hoteli e të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, por jo më shumë se 3000 (tre mijë) lekë, për çdo natë.
3- Shpenzimet e transportit në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifa përkatëse.
Policia
Kërkesat që ka plotësuar qeveria
1- Masa e pagës sipas gradës.
2- Pajisja me uniforma sipas kërkesave imediate të disa burgjeve.
3- Ndryshimi i pagës për punonjësit e transferuar.
4- Ndryshimi i kushteve për trajtimin ushqimor të punonjësve të Policisë së Burgjeve.
5- Në janar 2011, Policia e Burgjeve do të ketë kontratën e saj kolektive dhe kontratën individuale të punës.
Kërkesat
Çfarë i ka kërkuar Sindikata qeverisë
1- Të miratohet sa më parë VKM për pagat sipas gradave në Policinë e Burgjeve, duke filluar zbatimi i tij që nga viti 2008.
2- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të nënshkruajë kontratën kolektive të punës me Sindikatën, si të vetmen zgjidhje për zbatim të drejtash dhe detyrimesh në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
3- Të jepet zgjidhje e shpejtë lidhur me pajisjen me uniforma dhe trajtimin ushqimor sipas normave dhe ligjeve të miratuara.
4- Të zgjidhet problemi i transportit për punonjësit, ose të jepet një bonus mujor financiar për përballimin e shpenzimeve.
5- Të ndalen transferimet e punonjësve dhe të kthehen ata punonjës që vazhdojnë të vuajnë prej këtij fenomeni.
6- Të fillojë transparenca e pagave për çdo punonjës dhe të zbatohet java 40-orëshe e punës. Orët shtesë, ditët e festave, gatishmëritë dhe orët e natës të paguhen sipas Ligjit Nr. 7961, dt. 12.07.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
7- Të sigurohet jeta e punonjësit të policisë dhe të jepet një rrugëzgjidhje për strehimin e atyre familjarëve në banesa sociale shtetërore.
8- Shërbimi mjekësor të jetë falas dhe të mos neglizhohet kurimi i tyre nga spitalet shtetërore shqiptare.
9- Të fillojë trajnimi i punonjësve sipas praktikës europiane, ku të përfshihen temat e të drejtave sociale e civile.
Prefektët
Paguhen nga institucioni që kryen transferimin
Prefektët e qarqeve që kryejnë funksione larg vendbanimeve të tyre, kur nuk u janë siguruar kushtet për fjetje pranë vendit të punës, përfitojnë dietë dhe u paguhen shpenzimet e ditës për një periudhë jo më shumë se një muaj. Pas një muaji nga data e emërimit të tij, shpenzimet e fjetjes, por jo më shumë se 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj përballohen nga vetë institucioni urdhërues, deri në momentin e sigurimit të një banese.
Studentët dhe pedagogët
Paguhen nga universiteti për praktikat mësimore
Studentët dhe nxënësit, si dhe trupa shoqëruese pedagogjike që kryejnë praktika mësimore, ekspozita apo veprimtari jashtë qendrës së institucionit arsimor publik, nuk përfitojnë dietë. Shpenzimet e udhëtimit dhe të fjetjes së tyre përballohen nga institucionet përkatëse të arsimit, sipas dokumenteve përkatëse tatimore.
13 Janar 2011