E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet me procedurë të përshpejtuar ligji “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”

29-06-2011 / Gazeta 55

Opozita sërish bojkotoi seancën e djeshme plenare të Kuvendit
   
Kuvendi miratoi dje me 71 votat e deputetëve të mazhorancës projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të disa ndryshimeve në ligjin ‘Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave’”.
Ky projektligj, parashikon një amendim të ligjit në fjalë, të miratuar në tetor 2000, i cili synon të zgjidhë nevojat imediate për një përmirësim të kuadrit ligjor, në mënyrë që të krijohet një bazë e konsoliduar dhe e plotë ligjore për procesin e censusit të popullsisë dhe të banesave.
Kjo bazë ligjore ndihmon në përcaktimin e një procedure edhe më transparente për censusin, mekanizma institucionalë me kompetenca e detyra të ndara qartë, duke përmirësuar ndjeshëm marrëdhënien midis tyre, me qëllim kryesor zbatimin me eficencë të dispozitave të ligjit.
Pas seancës plenare, ku u vendos që ky ligj të kalojë për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, tha se ndryshimet e fundit e ndajnë regjistrimin dhe vetëdeklarimin vullnetar të popullatës nga regjistri themeltar i shtetasve dhe për ata që bëjnë deklarata të rreme do të ketë gjoba deri 1 mijë dollarë.
“Sot kemi një Regjistër Kombëtar Civil ndër më të mirët në rajon dhe Evropë, si dhe lista zgjedhore të besueshme. Pra lidhja Census - Regjistër abrogohet me projektligjin e sotëm. Të dhënat e vjela nga censusi do të kenë vetëm kuptim statistikor dhe nuk mund të lidhen me identitetin e personit apo të banesës. Projektligji parashikon edhe një gjobë prej 1 milionë lekë për këdo që shkel normat ligjore apo për cilindo që bën deklaratë të rremë në procesin e censusit”, tha ministri Genc Pollo.
Nga ana e tij, deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri, deklaroi se partia e tij i mbetet qëndrimit për të mos e votuar një ligj për regjistrimin ku kombësia dhe feja do të përcaktohen me vetëdeklarim.
“Ne do të votojmë ligjin për regjistrimin e popullsisë, por vetëm me një kusht që nuk duhet të ketë në formular pyetje me vetëdeklarim të pabazuar në fakte dhe në prova për kombësinë dhe fenë. Nëse një ligj që përmban pyetje të tilla do të votohet, atëherë kjo do të jetë antishqiptarizma më e madhe që do të bëjë ky parlament”, tha deputeti Tahiri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›