Kryeministrit Sali Berisha priti në një takim Drejtoreshën e Bankës Botërore për Shqipërinë
Kryeministri vlerëson bashkëpunimin me Bankën Botërore si edhe projektet që financohen në Shqipëri nga kjo bankë
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim, Drejtoreshën e Bankës Botërore për Shqipërinë, Jane Armitage dhe delegacionin që e shoqëronte.
Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë vlerësoi bashkëpunimin me Bankën Botërore si edhe projektet e rëndësishme që po zbatohen në Shqipëri të financuara nga kjo bankë.
Më tej, Berisha u ndal në sektorët prioritar të cilët do të përbëjnë bazën e Dokumentit të Politikave për Zhvillim 2011-2014 si, vazhdimi i reformës së Pronësisë së Tokës, mbështetja për Arsimin e lartë me synimin e rritjes së cilësisë së tij, rritja e performancës dhe menaxhimit në sektorin e ujit të pijshëm si edhe kullimit e vaditjes.
Gjithashtu kryeministri shtoi që në këtë Dokument, përfshihet edhe zgjerimi dhe intensifikimi i reformës së inspektimit si edhe ndërmarrja e disa iniciativave të rëndësishme në fushën e teknologjisë së komunikimit dhe Informacionit, të cilat do t’i hapin rrugën partneritetit publik-privat në këtë fushë.
Kreu i ekzekutivit theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes së pushtetit vendor për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe rritjen e nivelit të mbledhjes së taksave.
Nga ana e saj, Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Jane Armitage vlerësoi shumë vëmendjen që qeveria i ka kushtuar zbatimit të këtyre reformave kyçe për vendin, të cilat do të mbështeten me financime të Bankës Botërore për kryerjen e investimeve të mëtejshme në këto fusha.