E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama vazhdon akuzat dhe kërcënimet ndaj institucioneve të pavarura

29-06-2011 / Gazeta 55

Reagon në emër të PD-së Jorida Tabaku, pas akuzave dhe kërcënimeve të PS-së ndaj KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor

“Sot Rama vazhdoi sërish përpjekjet për të përbaltur procesin zgjedhor. Të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se këto zgjedhje ishin të ndershme, të lira, transparente dhe zgjedhjet më të mira që janë bërë në Shqipëri, ku gjithçka u shfaq drejtpërdrejt në ekrane”. Kështu u shpreh dje për mediat, kryesuesja e listës së këshilltarëve bashkiakë demokratë, Jorida Tabaku, gjatë një konference për shtyp.
Sipas saj, në këto zgjedhje morën pjesë 1 milionë e 600 mijë qytetarë duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord për sa u përket zgjedhjeve lokale.
“Komuniteti ndërkombëtar i ka vlerësuar këto zgjedhje në mënyrë të përsëritur. Demokracia nuk është në rrezik kur numërohet çdo votë, demokracia vihet në rrezik nëse nuk dëgjohet zëri i qytetarëve. Demokracia funksionon më lehtë kur ka një diferencë të konsiderueshme në rezultat, por demokracia provohet kur ka një rezultat të ngushtë, dhe këto zgjedhje në Tiranë treguan forcën e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura, duke ndjekur rrugën e ligjit që mundësoi dëgjimin e zërit të çdo qytetari. Më shumë qytetarë votuan për kandidatin e Aleancës për Qytetarin që të jetë kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, por më e rëndësishme se kjo, është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari”, shtoi ajo.
Duke përfunduar se “sot, cirku i Edi Ramës vazhdoi me akuzat e pabaza dhe me kërcënime ndaj institucioneve të pavarura. Rama e quan veprimin e KQZ të paligjshëm, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u urdhërua të numëronte dhe shqyrtonte votat nga Kolegji Zgjedhor, si rezultat i kërkesës ligjore që bëri vetë Edi Rama. Kjo është arsyeja pse të gjithë qytetarët në Shqipëri po pyesin; Përse Edi Rama kërkon të mbysë zërin e qytetarëve? Përse EdiRama nuk pranon rezultatin e demokracisë?”, përfundoi ajo
Reagimi i Jorida Tabakut, erdhi pas kërcënimit të radhës, që në emër të PS-së, deputetja Olta Xhaçka adresoi dje ndaj KQZ-së dhe Koelgjit Zgjedhor.
Duke e quajtur vendimin e KQZ-së, që shpallte Lulzim Bashën si “të pavlefshëm dhe kriminal”, Olta Xhaçka, nuk kurseu as presionet dhe kërcënimet ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, të cilët i etiketoi si “gjyqtarë të kapur nga pushteti”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›