Miratohet ngritja e komisionit hetimor për Ramën. Islami, Dogjani e Kadeli votojnë pro
Kuvendi ka miratuar kërkesën e grupit parlamentar të PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për kreun e opozitës, Edi Rama, pas incidentit të ndodhur në Vjenë me djalin e Neritan Cekës.
Ngritja e komisionit hetimor është miratuar me 71 vota pro, mes të cilave edhe votat e ish-deputetëve socialistë Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli.
Në krye të këtij komisioni hetimor do të jetë deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, tha në një prononcim për A1 Report, se një vendimmarrje e tillë është e jashtëligjshme.
Vendimet nuk mund të merren brenda 2-3 ditësh. Sipas rregullores së Kuvendit, duhen të paktën 15 ditë për të shqyrtuar kërkesën dhe për ta futur në rend dite. Axhendën e Kuvendit nuk mund ta bëjë PD-ja, tha Ruçi./b.l