Rama: Komisioni, medalja e radhës nga PD. Jo prezencë të zgjeruar të LSI në listat e PS-së
Kreu socialist, Edi Rama, ka mbajtur një bashkëbisedim me gazetarët gjatë ditës së sotme. Fillimisht ai u ndal në ngritjen e komisionit hetimor nga ana e PD-së për të, duke thënë se ky komision është medalja e radhës për të.
Sa i përket veshit, shprehem i kënaqur që mora medaljen e radhës nga PD dhe kryetari i saj, që do të thotë komisionin hetimor të radhës. Megjithëse nga komisioni në komision shfaqet dështimi dhe rrënimi i qeverisjes, rrënimi i përgjithshëm i PD, që sot është një parti familjare, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Duke u ndaluar tek kaolicioni me LSI-së, Rama ka thënë se nuk do të ketë prezencë të zgjeruar të përfaqësuesve të kësaj partie në listat zgjedhore të PS-së.
Është përjashtuar edhe nga vetë kreu u LSI-së pjesëmarrja e kësaj partie me prezencë të zgjeruar në listat tona. Ne do tu paraqesim shqiptarëve një skuadër konkurruese. Ne do të dalim para shqiptarëve me një aleancë për Shqipërinë europiane, më e gjera që ka pasur ndonjëherë në këtë vend në një konkurrim zgjedhor. Do të jemi në kohezion, në harmoni me aleatët. Bashkimi PS-LSI nuk është bashkim mekanik, aritmetik apo me qëllim rikthimin në të shkuarën. Është bashkim strategjik, me objektiv fitoren e zgjedhjeve dhe përsosjen e mekanizmave të qeverisjes, duke e rikonceptuar atë nga themeli, tha Rama.
Ai është shprehur ndërkohë se kushdo i ka dyert e hapura tek PS, mes të cilëve edhe të larguarit dhe të zhgënjyerit e AK-së.
Po mirëpresim në mënyrë të vazhdueshme drejtues, themelues të PD ashtu si nga forcat e tjera. Mirëpresim të gjithë ata patriotë, idealistë e njerëz të ndershëm, që u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuqezi, drejt një rruge ky fatkeqësisht destinacioni ishte oborri i Saliut. Është spekuluar në mënyrë të pashembullt me gjithë ndjekësit e ndershëm të Aleancës Kuqezi, vijoi kryesocialisti.
Rama u shpreh i shqetësuar ndërkohë me dublimet në listat zgjedhore, por pavarësisht kësaj, Rama tha se fitorja e opozitës nuk mund të shmanget.
Shqipëria sot është një rrëmujë e tërë kudo. Është rrëmujë me listat, me pronat, me rrugët, me shkollat e universitetet, rrëmujë nga të katër anët dhe ku ta shohësh është vetëm rrëmujë. Duke qenë të vetëdijshëm për rrëmujën e listave, nuk ka asnjë dyshime se ne do ti fitojmë zgjedhjet dhe me qeverinë e re do të rikthejmë rregullin. Nuk mundemi tani të tërhiqemi para kësaj rrëmuje. Jemi këtu për ta zhbërë atë me një projekt të qartë, me një program të detajuar, tha ai.
Kryesocialisti është përgjigjur edhe mbi protestën e organizuar pak ditë më parë në shtëpinë e ish-deputetit socialist, Kastriot Islami. Ai ka thënë se ajo ishte një protestë spontante dhe normale, duke qenë se votuesit kanë të drejtë të kërkojnë llogari ndaj atyre që u kanë dhënë votën./b.l