E Diel, 1 Nëntor 2026

Seancë e Komisionit amerikan të Helsinkit/ Alarmohet Kongresi: Standardet e zgjedhjeve kanë nisur të bien që tani

61959Seancat e Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, i njohur ndryshe si Komisioni amerikan i Helsinkit, kanë pasur një rëndësi të madhe në jetën politike shqiptare këto 20 vite.

Komisioni, që bashkëdrejtohet nga një kongresmen dhe nga një senator amerikan, Christopher Smith dhe Benjamin Cardin, rrallë organizon seanca të posaçme kaq pranë zgjedhjeve.

Por të hënën që vjen, më 6 maj, do ketë një seancë dëgjimore të posaçme për Shqipërinë, për të diskutuar për zgjedhjet, por mbi të gjitha për faktin se që tani standardet zgjedhore janë poshtë pritshmërive.

Pavarësisht progresit, Shqipëria vazhdon të hasë probleme në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, përfshi respektimin e ligjeve. Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet parlamentare në qershor, kjo seancë shpreson të vlerësojë shkallën në të cilën progresi ka nisur të bjerë poshtë pritshmërive në vend dhe jashtë, dhe se çfarë mund të bëhet për të përshpejtuar rrugën për reformat e mëtejshme sa i përket qeverisjes së mirë, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në seancën dëgjimore do flasin Philip Reeker, zëvendës/asistent Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike; Gilbert Galanxhi, ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Elez Biberaj, drejtor i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës dhe Besa Shahini, analiste pranë Iniciativës për Stabilitetin Europian.

Dy nga seancat më të rëndësishme të këtij komisioni janë realizuar për zgjedhjet e vitit 1996, por edhe përpara zgjedhjeve të vitit 2005, ku u kryqëzua ish- kryeministri Fatos Nano.

Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë është një agjenci amerikane që monitoron progresin në implementimin e parashikimeve të Marrëveshjes së Helsinkit në vitin 1975.

Komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë nga Senati amerikan, nëntë anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga një anëtar nga Departamenti i Shtetit, i Mbrojtjes dhe i Tregtisë./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›