Miratohet rregullorja e re për kontrollin e trupës inspektuese, krijohet Regjistri Kombëtar dhe Karta e re me Kod QR për çdo inspektor

Është publikuar të martën urdhri, i cili përcakton rregullat e reja për krijimin, administrimin dhe funksionimin e Regjistrit të Inspektorëve në Shqipëri. Dokumenti i ri rregullon procesin e identifikimit elektronik, gjenerimin e numrave unikë dhe pajisjen e trupës inspektuese me kartën zyrtare me kod QR, duke shfuqizuar udhëzimet e vjetra që datonin nga viti 2016.
Identifikuesi i përhershëm personal (NUI) dhe Karta me Kod QR
Sipas urdhrit të nënshkruar nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, çdo inspektor do të pajiset automatikisht nga sistemi elektronik e-Inspektimi me një Numër Unik Identifikimi (NUI). Ky numër do të jetë personal, alfanumerik dhe i pandryshueshëm gjatë gjithë karrierës profesionale, madje edhe në rastet kur inspektori ndryshon institucion apo fushë përgjegjësie.
Paralelisht me NUI-n, inspektorët do të pajisen me Kartën e re të Inspektorit, e cila do të përmbajë një Numër Kartë (NKI) të ndryshueshëm në rast rilëshimi dhe një kod unik QR për verifikim në kohë reale.
“Kodi QR shërben për verifikimin elektronik të vlefshmërisë së Kartës së Inspektorit dhe statusit të inspektorit në kohë reale. Verifikimi elektronik realizohet nëpërmjet sistemit elektronik e-Inspektimi.”, thuhet në urdhrin e nga Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula.
Ky mekanizëm garanton se trupa inspektuese mund të identifikojë veten në mënyrë të sigurt gjatë kontrolleve në terren, ndërsa qytetarët dhe subjektet e inspektuara mund të verifikojnë menjëherë legjitimitetin e tyre.
Detyrimet administrative dhe siguria e të dhënave
Akti i ri normativ ngarkon institucionet përkatëse me detyrime të qarta për administrimin e të dhënave.
Institucionet inspektuese detyrohen të regjistrojnë çdo ndryshim të statusit të punonjësve brenda jo më shumë se 5 ditëve pune nga hyrja në fuqi e aktit përkatës.
Regjistri elektronik ruan automatikisht të gjithë historikun e karrierës profesionale të inspektorit (emërimet, pezullimet, çaktivizimet) pa mundësi fshirjeje.
Sistemi e-Inspektimi do të regjistrojë në mënyrë të automatizuar çdo hyrje apo veprim të kryer nga përdoruesit e autorizuar (Audit Log), në përputhje me standardet e mbrojtjes së të dhënave personale.
Urdhri i ri ka hyrë zyrtarisht në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.
/rtsh.al/