E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet strategjia kundër dhunës ndaj grave

Draft–Strategjia e prezantuar dhe miratuar sot është një rishikim i Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje dhe Planit të saj të Veprimit 2007-2010, e cila si një strategji ndërsektoriale afatmesme, ishte pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) 2007-2013, së bashku me 15 strategji të tjera ndërsektoriale dhe 12 strategji sektoriale.

Zv/ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, znj. Filloreta Kodra, në prezantimin e Draft-Strategjisë vuri në dukje se “rishikimi i saj ishte fryt i një procesi ndërveprues dhe gjithëpërfshirës, i udhëhequr nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, mbështetur nga UN WOMEN dhe UNDP në Shqipëri, e cila angazhoi institucione të qeverisjes qendrore, lokale, shoqërisë civile, shoqatave jo-qeveritare, grupe të ndryshme interesi, përfaqësues të forcave politike në vend, përfaqësues të fushës akademike, si dhe donatorë e partnerë ndërkombëtarë”.

Znj. Kodra vuri në dukje se “Strategjia e rishikuar është konceptuar mbi analizën dhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme si: Barazia Gjinore dhe Reduktimi i Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje dhe synon të bëjë përpjekje drejt arritjes së barazisë gjinore në Shqipëri, nëpërmjet integrimit të perspektivës gjinore në të gjitha aspektet e hartimit dhe zbatimit të politikave, si dhe të përmirësojë mbrojtjen, reagimin e autoriteteve publike dhe mbështetjen për viktimat e dhunës me bazë gjinore, si dhe të theksojë punën parandaluese, duke adresuar shkaqet e dhunës dhe abuzimit në familje dhe shoqëri.

Sipas zv/Ministres së Punës, “dokumenti i ri është fokusuar në forcimin e mekanizmit institucional dhe ligjor në fushën e barazisë gjinore dhe në rritjen e përfaqësimit të grave jo vetëm në vendimarrjen politike dhe publike, edhe në fusha të konsideruara deri tani si domen i burrave, të tilla si në forcat e rendit, të mbrojtjes, misionet paqeruajtëse, etj.” /Start/

                                                                                             2011-05-31 14:21
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›