E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali vret nënë e baba, hedh trupat në kanal

Kurbin, Ali dhe Gjyze Halili janë gjetur të vrarë me një goditje sëpate pas koke. Arrestohet djali, pranoi vrasjen

KURBIN- Zbulimi i trupave të bashkëshortëve Ali dhe Gjyze Halili të hedhur në një kanal ujërash të zeza pranë shtëpisë së tyre ka hedhur dyshimet në lidhje me një vrasje makabër që mund të ketë rrënjë brenda familjes. Ata ishin “zhdukur” tre ditë më parë dhe tashmë të gjitha dyshimet bien mbi djalin e tyre. Ai është shoqëruar në komisariatin e policisë por deri në orët e vona të natës nuk është vendosur ende arrestimi apo jo i tij. Sipas burimeve të grupit hetimor, djali ka treguar të gjithë ngjarjen e zhdukjes, vrasjes dhe hedhjes së trupave të prindërve të tij në kanal por duke thënë se i kishte parë në ëndërr. Kjo ka bërë që hetuesit të mendojnë se ai ka probleme mendore dhe gjithçka e ka kryer pa vetëdije. Të dy trupat kanë plagë pas koke, të cilat mendohet se janë shkaktuar me sëpatë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme djali ka pranuar krimin dhe është arrestuar nga policia me akuzën e vrasjes së prindërve të tij.

Sipas Muharrem Halilit, vëllait të viktimës, tre ditë më parë, vajzat dhe djali i viktimës që ndodhen në Itali, i kanë telefonuar tepër të shqetësuar. Ata kanë thënë se telefonat e Aliut dhe Gjyzes dilnin të fikur dhe kjo i kishte shqetësuar. I fundit që ka biseduar me Aliun ka qenë dhëndri i tij nga Italia në orën 10.20 të katër ditëve më parë. Teksa vajza kishte marrë Gjyzen në telefon dhe telefoni i saj kishte dalë i fikur, dhëndri i viktimës kishte marrë Aliun në telefon. Ai i kishte thënë se sapo kishte zbritur nga furgoni dhe po hynte në portën e avllisë në shtëpi, ku e priste bashkëshortja dhe djali i tij i vogël Shkëlzeni. Pas një ore ka telefonuar sërish vajza e tjetër por telefonat kanë dalë të fikur. Pasi janë përpjekur gjatë të gjithë ditës ata i kanë kërkuar xhaxhait të shkonte në shtëpinë e tyre e të kërkonte për Aliun dhe Gjyzen. “Kur erdha në shtëpi kam gjetur Shkëlzenin i cili ishte ulur në një karrige dhe po hante bukë. Ai ishte shumë i qetë dhe nuk dallohej se kishte ndonjë shqetësim. E pyeta për Aliun dhe Gjyzen dhe ai më tha se kanë dalë së bashku dhe nuk e di ku kishin ikur. Unë e pyeta sërish por ai mu përgjigj pse po më pyet kaq shume ndërsa janë babi dhe nëna ime dhe kur unë nuk bëhem merak çfarë ke ti. Kam telefonuar dhe kam pyetur tek të gjithë të afërmit e familjes dhe pasi kam marrë përgjigjen se nuk i kishin parë, kam kërkuar edhe ndihmën e policisë”,- tregon Muharrem Halili. Pas insistimit të familjes policia ka shoqëruar në komisariat djalin ndërsa hetuesit kanë nisur të kërkojnë në të gjithë shtëpinë. Ata kanë kërkuar edhe në lumin Mat por pa rezultat.

Por disa fëmijë i kanë treguar policisë dhe familjarëve se dy pleqtë i kishin parë pranë një kanali por as aty nuk u gjendën. Sipas rrëfimit të Muharrem Halilit, Shkëlzeni pas kthimit nga policia kishte shfaqur shenja nervozizmi. Ay ka akuzuar të afërmit se e kanë dërguar në polici por ai ishte më i shkathët se ata. “Edhe përse për asnjë moment nuk i ndërpremë kërkimet, mëngjesin e sotëm (dje) shkova sërish në shtëpinë e Aliut dhe takova Shkëlzenin, i cili po pinte kafe në mëngjes dhe ishte mjaft i qetë. I thashë se mos dinte gjë, por ai më tha se mos kanë ikur tek ndonjë i afërm. Teksa tentova të kontrolloja në bahçe, Shkëlzeni më tha se nuk ka gjë aty. Në këtë moment më ka telefonuar policia që më tha se kishte gjetur trupat në kanalin e ujërave të zeza”,- tregon Muharremi.

Zbulimi i trupave në pusetën e ujërave të zeza

Sipas familjarëve, i pari që gjetur dy trupat pa jetë ka qenë polici i grupit të gatshëm Artan Buzi. Kur janë afruar tek gryka e pusetës së ujërave të zeza, Buzi ka këmbëngulur që të hiqej kapaku, pavarësisht mbulimit me shkurre dhe puthitjes së tij të mirë që nuk linte asgjë për të dyshuar. Me të hequr kapakun, Buzi ka futur një shkop në ujërat e zeza dhe aty ka dalluar trupat. Ngjarja ka alarmuar edhe krerët e policisë shqiptare, të cilët kanë shkuar atje vetëm pas pak minutash. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes pohuan se policisë i janë dashur katër orë për të nxjerrë trupat me ndihmën edhe të një vinçi e repartit të zjarrfikëses. Me të nxjerrë nga pusi të dy bashkëshortëve Ali Halili dhe Gjyze Halili është konstatuar se ata kishin pothuajse në të njëjtin vend nga një goditje me sëpatë në kokë. Ndërkohë që në afërsi të pusit janë gjetur edhe syzet e Ali Halilit. Burime të policisë bëjnë të ditur se përreth kapakut të pusetës nuk është vënë re asnjë shenje dalluese, pasi autori i krimit kishte spërkatur me ujë vendin përreth duke mos lënë asnjë gjurmë.

Kush është Shkëlzen Halili

Burime të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se Shkëlzen Halili është 30 vjeç dhe ka të paktën tre vite që është kthyer me emigrimi ku kishte jetuar në Angli. Madje atje ai kishte kryer edhe një vit e gjysmë burg, si emigrant i paligjshëm dhe më pas ishte kthyer në Shqipëri. Familjarët e tij bëjnë të ditur që nga koha që Shkëlzeni kishte ardhur nga Anglia kishte shfaqur edhe probleme nervore. Ai nuk fliste, ishte i mbyllur dhe kohët e fundit kishte filluar të bëhej agresiv. Vazhdimisht Shkëlzeni ishte bërë shqetësues për Aliun dhe Gjyzen, por që ishin munduar ta qetësonin. Tre javët e fundit ai ishte bërë edhe agresiv, ndërsa i vëllai i tij i kishte dërguar nga Anglia një makinë.

Kush ishte Ali Halili

Ali Halili ishte njeri që i ka dhënë shumë artit dhe muzikës në rrethit e Kurbinit. Ai ka qenë pjesëmarrës në ansamblin e Kurbinit si dhe një rapsod që dallohej për zërin e veçantë. Aliu nuk ishte shkëputur asnjëherë nga muzika dhe vazhdonte ende që të merrte pjesë në çdo aktivitet kulturor. Ai kishte katër fëmijë, dy vajza të martuara dhe që ndodheshin në emigrim në Itali si dhe dy djem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›