Mirë të jesh i pari

Pirlo, 32 vjeç, kërkon që Juventus të mos entuziazmohet së tepërmi dhe të qëndrojë i vetëdijshëm se ende nuk është fituar asgjë.
“Përqendrimi deri më tani ka qenë më tepër se pozitiv. Ne filluam me një skuadër të re, trajner të ri dhe patëm seri të mirë, duke iu qasur secilës ndeshje me radhë, derisa përmirësuam lojën tonë”, tha ish mesfushori i Milanit për ueb faqen zyrtare të Juventusit.
“Jemi të lumtur që jemi në krye pas pjesës së parë të sezonit, është mirë të jesh i pari. Por, jemi të vetëdijshëm se kampionati është mjaft i baraspeshuar dhe e dimë se ende nuk kemi fituar asgjë. Vlerësimet duhet të bëhen në fund të sezonit, por për ne është me rëndësi të jemi lider”, përfundoi ai.
Juventus është duke u përgatitur për ndeshjen çerekfinale në Coppa Italia kundër Romës në shtëpi të martën, para se të ndeshet me Udinesen në Serie A të shtunën.