E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj uron kroatët për referendumin e suksesshëm

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një telegrami urimi dërguar ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Vesna Pusiq, ka uruar popullin kroat për referendumin e suksesshëm, që i hap rrugë Kroacisë për t’u bërë shteti i 28 anëtar i Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, ministri Hoxhaj në telegram ka thënë se Kroacia mbetet model për shtetet tjera të Ballkanit, që presin anëtarësimin në BE.

“Referendumi i popullit të Kroacisë që shpreh aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është një momentum dhe shtytës i rëndësishëm për shtetet tjera të Ballkanit, që synojnë familjen e madhe evropiane”, thuhet në telegram.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se viti 2012 është viti i Kosovës evropiane.

“Ky vit do të jetë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Vit në të cilin për qytetarët e Kosovës do të ketë një perspektivë të qartë evropiane, vit në të cilin presim lëvizjen pa viza në Evropë, vit në të cilin presim nënshkrimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, ky është viti i Kosovës evropiane”, ka shtuar Hoxhaj.

Në Kroaci, komisioni shtetëror për referendumin njoftoi se pothuajse me të gjitha votat e numëruara, del se rreth 66 për qind të votuesve kroatë mbështesin anëtarësimin e vendit të tyre në BE, përderisa 33 për qind e votuesve e kundërshtuan një gjë të tillë, ndërsa një për qind e fletëvotimeve ishin të pavlefshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›