E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirel: Kriteri politik, kusht themelor për ecurinë e integrimitNga Faktori PlusFlet në emisionin “Faktori Plus” drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel Si e gjykoni ecur

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mirel: Kriteri politik, kusht themelor për ecurinë e integrimitNga Faktori Plus

Flet në emisionin “Faktori Plus” drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel

Si e gjykoni ecurinë e Shqipërisë, duke e ditur aspiratën e vendit tonë dhe shqiptarëve?

Për sa i përket vullnetit të popullit, e përmendi edhe zoti kryeministër, i cili tha se vullneti i popullit është vërtetë i lartë duke përmendur edhe shifrën prej 96%, por përveç vullnetit të popullit janë edhe sfidat e larta për sa i përket procesit të integrimit. Ne e kemi treguar se cilat janë këto sfida të mëdha, e kemi thënë edhe në Progres-Raportin që e nxorëm muajin e kaluar, pra kemi të bëjmë edhe me kriteret politike dhe gjërat më të rëndësishme për sa i përket Shqipërisë në rrugën drejt BE. Kur i ngremë këto çështje, si mirëfunksionimi i gjyqësorit apo lufta kundër korrupsionit, i ngremë pikërisht se është në të mirë të popullit. Qytetarët kërkojnë një gjyqësor që të jetë transparent, të funksionojë shumë mirë, pasi ata kërkojnë një jetë shumë më të mirë. Prandaj ne shpresojmë që duke pasur nga njëra anë një vullnet të lartë të popullit për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, dhe nga ana tjetër një vullnet dhe angazhim të lartë të qeverisë pikërisht për këtë çështje, duket se procesi duhet të jetë më i lehtë. Por ky është një proces i vështirë dhe një rrugë, e cila ka të ngriturat e veta. Është e lehtë të hartosh rregullat, ligjet, pra kjo nuk është shumë e vështirë, por pjesa e vështirë është zbatimi i këtyre ligjeve që janë miratuar. Kjo është pjesa e vështirë. Kjo është sfida e integrimit në BE, jo vetëm për Shqipërinë.

Ju përmendët që kriteret politike janë vendimtare në përgatitjen e Opinionit që Komisioni Evropian do të bëjë mbi gatishmërinë e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Aktualisht Shqipëria është në një krizë politike. Ju në takimet me autoritetet shqiptare keni thënë që opozita bëhet në parlament, por edhe mazhoranca të gjejë rrugët se si ta kthejë këtë opozitë në parlament. Çfarë keni parasysh me këto deklarata, pra çfarë duhet bërë nga të dy palët?

Edhe njëherë dua të përsëris atë që kam thënë, që ka të bëjë me kriteret politike. Mes këtyre kritereve politike ne kemi përmendur faktin që duhet të ketë një demokraci funksionale. Atëherë lind pyetja: A është kjo një demokraci funksionale? A funksionon parlamenti si duhet? Për momentin nuk funksionon si duhet. Nëse kjo situatë zgjat për shumë kohë, çfarë do të themi ne? Çfarë do të shkruajmë në Opinionin tonë? A do të shkruajmë që parlamenti nuk po funksionon?

Pra ky bojkot është në kundërshtim me progresin e Shqipërisë, dhe në atë imazh që është krijuar për Shqipërinë. Dhe prandaj opozita duhet të kthehet në parlament. Pra ajo që po kërkojmë ne është fakti që të shikojmë dhe të gjejmë ndihmë dhe të kemi ide inovative, të reja, që të shohim se si mund të kthehet opozita në parlament. Të ndihmojmë, që parlamenti të funksionojë ashtu si duhet.

Nga ana tjetër Brukseli ka kërkuar disa herë kompromis, por, me sa duket, në Tiranë janë përkeqësuar tonet, le të themi që opozita demonstroi forcën në një protestë më shumë se 48 orëshe dhe nga ana tjetër qeveria thotë që vendimi është i formës së prerë dhe kutitë e votimit, që janë kusht i opozitës, nuk do të hapen...

Duhet të përsëris atë që thashë më parë, që vendi për dialogun politik është parlamenti dhe jo rrugët. Sindikatat mund të dalin në rrugë dhe të bëjnë kërkesa për të drejtat e tyre, ne jemi në fakt të mësuar të shohim këtë situatë në Paris apo Bruksel. Por në Paris apo Bruksel ne nuk shohim parti politike të dalin në rrugë në protesta. Pra, opozita duhet të kthehet në parlament, aty ku bëhet debati politik.

Nga ana tjetër, përpos formës me të cilën opozita kërkon hapjen e kutive, në kuptimin e kushteve, a ka një kërkese ilegjitime apo të përmbushme të saj?

Nuk mendoj se është roli im të diskutoj apo të flas për kushtet, por gjithsesi dua të përsëris atë që thashë më parë se është parlamenti vendi ku duhet të kryhet debati politik.

Si e shikoni përmbushjen e kushteve të Brukselit, në kushtet kur ju thatë që në Shqipëri nuk po funksionon demokracia, nuk po funksionon parlamenti për shkak të bojkotit? A mund të jenë të përmbushme në këto kushte kriteret e Brukselit?

Siç e thashë edhe më parë, nëse situata vazhdon ende edhe me tej, atëherë ne do na duhet të shkruajmë diçka për këtë në Opinionin tonë që do të japim për Shqipërinë, pasi situata nuk cenohet tani. Prandaj është thelbësore që për të ardhmen e Shqipërisë, për imazhin e Shqipërisë, që situata të kthehet në atë që ishte më përpara.

Specifikisht, a mund të kemi nga Komisioni Evropian, në kushtet e një krize të zgjatur shqiptare, një përgjigje që “Jo, Shqipëria nuk është gati për statusin e vendit kandidat”? Pra, a mund të mbërrihet deri këtu?

Nëse kjo situatë do të zgjatet më tej, sigurisht që kjo do të ketë një ndikim negativ në Opinionin që do të përgatitet. Prandaj ata që po e vazhdojnë këtë bojkot, kanë edhe një përgjegjësi tepër të madhe.

Tashmë që KE ka marrë rekomandimin për të përgatitur Opinionin për Shqipërinë, a mund të themi që në njëfarë mënyrë ky rekomandim ishte i vonuar? Pra, gati 7 muaj pas aplikimit. Në Tiranë një fakt i tillë është debatuar shumë.

Ka pasur një vonesë të minutës së fundit, le të themi për shkak të Traktatit të Lisbonës. Por pse? Sepse Gjermania, pasi e ka ratifikuar Traktatin e Lisbonës, duhet të bënte atë që kishte vendosur Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, e cila do të thoshte se duhet të ishte një konsultim mes qeverisë dhe parlamentit, por ndërkohë kishte edhe zgjedhje në Gjermani. Por duke e parë të gjithë procesin e aplikimit në BE, unë nuk mendoj se kjo periudhë prej disa muajsh është ndonjë vonesë. Ajo që është e rëndësishme është se vendimi i Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE, ka qenë se na ka dhënë ne detyrën për të përgatitur Opinionin dhe kjo është gjëja e rëndësishme tani për gjithë Shqipërinë.

Sa kohë mund të marrë procesi i përgatitjes së Opinionit? Kur Shqipëria mund të ketë një përgjigje për statusin e vendit kandidat?

Mund të them nga përvoja ime personale, dhe këtu kam një përvojë, sepse kam qenë i përfshirë në proceset e aplikimit të vendeve të Evropës Qendrore, mund të them që koha mesatare ka zgjatur nga 12 deri në 16 muaj, dhe për shtete si Hungaria p.sh., kjo periudhë ka zgjatur mbi 16 muaj. Për sa i përket Opinionit dhe hartimit të Opinionit, ajo periudhë mund të shkojë 12 muaj p.sh., si sot një vit të themi, por kjo varet nga shumë gjëra. Kjo varet edhe së pari, sepse Shqipëria duhet të përgatitet për pyetësorin që do t’i jepet, dhe kur them këtë, e kam fjalën për cilësinë përpara shpejtësisë, dhe një kohë e caktuar që do të na duhet ne si Komision Evropian që të përgatisim Opinionin tonë. Sigurisht kjo do të varet edhe nga fakti, nëse do të bëjmë pyetje të tjera, do të na duhet më shumë kohë për këtë, në mënyrë që ne të përgatisim një opinion të drejtë. Por ajo që mbetet më e rëndësishme, është fakti që opinioni ynë të jetë i besueshëm dhe i mirëbazuar apo i bazuar vetëm në ato gjëra që duhen. A mund të na duhet më shumë kohë? A mund të shkojë më shumë kohë për të arritur në këtë? Kjo nuk është shumë e rëndësishme. Ajo që mbetet e rëndësishme është që të kemi një Opinion që të jetë i besueshëm.

Kur do munden shqiptarët të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian?

Për mua, sa më shpejt, aq më mirë. Mezi po pres atë ditë që ne të japim pikërisht këtë lloj propozimi. Disa standarde apo kërkesa janë plotësuar, ajo që ka mbetur për t’u bërë është e ditur tashmë. Më kanë thënë që ministritë apo agjencitë që po e bëjnë këtë punë, po punojnë me shpejtësinë më të plotë të mundshme, kështu që unë shpresoj që ne duke pasur parasysh këtë lloj shpejtësie, të japim propozimin për lëvizjen pa viza, le të them në mes të vitit që vjen. Por kur do të ndodhë kjo tamam, kjo varet nga shpejtësia me të cilën do të ecet. E mendoj që qytetarët shqiptare mendojnë se kjo nuk ka për të ndodhur, se, pasi ne të mbushim disa kritere, ndoshta do të dalin kritere të tjera, por jo, nuk është fare kështu; kriteret janë kritere, kërkesat apo standardet janë pikërisht ato standarde. Nuk kanë për t’u shtuar të tjera. Menjëherë, sapo të plotësohen ato standarde, ne do të japim propozimin që të ketë udhëtim pa viza në BE.

Problemet tona politike a ndikojnë në liberalizimin e vizave, pra në lëvizjen e lirë të shqiptarëve apo kushtet e mbetura janë thjesht teknike?

Jo, me sa di unë, jo. Sepse ato projektligje që duhen miratuar në parlament, nuk kërkojnë 2/3, pra një shumicë të cilësuar, mund të kalojnë me atë që quhet miratim apo votim i thjeshtë. Por, po të isha unë një nga anëtarët e opozitës shqiptare, do të mendohesha mirë, sidomos kur të vinte puna për miratimin e ligjit antidiskriminim, një ligj tepër i rëndësishëm, dhe do të më vinte vërtet keq që të mos isha në parlament, në mënyrë që të kalohej, të miratohej ky ligj. Që do të thotë të përmbushet një nga kriteret e Bashkimit Evropian, pra një nga kriteret politike.

Cila është këshilla juaj për Shqipërinë për t’u afruar më shpejt me Brukselin?

Së pari, të sigurohemi që ato premtime të bëra nga qeveria të plotësohen, pra të ndiqen, dhe së dyti që të angazhohen të gjithë në këtë proces, të bëjnë presion apo trysni, qoftë nëpërmjet shoqatave të biznesit, qoftë nëpërmjet OJQ-ve apo mjeteve të tjera, në mënyrë që të bëhet trysni, në mënyrë që të arrihet në atë qëllim përfundimtar që ka Shqipëria apo 96 % e shoqërisë shqiptare. Dhe sigurisht kjo qendër e informimit të Bashkimit Evropian këtu në Tiranë është themeluar me idenë që të ndihmohet që të gjithë qytetarët shqiptarë apo shoqatat e ndryshme të shoqërisë civile ta kuptojnë më mirë Bashkimin Evropian, procesin e integrimit, që të arrijnë sa më shpejt aty ku duhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›