E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e energjisë do të rriten me 44%, hiqet fashoja e varfërisëNga TemaÇmimet e energjisë do të rriten ashpërsisht për të gjithë konsumatorët shqiptarë duke u bërë 44% më të larta se tani. Tri kompanitë e sistemit energjitik të vendit, Operatori i

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Çmimet e energjisë do të rriten me 44%, hiqet fashoja e varfërisëNga Tema

Çmimet e energjisë do të rriten ashpërsisht për të gjithë konsumatorët shqiptarë duke u bërë 44% më të larta se tani. Tri kompanitë e sistemit energjitik të vendit, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, ai i Transmetimit dhe Prodhimi, kanë publikuar kërkesën për rritje të tarifave, ku kërkesa më e rëndësishme është ajo për rritjen me 44% të çmimit e OSSH, sepse ajo prek drejtpërdrejt qytetarët dhe biznesin. Vitin që vjen çmimet e energjisë do të rriten 23,1% dhe rritja do të vijojë edhe vitin më pas. Një prej ndryshimeve të mëdha në strukturën e çmimeve do të jetë ndryshimi që do të pësojë ajo që është quajtur fashoja e varfërisë dhe ku familjet që shpenzonin deri në 300 kilovat/orë në muaj paguanin një çmim prej 7 lekësh dhe pjesa e energjisë së shpenzuar mbi këtë fasho kishte çmimin 12 lekë në muaj. Struktura e re parashikon eliminimin fare të kësaj fashoje dhe kjo do të thotë se barra më e rëndë pritet të bjerë mbi familjet e varfra. Çmimi i ri energjisë dhe të jetë 10 lekë për kilovat. “Ne kemi aplikuar për një rritje prej 44.2%, nga e cila 23.1 të vendoset vitin e ardhshëm. Në argumentet tona vlerësojmë se faturimi me blloqe nuk është eficient dhe me këtë propozim ne duam të japim sinjalin e qartë që të gjithë duhet të paguajnë për kostot. Viti 2009 po mbyllet me një bilanc negativ, humbjet në rrjet janë më të larta se ato që janë deklaruar, pra situata aktuale financiare është larg situatës optimale”, - shprehet Josef Hejsek, Drejtor i Përgjithshëm i OSSH. Aktualisht çmimi është 7 lekë për ata që konsumojnë 300 kilovat/orë dhe 12 lekë për ata që e kalojnë këtë kufi. Enti Rregullator i dëgjoi dje të tria kompanitë e sistemit energjitik të vendit dhe kërkesat e tyre për rritje të çmimeve të energjisë. Enti nuk ka vendosur ende, por megjithatë ky institucion ka lënë të kuptohet se çmimi i energjisë do të rritet me shifrat e mësipërme dhe se nuk do të ketë më energji më të lirë për ata që harxhojnë pak dhe për ata që janë në nevojë. Vetë OSSH tha se fashoja prej 300 kilovatësh në muaj mbulonte rreth 70% të familjeve shqiptare dhe kjo do të thotë se që të gjitha këto familje janë në kushte të vështira. Nuk është asfare e vërtetë se shifra prej 300 kilovatësh është e lartë dhe prej saj përfitojnë edhe familje të tjera që nuk janë të varfra. Të shpenzosh 300 kilovat/orë, do të thotë të përdorësh vetëm 3 llapma ndriçimi për tri orë në ditë dhe frigoriferin e televizorin dhe dushin ta ndezësh dy herë në javë nga 3 orë.

G99 proteston për rritjen e çmimit të energjisë

G99 protestoi dje para Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës kundër rritjes së çmimit të energjisë, në kohën kur ERE zhvillonte një seancë dëgjimore pikërisht për këtë rritje. Një prej veprimtarëve të G99, Etjen Xhafaj, fajësoi Ministrinë Energjitikës dhe ministrin Prifti për rritjen e çmimeve të energjisë dhe për mos-mbrojtjen e interesit të qytetarit. Ai tha se ministri më së shumti ndodhet në borxh ndaj kryeministrit dhe jo ndaj premtimeve të tij zgjedhore dhe ndaj qytetarëve. “Ky ministër nuk është borxhli ndaj qytetarëve, por ndaj Berishës që i dha karrigen ministrore, ndaj dhe nuk ndihet i detyruar të mbajë premtimet, por vetëm të plotësojë kërkesat e dëshirat e kryeministrit”, - tha përfaqësuesi i G99.

Duke argumentuar se kjo protestë bëhet për një problem real që prek gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, Xhafaj shtoi se “Prifti gënjeu për OSSH, gënjeu për ARMO-n e tani sigurisht po gënjen e zhgënjen qytetarët edhe për çmimin e energjisë elektrike”. Gjatë kësaj proteste aktivistët e G99 mbanin parulla, ku shkruhej: “Nuk ngrihen çmimet në kohë krize”, një parullë ironizuese: “Z. Prifti, bëj plan alternativ për në prill”, apo: “10,000 euro = inspektor karburanti! Po për dritat sa?”, - parullë kjo që i referohej një deklarate të ministrit Prifti, sipas të cilit sot paguhet ryshfet deri në 10,000 euro për t’u bërë inspektor karburanti, - dhe parulla të tjera që i kujtonin drejtuesit të këtij dikasteri gjithë premtimet e pambajtura ndaj qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›