E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mirëmbajtja e rrugëve, PD: Qeveria dështoi

Zëdhënësia e Partisë Demokratike Ina Zhupa tha sot se Qeveria dështoi për mirëmbajtjen e rrugëve edhe pse janë zhvilluar sipas saj 35 tendera për mirëmbajtjen e tyre. “Qeveria në ikje e Edi Ramës e ka lënë vendin në mëshirë të fatit. Qeveria nuk është askund për të ndihmuar njerëzit as kur bie tërmet, as kur është pandemia, as kur ka mot të vështirë, siç ndodhi dy ditët e fundit.
Megjithëse të gjithë e dinin se do të kishte stuhi dëbore, nuk u mor asnjë masë. Me miliona euro që Edi Rama i jep çdo vit për oligarkët për gjoja mirëmbajtjen e rrugëve, nuk u përdorën për t’u ardhur në ndihmë njerëzve.
Kjo qeveri i la njerëzit në baltë, sepse prioriteti i saj është të vjedhë bashkë me klientët e kryeministrit, edhe në mirëmbajtjen e rrugëve.
Tre muaj më parë, ministria e Belinda Ballukut bëri 35 tendera për mirëmbajtjen e rrugëve. Na premtuan se do të kishte 500 borëpastruese në rrugë, por mezi pamë disa prej tyre dhe disa punëtorë që hidhnin kripë me duar, siç tregojnë edhe pamjet në video”, deklaroi Zhupa.
Sipas Zhupes, vetëm kompania e lidhur me Sadri Abazin  ka përfituar tendera me vlerë 9 milione euro për mirëmbajtjen e rrugëve ndërkohë që asnjë borëpastruese nuk është parë në terren.“Vetëm brenda 1 viti, ai i ka dhënë kompanisë së lidhur me Sadri Abazin, 9 milionë euro tendera për mirëmbajtjen e rrugëve në shumë prej akseve kombëtare në vend.
Sipas rregullave për çdo aks duhet të ketë të paktën 4 borëpastruese. Ky rregull i kontratës u shkel si nga kompania e sadri Abazit që ka rrjeput me Edi Ramën 9 milionë euro nga taksat tona, edhe nga kompanitë e tjera.” tha Zhupa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›