“Mirëmëngjes Shqipëri”, Vendimi që riktheu Erion Veliajn në Bashki: Kikia, Haxhimihali dhe Lita analizojnë efektet e Gjykatës Kushtetuese

Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1, është diskutuar gjerësisht vendimi i një dite më parë të Gjykatës Kushtetuese, e cila me shumicë votash vendosi të shfuqizojë vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe të rrëzojë dekretin e Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve.
Ky vendim e rikthen Erion Veliajn në detyrë dhe ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik dhe në radhët e analistëve.
Të ftuar në studio ishin analisti politik Mentor Kikia, ndërsa në lidhje të drejtëpërdrejtë eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimihali dhe gazetari Lavdrim Lita, të cilët analizuan pasojat institucionale dhe politike të këtij vendimi.
Agron Haxhimihali: “Vendimi ishte i pritshëm”
Agron Haxhimihali, nga Instituti per studimet mbi Pushtetin Vendor, u shpreh se nuk ishte i befasuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si të drejtë dhe të parashikueshëm.
“Nuk jam i surprizuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Madje, në pritshmërinë time kjo gjë do të ndodhte patjetër, sepse nga pikëpamja procedurale, mënyra se si u bë shkarkimi i Veliajt – qoftë në Këshillin Bashkiak, apo në Këshillin e Ministrave, apo ai dekret flagrant – do të çonin në këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese,” tha Haxhimihali.
Ai shtoi se pavarësisht gjendjes së Veliajt, institucionet duhet të respektojnë procedurat.
“Unë i përkas faktit të mendoj se z. Veliaj nuk mund ta ushtrojë detyrën dot në gjendjen që ishte, por kjo nuk do të thotë që të mos i respektosh të drejtat dhe procedurat kur kërkon ta shkarkosh.”
Duke kritikuar veprimin e qeverisë, ai tha se “Për mua, ajo që është më e keqardhur është kur Këshilli i Ministrave bëri një provokim të panevojshëm duke i kërkuar Presidentit të Republikës të dekretonte zgjedhjet në Tiranë së bashku me bashkitë e tjera.”
Mentor Kikia: “Presidenti është institucioni më i dëmtuar juridikisht”
Mentor Kikia e cilësoi vendimin si një tronditje për politikën, duke theksuar se ishte i papritur për publikun, edhe pse ligjërisht i arsyeshëm.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e tronditi politikën, sepse për shumë kënd ishte i papritur, edhe pse është ligjërisht i arsyeshëm. Them i papritur, sepse opinioni publik – dhe jo vetëm – ishte karikuar me idenë që kjo çështje kishte mbaruar,” tha Kikia.
Ai analizoi mënyrën se si u shpallën zgjedhjet duke theksuar se “Zgjedhjet u shpallën në një forum politik. Aty u shpall edhe kandidatja për kryebashkiake, madje u shpall dhe fituese po aty. Të nesërmen mblodhi Këshillin Bashkiak të Tiranës, u mor vendimi për propozim për shkarkim, u firmos nga Këshilli i Ministrave, shkoi në KQZ, nga këtu në Presidencë dhe u mor vendimi për zgjedhje.”
Sipas Kikias, institucioni që doli më i dëmtuar nga ky proces është Presidenca.
“Presidenti, në mënyrë absolute, nuk duhet të kishte dekretuar datën e zgjedhjeve pa e pasur bosh karrigen e kryetarit.”
Ai shtoi se duhet pritur zbardhja e vendimit për të kuptuar më mirë arsyetimin “Duhet të presim zbardhjen e vendimit për të kuptuar arsyetimin e vendimit dhe për të kuptuar raportet se si janë zhvilluar debatet brenda trupës gjyqësore.”
Lavdrim Lita: “Efekti i menjëhershëm, pezullimi i fushatës në Tiranë”
Gazetari Lavdrim Lita, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin, analizoi pasojat ligjore të vendimit të Kushtetueses.
“Efekti ishte direkt me pezullimin e fushatës për Bashkinë e Tiranës. Është e qartë që nuk mund të ketë një fushatë deri në zgjedhjet e ardhshme. Duhet të bëhet zbardhja e vendimit dhe Partia Socialiste të marrë vendime politike, si dhe Këshilli i Ministrave,” tha Lita.
Ai theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi Këshillin e Ministrave.
“Këshilli Bashkiak propozon, por është Këshilli i Ministrave që vendos. Nëse Presidenti i Republikës, pas vendimit të Këshillit të Ministrave, do të kishte quajtur vendim antikushtetues mosnxjerrjen e një dekreti, do të ishte kusht për ta çuar drejt shkarkimit, në mënyrë hipotetike.”
Sipas Litës, “Presidenti e ka kusht, detyrim me përcaktim, të nxjerrë dekret sa herë ja kërkon Këshilli i Ministrave. Është Këshilli i Ministrave filtri kryesor, i cili ka përgjegjësi ligjore dhe politike për të analizuar të gjitha shkresat që vijnë nga Këshilli Bashkiak.”
/rtsh.al/